Kaq studentë do t’i pranojë Universiteti i Gjilanit

Gjilani

Kaq studentë do t’i pranojë Universiteti i Gjilanit

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 09:57
Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2018/2019, do të regjistrojë 1 mijë e 218 studentë të rregullt në studime bachelor.

Sipas kumtesës për media, mbi numrin e përgjithshëm të studentëve të paraparë si më sipër, Universiteti do të regjistrojë deri në 2% përkatësisht deri në  22  studentë të rregullt që i takojnë familjes së ngushtë të dëshmorëve (anëtarë të familjes së ngushtë të dëshmorëve janë: bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët). Studentët e kësaj kategorie do të shpërndahen në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.

Nga numri i përgjithshëm, Universiteti do të regjistrojë deri në 12 %, përkatësisht deri 123  studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë. Kuota prej 12% të vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti jo-shumicë do të shpërndahet në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.

Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT dhe Senati, mund të pranohen edhe kandidatët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Kandidatët të cilët kanë lindur në vendet e sipërshënuara, ndërsa shkollimin e mesëm e kanë kryer në ato vende .

Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga  Senati, mund të pranohen edhe kandidatët jashtë Kosovës, përkatësisht 13 studentë të rregullt, për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.

Universiteti do t’i ketë në konsideratë në mënyrë të veçantë edhe kandidatët me nevoja të  veçanta të cilët e kalojnë pragun e provimit pranues.

Për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve afatet e konkursit janë si vijon:    

Aplikimi online mund të bëhet prej datës 09.07.2018 deri më 17.07.2018 në ora 15:00

Paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 09.07.2018 deri më 17.07.2018  nga ora 9.00 deri në orën  16.00 (dokumentet do të pranohen çdo ditë me përjashtim të dielave).

Njoftimet dhe oraret për vendin ku do të mbahen provimet pranuese mund të merren në ueb-faqen e universitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat