Minigolfi “ngjitet” në Dajt

Golf

Minigolfi “ngjitet” në Dajt

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 12:37
Administratorja e Dajti Ekspres. Migena Malo, presidenti dhe pronari i Dajti Ekspres, Enklajd Malo dhe presidenti i Federatës së Minigolfit në Kosovë, Lavdim Zylfiu

Vitet e fundit, në Shqipëri, gama e atraksioneve është pasuruar me aktivitete, por edhe sporte të ndryshme. Individuale apo në grup, rëndësi ka zbavitja dhe çlirimi nga stresi i punës apo monotonisë. Dajti Ekspres ka menduar që të shtojë dhe një tjetër sport, duke sjellë në Shqipëri (Tiranë) disiplinën e Mini Golfit, nëse mund të quhet e tillë.

Një pistë me 18 minifusha e vendosur pikërisht në ndalesën e teleferikut.

Por, çfarë është Minigolfi? Një version më i shkurtër dhe argëtues i lojës së golfit, i përshtatshëm për lojtarë të të gjitha moshave dhe nuk ka nevojë për ndonjë eksperiencë të mëparshme. Loja bazohet te futja e topit brenda gropave të fushës, derisa mbërrin në fund. Kur keni disa pengesa rrugës, duhet paksa aftësi dhe durim!

Loja luhet me një shkop dhe top golfi në një fushë në miniaturë, e cila ka pengesa si kodra, tunele dhe madje edhe një bunker! Fituesi i lojës është ai që shkon deri në gropën e 18-të me numrin më të vogël të përpjekjeve.

Mbrëmja e të premtes, mes shumë të ftuarve, ka dhuruar emocione, por edhe kureshtje për të parë nga pranë atë pistë të ndërtuar dhe kuruar me aq kujdes nga kompania suedeze, City Golf. Koktejl, nota të ëmbla muzikore, përurimi, fjalime dhe më pas zbavitja në fushat e minigolfit.

Administratorja e Kompanisë “Dajti Ekspres”, Migena Malo, mbajt një fjalim në sytë e të ftuarve, duke kujtuar – sigurisht- mes nostalgjisë dhe mallit, edhe figurën e të atit, Muhamed Malo, si nismëtari i çdo projekti të lidhur ngushtë me sportin prej më shumë se dy dekadash.

“Një vit pas hapjes së Dajti Adventure Park, jemi mbledhur sërish për të inauguruar një pjesë të re argëtimi në Dajti Ekspres. Mini Golfi është atraksioni ynë më i ri për miqtë tanë të mëdhenj dhe të vegjël. i vetmi në llojin e tij në Tiranë”.

“Në fakt, sa herë që sahati troket për të inaguruar dhe celebruar diçka të re bashkë, mendja më shkon vetëm te im atë, Muhamed Malo. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, pasi vizioni për të cilin ne sot punojmë është vizioni i tij. Çdo gjë e bukur këtu mes nesh, prej tij, është vizatuar si çdo gjë tjetër që do të vijë”.

“Filozofia e Dajti Ekspres është të qenit sa më pranë natyrës. Synimi ynë është që të tërheqim njeriun e qytetit sa më pranë saj. Besojmë se fëmijët më të shëndetshëm janë ata që janë më pranë natyrës. Besojmë se momentet më të lumtura familjare janë ato që kalojnë në natyrë. Nisur nga kjo, çdo synim i jonë i ri, vërtet rreth të qenurit pranë natyrës”.

“Pranë nesh, fëmijët tuaj mësohen si të duan natyrën, si ta mbrojnë atë dhe si të argëtohen përmes saj. Uroj që ky mesazh të përcillet fort te çdo njeri që vjen të na vizitojë. Përmbyllja e këtij fjalimi të shkurtër vjen ashtu siç im atë do të kishte dashur”.

“Duke falënderuar pra të gjithë ata që na ndihmuan për krijimin e pistës tonë të re. Asgjë nuk do të kishte të njëjtin kuptim nëse stafi i Dajti Ekspres nuk do të kishte kontribuar për t’u ngjitur edhe një shkallë më lart. Këtu dua të përmend edhe kompaninë suedeze City Golf, pa ndihmën e të cilës nuk do të ishte bërë e mundur kjo pistë. Uroj që e ardhmja të na bashkojë për gjëra edhe më të mëdha. Faleminderit”.

Image

Në lidhje me Minigolfin, foli edhe presidenti i Kompanisë Dajti Ekspres, Enklajd Malo:

“Mini Golfi është brenda projektit të zgjerimit të aktiviteteve që kemi nisur përpara 3 viteve këtu në Dajt. Vjet u inaugurua Adventure Park, sot po përurojmë pas 1 viti golfin. Mendojmë që të afrojmë sa më shumë njerëz, duke qenë se është një atraksion për të gjitha moshat. Golfi është një sport i ri për të gjithë që duan ta mësojnë”.

Por, si lindi ideja? “Ideja ishte e Migenës, administratores së Dajti Ekspres. Gjatë udhëtimit në Kosovë pa një fushë minigolfi dhe mendoi se do të ishte mirë nëse do të krijohej edhe në Shqipëri një pistë e tillë, me atraksion për njerëzit”.

Pjesë e eventit ishte edhe presidenti i Federatës së Mini Golfit në Kosovë, Lavdim Zylfiu. “Nder dhe privilegj të jem në Tiranë. Jam i kënaqur që po realizohet një ide që ka lindur prej së largu. Ambient i jashtëzakonshëm. Ky sport luhet individualisht dhe ne jemi të mirë. Pas një kohe jo të gjatë, do të kemi lojtarë profesionistë”.

Së shpejti, ndoshta pas një viti, kampionati i parë zyrtar i Minigolfit në Shqipëri mund të ngrejë siparin… Për momentin, koha të praktikoheni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat