Hallakatet KH Kastrioti, hendbollistët akuzojnë kryetarin për shantazhe e kërcënime...

Hendboll

Hallakatet KH Kastrioti, hendbollistët akuzojnë kryetarin për shantazhe e kërcënime...

Nga: Kemajl Goca Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 15:19
Logo e Kheastriotit

Ka ditë që në klubin me renome të hendbollit Kastrioti nga Ferizaj  ka fërkime brendapërbrenda në relacionin kryesi-hendbollistë. Situata ka esklaluar, sqaë hendbollistët kanë dërguar një komunikatë për të shprehur pakënaqësitë e tyre. “Për shkak të korrektësisë ndaj hendbolldashësve ferizajas dalim me një komunikatë rreth gjendjes dhe zhvillimeve rreth klubit të cilat nuk  janë aspak të mira. Problemet në klubin e hendbollit KH Kastrioti janë të shumta sidomos nga ana organizative e deri te problemet me elementare që për një klub me traditë siç është KH Kastrioti është për të ardhur keq. Arsyet e mos shkuarjes në ndeshjen kundër KH Dritës janë të shumta,  arsyeja parë është mos kryerja e obligimeve  ndaj lojtarëve për të cilën e kemi njoftuar kryetarin shumë më herët duke marrë  parasysh që kësi vonesa ka pasur qysh prej fillimit të kampionatit, si grup që kemi shpreh pakënaqësitë tona, natyrisht se kemi pritur që do hasim në mirëkuptim nga ana e kryetarit sikurse ne si lojtarë që kemi pasur konsideratë ndaj klubit dhe ndaj gjendjes së rëndë në përgjithësi për muaj të tërë.

Mirëpo deklaratat tendencioze dhe  shantazhuese të kryetarit në prani të të gjithë lojtarëve kanë bërë që ne si lojtarë të këtij klubi të mos kemi zgjidhje tjetër përpos këmbënguljes sonë rreth plotësimi të kërkesave të cilat nuk janë asgjë tjetër përpos asaj çka secilit lojtar i takojnë dhe janë primare për funksionimin e një klubi. Ne shprehim keqardhje për gjendjen e cila është krijuar në klub, mirëpo ky qytet, hendbolldashësit ferizajas duhet ta kenë të qartë se gjendja e rëndë në të cilën gjendemi si klub është krijuar nga kjo kryesi e papërgjegjshme ndaj kërkesave të lojtarëve si dhe nga një kryetar pa ambicie për zhvillimin e mëtutjeshëm të kampionatit, e themi këtë duke u bazuar në deklaratë e tij se nuk është me rëndësi fitorja apo humbja, por me rëndësi është zhvillimi i takimit qoftë edhe me ekip të përgjysmuar. Kërcënimet kanë vazhduar deri aty saqë është thënë se nësë nuk udhëtojmë në ndeshje automatikisht nuk jeni pjesë e klubit për gjysmëstinorin pranveror. Duke pasur parasysh kërkesat minimale tona si dhe mënyrën e komunikimit nga ana e kryetarit të klubit, për ne ka qenë e papritur, dhe më nuk ka qenë më rëndësi zhvillimi apo jo i ndeshjes, pasi për gjithë lojtarët ka qenë e papranueshme trajtimi i jonë nga ana e klubit dhe duhet të ceket se asnjëherë dhe askush nga ne nuk është manipuluar dhe nuk është paguar nga askush jashtë klubit për të bërë probleme në klub. Këtë vendim e kemi marrë me shpresë që klubi të kthehet aty ku e ka vendin dhe të organizohet sa më mirë e jo një klub me traditë si KH Kastrioti te huazoj veshmbathje nga Federata e Hendbollit të Kosovës për ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara në Sllovaki. Dhe së fundi  shpresojmë që edhe komuna do ta ndihmoj klubin se sipas kryetarit z. Kokollari komuna po e mbështet shumë pak klubin dhe se njëfarë mënyre është i detyruat dhe po e mban këtë post me zor, ne lutemi që në klub të vijnë njerëzit të cilët e dojnë klubin dhe e bëjnë këtë punë me qejf dhe që kanë synim dhe vizion që ta organizojnë klubin sa më mirë që KH Kastrioti t’i mbush tribunat e palestrës përsëri, ky qytet me gjithë këtë traditë të hendbollit nuk e meriton dhe nuk është mësuar ta sheh klubin në gjendje të tillë”, thuhet në komunikatën e hendbollistëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat