Kosova pësoi humbje të thellë në Budapest

Hendboll

Kosova pësoi humbje të thellë në Budapest

Nga: Kemajl Goca Më: 27 shtator 2017 Në ora: 19:32
Lojtaret e Kosovës

Dorën në zemër nuk pritej më shumë nga kombëtarja e Kosovës në sfidën me Hungarinë. Vashat e Kosovës pësuan humbje të thellë me rezultat 37:12 (18:5) nga superfuqia botërore Hungaria, në takimin që u zhvillua në palestrën e sportit “Elek Gyula” në Budapest. Kjo ishte ndeshje e parë e grupit të 7-të të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në hendboll. Në periudhën e parë të lojës u pa se mundësitë për ta evituar një humbje të thellë janë të pakta, kur në minutën e 20-të Hungaria avancoi me shtatë gola (10:3). Përzgjedhësi Florent Beqiri nuk kishte asnjë mundësi për ta evituar këtë disfatë, për faktin se rivalet ishin për një shkallë më të mira. Gjithçka shihej në fushë se sa ishin cilësore vendaset, të cilat zotëruan pa ndonjë vështirësi ballafaqimin. Ato ishin më shtatlarta, më të shpejta dhe u shquan me goditje të forta. Pjesa e parë e sfidës përfundoi me 18:5 në favor të hungarezeve, duke i dhënë një qetësi jashtëzakonisht të madhe për periudhën e dytë të lojës. Kosova edhe në pjesën e dytë nuk dëshmoi ndonjë lojë cilësore, për faktin se e kishin të vështirë të shpërthenin mbrojtjen shumë të fortë të hungarezeve.  Në fakt, hendbollistet e Kosovës nuk treguan  efikasitet, realizuan gjithsej 12 gola apo mesatarja nga një në çdo pesëminutësh. Prandaj, u pa dallimi shumë i madh në cilësi në këtë sfidë.  Duhet theksuar se ndeshja u shikua nga rreth 2000 mijë shikues dhe i dhanë mbështetje të madhe Hungarisë. .  Te mikpritëset u dalluan Bodi e Gorbicz me nga gjashtë gola, kurse te Kosova Aliu e Rexhepi me nga 4 gola. Ndeshjen e radhës Kosova do të luajë me 1 tetor (20.00) në kryeqytet kundër Holandës, një sfidë po ashtu shumë e vështirë. Kosova është në grup me Hungarinë, Holandën dhe Bjellorusinë.

Hungaria-Kosova 37:12

Palestra e sportit “Elek Gyula” në Budapest.

Shikues: 2000.

Gjyqtarë: Ozren Backoviç, Mirko Palackoviç (Sllovenia).

Shtatëshet: Hu. 3 (3).

Përjashtimet: Hun. 4 minuta-Kosova 8 minuta.

Hungaria: Janurik, Kisfaludy 2, Bodi 6, Gorbicz 6, Hafra 3, Harsfalvi 1, Kiss, Klivinyi 2, Kovacs 2, Kovacsics 2, Lukacs 3, Mayer 1, Schatzl 1, Szekeres 2, Szollosi-Zacsik 4 dhe Tomori 2.

Kosova:Rudaku, Aliu 4, Demaj, Gashi, Gjikokaj, Hot, Kameri, Krasniqi, Kursani, Marku, Osmani, Qorraj 3, Rexhepi 4, Rugova, Shehdadi dhe Stagova 1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat