‘Torcida’ i bënë bashkë Trepçën e përçarë

Hendboll

‘Torcida’ i bënë bashkë Trepçën e përçarë

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 11:04
Pamje nga një ndeshje

Në mes të nëntorit Trepça nga Mitrovica do të debutoi në Kupa Evropiane në hendboll. Nënkampionia e Kosovës në hendboll (meshkujt) do të përballet me skuadrën shumë të fortë rumune AHC Potaissa Turda në raundin e tretë të Challenge Cup.

Në përpjekje për paraqitje sa më të denjë në Kupa Evropiane, te Trepça të martën mbrëma kanë bërë një veprim të vlerësuar shumë. Është arritur marrëveshja që nëntë lojtarë që nuk luajtën prej edicionit të kaluar, kthehen në klub. Për shkak të vështirësive financiare klubi nuk kishte kryer obligimet ndaj tyre, por me marrëveshjen e së martës është tejkaluar gjendja. Për ndeshjet me rumunët, te Trepça kanë premtuar angazhim maksimal për përgatitje sa më të mirë. Është premtuar atmosferë madhështore edhe nga tifozët që tashmë kanë nisur me përgatitjet e tyre. Për nëntor premtohet një festë e hendbollit në Mitrovicë. “Xehetarët” kanë premtuar edhe përfshirje në garë për pozitat e larta në tabelë në kampionatin e Kosovës. “Me ndërmjetësimin e “Torcidës” dhe një kontribut tonin të vogël për aktualizimin e çështjes, është arritur marrëveshja për bashkimin e klubit të hendbollit Trepça, që është klub simbol për qytetin e Mitrovicës. Është arritur marrëveshja që nëntë lojtarët, disa prej tyre reprezentues, që nuk luajtën prej fundit të edicionit të kaluar, të kthehen në skuadër dhe Trepça të vazhdoi garimin e bashkuar. Falënderojë trajnerin e nderuar Taib Kabashi, kryetarin e klubit, Rexhep Kaçaniku dhe lojtarët për gatishmërinë e treguar për të arritur marrëveshjen. Një falenderim i madh edhe për “Torcidën” që ndërmjetësoi dhe garantoi marrëveshjen. Të gjithë premtuan angazhim maksimal për përfaqësim sa më të denjë të qytetit në kampionatin e Kosovës dhe në gara evropiane”, thuhet nga KH Trepça.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat