Një vit pas themelimit, Dukagjini kërkon Superligën

Hendboll

Një vit pas themelimit, Dukagjini kërkon Superligën

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 19:06
Një vit pas themelimit, Dukagjini kërkon Superligën

I themeluar vetëm vitin e kaluar, klubi i hendbollit Dukagjini për meshkuj po paraqitet me plot sukses në edicionin 2017\18 të Ligës së Parë të Kosovës. Dukagjini i Klinës është shpallur kampion vjeshtor në kategorinë e dytë të hendbollit kosovar dhe ka pretendime që këtë edicion të ngritet në Superligë. Dukagjini ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet e stinorit vjeshtor dhe u ka ikur katër pikë përcjellësve të parë, Drenicës e KEK-ut, që i kanë nga tetë pikë.

Për Dukagjinin është vetëm edicioni i dytë në gara. Në edicionin e parë, 2016\17, u rendit i katërti në Ligën e Parë. Tani mbanë vendin e parë dhe synon të mbetet aty deri në fund të kampionatit.
“Klubin e kemi themeluar dhe përkundër kushteve jo shumë të volitshme, si rezultat i punës këmbëngulëse të të gjithë stafit, jo rastësisht sot jemi kampion vjeshtor pa asnjë humbje të pësuar. Ky sukses është arritur falë punës së kryetarit të klubit Binak Gashi, punës sime si trajner dhe të gjithë lojtarëve”, ka thënë Jeton Bojaj, trajner i Dukagjinit të Klinës.
Sipas tij te Dukagjini parësore është angazhimi dhe diciplina.

“Fakti që nuk e kemi asnjë humbje dhe asnjë ndëshkim të lojtarëve apo udhëheqësisë, dëshmon profesionalizmin e klubit, që diciplinën e angazhimin e ka parësor. Unë mendoj se kjo e dallon klubin tonë prej klubeve tjera. Në çdo sport gara ka rëndësi dhe qëllimi jonë është të fitojmë garën ku paraqitemi”, ka thënë Bojaj.
Dukagjini në javën e parë ishte i lirë. Më pas fitoi ndaj Lepencit me rezultatin 27:24, ndaj KEK-ut (38:33), ndaj Prizrenit (35:32), ndaj Deçanit (33:30), ndaj Drenicës (26:21) dhe në fund ndaj Ulpianës (32:8).
“Disponimi në ekip është për t’i hyrë sfidës së Superligës me shumë përkushtim. Natyrisht që nevojitet përkrahja institucionale dhe financiare. Ne jemi të vetëdijshëm se ka shumë probleme, andaj sporti dhe veçanërisht hendbolli ka mbetur vetëm në dorën e dashamirëve. Por loja e hendbollit të fal shumë emocione e kënaqësi”, ka theksuar trajneri Jeton Bojaj. Ai ka dhënë detaje për organizimin e Dukagjinit si klub.
“Klubi është kryesisht organizim vetanak, me një mbështetje të vogël financiare nga Komuna dhe disa biznese, e cila mbështetje realizohet falë mundit të udhëheqësve të klubit. Klubi është themeluar më 14 tetor të vitit 2016 nga një grup i vogël i nostalgjikëve të lojës së hendbollit. Lojtarët kryesisht janë të rinjë, të Klinës, me moshë 16 e 17 vjeçare. Poashtu kemi disa lojtarë të KH Besa që i falenderojmë shumë për ndihmën e dhënë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat