Prishtina "shemb" Besën, Terziqi hero i kryendeshjes

Hendboll

Prishtina "shemb" Besën, Terziqi hero i kryendeshjes

Nga: Kemajl Goca Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 21:09
Prishtina

Pas tre vjetësh Besa FamGas nga Peja njoftohet me humbje në elitën e hendbollit të Kosovës (meshkujt). Prishtina ka treguar lojë brilante dhe triumfoi me rezultat 35:29 (17:12) kundër kampionit në fuqi, Besës, në ndeshjen e javës së 16-të.

Kryendeshja e kampionatit i takoi me plotë meritë Prishtinës, e cila nga fillimi i takimit e deri në fund u tregua më e vemendshme.  Dy ish hendbollistët e mirënjohur, tani trajnerë: Verim Zherka te Prishtina dhe Arben Muqolli te Besa, por Zherka doli më i suksesshëm ndaj mikut të vjetër. Hendbollisti Deniz Terziqi ka qenë hero i fitores, me 13 gola të shënuar, i ndihmuar edhe nga Vlerson Zherka me 5 sosh, pa dyshim meritë të jashtëzakonshme ka edhe portieri Arbër Berisha, që ka pritur një mori gjuajtje dhe i cili u lëndua në minutën e 55-të, duke u largua nga loja. Një fitore e madhe e Prishtinës e cila ka domëthënie të madhe.

Pjesa e parë e takimit përfundoi 17:12 në favor të Prishtinës, e cila në disa raste udhëhoqi edhe me 6 gola, ndërsa Besa assesi të bëj diçka më shumë përkundër orvatjeve të shumta të Goran Biljakës por edhe të portierit Arbër Curri që priti disa gjuajtje të rivalit.  Në pjesën e dytë Prishtina luajti me dinakëri dhe nuk lejoi që kampioni t'i zërë në befasi. Arben Muqolli pas ndeshjes tha se lojtarët e tij nuk treguan lojën e tyre. Sipas tij, ata u sollën si yje dhe nuk shkuan gjërat ashtu siç duhet as në mbrojtje dhe as në sulm. Në anën tjetër, Verim Zherka sikurse në qiellin e shtatë sepse e realizoi një fitore falë lojës brilante që aplikuan për 60 minuta.

Ai tha se është i lumtur për fitoren e madhe, por sipas tij, tani i pret sfida e radhës dhe mjaft e vështirë në Ferizaj kundër Kastriotit. Në fakt, nuk duhet harruar edhe punën e palodhshme të kryetarit të klubit Edi Kolgecit, i cili i ka dhënë shpirt skuadrës së tij. Kolgeci ishte tejet i lumtur për këtë fitore dhe që i shkaktuan humbjen e parë kampionit, sepse tani kanë dramatizuar deri në pikën e fundit luftën për titull.

Besa FamGas dhe Prishtina kanë nga 15 fitore e 1 humbje në kampionat, por pejanët kryesojnë me 30 pikë, duke lënë pas Prishtinën me po me aq me pikë. Krejt në fund, një ndeshje që u përcoll nga rreth 500 shikues në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, por që kishte kohë që nuk kishin parë lojë më të bukur dhe me veprime të shpejta e shumë herë edhe atraksione që i lanë pa frymë të pranishmit. Siç thuhet në zhargonin sportiv, Prishtina "shemb" Besën në kryendeshjen e kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat