Lideri i Serbisë me shumë krenari futet në Kosovë, ku je KOK, ku je FHK, ku jeni Ju trimat që nuk reagoni?

Hendboll

Lideri i Serbisë me shumë krenari futet në Kosovë, ku je KOK, ku je FHK, ku jeni Ju trimat që nuk reagoni?

Nga: Kemajl Goca Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 12:07
Pamje nga një ndeshje

Vazhdojnë garat ilegale të shtetit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Kësaj radhe do të futet në territorin tonë lideri i Superligës së Serbisë në hendboll (meshkujt), Zhelezniçari nga Nishi dhe do të përballet me Mokra Gorën në Zubin Potok, në kuadër të javës së 17-të.

Nëse Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit e Kosovës nuk janë në dijeni, sepse nuk kanë ku t’i gjejnë informatat, iu bëjmë me dije se takimi luhet nesër në orën 19.00 mu në Zubin Potok. Sigurisht se KOK dhe FHK kanë mungesë të internetit, që të paktën t’i shohin se vërtet ka apo jo gara ilegale të Serbisë në Kosovë. Aq më keq se janë në dijeni, por një dreq e di pse heshtin! Nuk vjen gjithkushi nesër në Kosovë, vjen lideri i Superligës së Serbisë, Zhelezniçari 1949! E neveritshme dhe e padurueshme, Zhelezniçari, klub që lufton për titullin e kampionit në Serbi dhe futet në territorin e një shtetit të njohur ndërkombëtarisht dhe me lejen e kujt?

Me lejen e Beogradit apo me lejen e Prishtinës? Sigurisht se me lejen e Federatës së Hendbollit të Serbisë dhe me lejen e Qeverisë së Serbisë, ndryshe nuk përkthehet! KOK e FHK, a jeni ndokund apo në pushime dimërore? KOK e FHK, a i keni shkruar mekanizmave ndërkombëtare për një akt skandaloz dhe për një shkelje të sovranitetit? Ku jeni ore burra që jeni strukur dhe jo vetëm Ju por edhe federatat tjera. Asnjëherë nuk e pat të arsyeshme që të bashkoheni si federata dhe së bashku me KOK-un e Ministrinë e Sporti ta ngritëni zërin? A thua pse? Ku jeni more burrat e dheut, ku jeni ore trimat o të fuqishmit e këtij sporti? A jeni në dijeni që nuk vjen çdokush nesër në Kosovë, vjen një klub që është lider me 27 pikë, ka katër pikë më shumë se Partizani i Beogradit dhe tetë se Cërvena e Beogradit. EHF, a është në dijeni për këtë akt të turpshëm?  A e keni njoftuar apo jo? A keni kërkuar nga ministria e punëve të brendshme të Kosovës dhe Qeveria që të bëhet çka është e mundur që nesër Zhelezniçari mos të futet në Kosovë? Sigurisht se jo! Sepse keni çështje me madhore! Ju në KOK e në federata, për çfarë paguheni? A paguani veç mi bartur letra nga Kaçaniku në Pejë apo nga Vërmica në Merdar?

Ju të zgjedhurit me vota në KOK e në federata tjera, e keni për obligim të shikoni  se kush po zhvillon gara ilegale e me flamur të sllavizmit në shtetin tonë, se edhe Ju jeni të pranuar me të drejta të plota në rrafshin ndërkombëtar.

FHK,  je e pranuar që moti në EHF e IHF, KOK ju jeni anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pse nuk i shkruani letër këtyre asociacioneve për këto marifete të zeza! Nëse nuk keni internet, provoni me postë e dërgoni letra, nëse nuk keni para edhe me postë, kërkoni lëmoshë derë në derë nga populli, se ju ndihmojnë deri në pikën e fundit!  Komiteti Olimpik i Kosovës pse nuk e ka ngritur këtë çështje asnjëherë dhe a duhet të reagojë dhe pse nuk reagon, kryetari i saj Besim Hasani.  Ministria e Sportit e Kosovës po ashtu e ka për obligim të reagojë ashpër. Klubi serb ka konfirmuar në faqen e saj zyrtare se do të luajë në Zubin Potok dhe kërkon fitore. Nëse frikoheni apo jeni dorëzuar, pranojeni!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat