Shabani kërkon maksimumin kundër Bjellorusisë

Hendboll

Shabani kërkon maksimumin kundër Bjellorusisë

Nga: Kemajl Goca Më: 20 mars 2018 Në ora: 15:52
Agron Shabani

Kombëtarja e Kosovës përgatitet me ritëm të shtuar për sfidat me Bjellorusinë, e cila zhvillohet (nesër, në orën 18.00) në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë dhe në fundjavë (me 25 mars, 13.00) në Minks, sfida e dytë, në kuadër të grupit 7 të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në hendboll (femrat).  Kosova dhe Bjellorusia, në dy ndeshjet e para pësuan humbje dhe si njëra palë po ashtu edhe tjetra synojnë pikët e para. Vashat e Kosovës janë të mobilizuara deri në pikën e fundit dhe synojnë një lojë të mirë ndaj kurndërshtares. Ish hendbollisti i mirënjohur Agron Shabani, tani përzgjedhëse i kombëtares së Kosovës, tha se është rivale e vështirë, por beson në angazhimin dhe maksimumin e vashave të tija.

“Kemi shikuar disa video, ekipi nuk është i lehtë, një kundërshtar mjaft i fortë. I kanë humbur dy ndeshjet e para, sikurse Kosova, por nga ekipet me kualitet më të lartë. Do të mundohem me dhënë maksimumin, por që kemi pasur vështirësi me lojtare të diasporës që kanë ardhur me vonesë, megjithatë jemi të kompletuar”, thotë Shabani për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Në dy ndeshjet e para Kosova pësoi humbje, nga Hungaria me rezultat 37:12 dhe pastaj nga Holanda me 40:12, kurse Bjellorusia u mund nga Holanda me 33:21 si dhe nga Hungaria me 25:18.  Shabani flet edhe për rrezikun që mund të vije nga kundërshtarja. “Rreziku nga rivalja është se ata kanë një eksperiencë, kanë pasur edhe me përpara gara, ndërsa ne jemi në zhvillim. Vashat tona disa prej tyre kanë lojëra në Evropë, por jemi në zhvillim si federatë. Bjelloruset kanë përvojë më të madhe, shpresoj se me angazhim e këtyre gocave do të dalim sa më mirë”, ka deklaruar ai.

“Çdo rezultat tjetër që arrijmë përveç humbjes është pozitive. Vashat e dinë se është lojë e vështirë, por ta shohim cili do të jetë rezultati në fund të ndeshjes”, tha më tej Shabani.  Përzgjedhësi thotë se kushtet janë shumë të mira: “Kushtet janë fenomenale. Vashat i kanë pasur kushtet mjaft të mira. Angazhimi i gocave është më shumë seriozitet, për fat të keq nuk ishim të kompletuar deri vonë, pasi që shumica e lojtareve kanë obligime në klubet e tyre. Vashat e Kosovës angazhohen shumë dhe presim që të gjitha të japin maksimumin.

E kemi pasur në stërvitje Albana Arifin, për fat të keq nuk do të luajë ndaj Bjellorusisë sepse nuk i lejohet nga EHF-i”. Kosova ka një brumë të mirë dhe që premton të ardhme të fuqishme. “Brumi është aty, ka punë dhe mendoj se këto vashat nga diaspora, tash dalëngadalë po kompletohen, po ashtu edhe me vashat e Kosovës që duhet të punohet me profesionalisht me to nëpër klube. I mendimi jam, se si i shoh ndeshjet në Kosovë, hendbolli ka një ardhmëri të madhe”, shpreh optimizmin Shabani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat