Lutem të mos na mallkoi gjaku i sportistëve dëshmorë, që sot po lejojmë garat ilegale serbe në Kosovë

Hendboll

Lutem të mos na mallkoi gjaku i sportistëve dëshmorë, që sot po lejojmë garat ilegale serbe në Kosovë

Nga: Dervish Berisha Më: 4 prill 2018 Në ora: 15:27
Dervish Berisha

Debate

Nga kush frikoheni që të reagoni për garat ilegale të Serbisë që zhvillohen në Republikën e Kosovës. Është turp dhe e pandërgjegjshme që nuk reagoni askush përpos gazetarëve sportiv që janë të mrekullueshëm. Ku është ministria e sporteve, ku është Komiteti olimpik i Kosovës, ku jeni ju udhëheqës të vendit tonë, ku jeni Ju Federata e Hendbollit e Kosovës, ku është Federata e Futbollit e Kosovës dhe pse nuk reagoni? Unë si ish hendbollist, me një karrierë në sport 30-vjeçare po ndihem i nënçmuar dhe i pavlerë kur në shtetin tonë luajnë klubet e Serbisë ndeshje zyrtare të kampionatit të tyre.

Ku jeni ju federatat, a keni gjak shqiptari, a keni fuqi institucionale dhe pse nuk reagoni apo pse nuk protestoni me këtë çfarë po ndodhë. Ky është nënçmim dhe ofendim për gjithë vendin tonë që të luhen garat në kuadër të Serbisë. Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe të gjitha federatat e pranuar me të drejta të plota në mekanizmat ndërkombëtar. A ka ardhur koha e ndërrimeve të përgjithshme në federatat sportive të Kosovës? Ju KOK-u, ju federatat ngritni zërin që të ndalohet kjo dukuri ofenduese ndaj shtetit tonë të dashur të Kosovës. Mos ngurroni se edhe Europa do ti dënoj ata që bëjnë gara ilegale në një shtet tjetër sepse është e ndaluar rreptësishtë, ku janë edhe nenet që e precizojnë këtë çështje.

Mendoni more pak, po si të ishte klubi i hendbollit Mokra Gora e Zubin Potokut e para në Serbi, do ta përfaqëson Serbinë në garat europiane, atëherë do të ishte vdekje për gjithë ne! Si është e mundur në shtetin tonë të vijnë e të luajnë ekipet nga Serbia kampionatin e tyre?  A jeni në dijeni ju federatat që më shumë lavdëroheni se sa i shikoni do punë që duhet shikuar. Na shkoi edhe Çakorri e Bjelluhi dhe kush nuk bëhet merak, e më për sport as në iu kërcet!  Kurrë mos u lëvdoni JU si Federata e Hendbollit dhe ajo e Futbollit e Kosovës, sepse ndër hundët tuajen po luajnë klubet e Serbisë në shtetin tonë, ju nuk reagoni dhe flini.  Zgjoheni o vëllezër e mi, o sportistët e mi, se nuk durohen garat e një shtetit tjetër në shtetin tonë.

Mos u frikoheni se nuk e keni nevojën. Do të na mallkoi edhe gjaku i dëshmorëve, që besa edhe shumë sportistë kanë dhënë jetën për Lirinë e Kosovës, si për shembull legjenda e hendbollit të Kosovës Basri Tupella (i zhdukur në luftë), heroi Bashkim Idrizi e shumë të tjerë e sot në veri të Mitrovicës luan armiku ynë në të gjitha sportet dhe vjen rangu më i lartë i hendbollit. Vijnë klubet nga një shtet armik dhe luajnë garat ilegale në shtetin tonë. A kemi Zot shtëpie dhe që duhet vepron. Nëse nuk jeni të zotë as të reagoni as të veproni, tërhiquni, lëshoni rrugë dikujt tjetër.

Autori është ish hendbollist i gjeneratës së artë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat