Përzgjedhësi i Kosovës i gëzohet përballjeve me Gjermaninë

Hendboll

Përzgjedhësi i Kosovës i gëzohet përballjeve me Gjermaninë

Më: 13 prill 2018 Në ora: 17:31
Përzgjedhësi i Kosovës i gëzohet përballjeve me Gjermaninë

Kampioni i Evropës nga viti 2016 në hendboll, Gjermania, do të jetë rival i Kosovës në eliminatoret për “Euro 2020”. Shorti për këto eliminatore është tërhequr të enjten në Trondheim të Norvegjisë, ndërsa Kosova është në grupin e parë së bashku me Gjermaninë, Poloninë e Izraelin. “Euro 2020” do të jetë evropiani i parë me 24 skuadra dhe i pari që organizohet në tri vende, Suedi, Norvegji e Austri. Dy të parët në të gjitha tetë grupet kualifikohen në Evropian e poashtu katër prej tetë më të mirëve nga vendi i tretë. Kualifikimet nisin në tetor të këtij viti. Kosova në tetor luan në udhëtim me Poloninë dhe më pas e pret Gjermaninë. Ndeshjet e para luhen prej 24 deri më 28 tetor. Ndeshjet tre e katër luhen prej 10 deri më 14 prill të vitit të ardhshëm, ndërsa pesë e gjashtë, që janë edhe të fundit, prej 12 deri më 16 qershor të vitit tjetër.
Përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani ka thënë se ndeshja me Gjermaninë është rasti më i mirë për kombëtaren tonë.
“Ishte e ditur që në fazën e dytë do të na presin ekipet më të forta evropiane. Ndeshja kundër Gjermanisë do të jetë rasti më i mirë për ne. Do të mund të vlerësojmë se si qëndrojmë kundër ekipeve më të forta ndërkombëtare. Me Poloninë njihemi tashmë dhe do të shfrytëzojmë këtë rast që të përmirësojmë disa elemente të lojës për dallim nga ajo e fundit ndaj polakëve e zhvilluar në fillim të vitit. Izraelin kam pasur rast ta shoh disa herë vitin e kaluar dhe jep përshtypjen e një ekipi të diciplinuar me njohur të mira taktike.

Për nga niveli jemi të përafërt me të”, ka thënë Taip Ramadani. Ai i është kthyer edhe njëherë dy ndeshjeve me Gjermaninë, superfuqinë evropiane të hendbollit.
“Gjithsesi të jemi në mesin e elitës ndërkombëtare të hendbollit dhe të kemi rastin të presim një përfaqësuese si Gjermania në Kosovën tonë, është një ngjarje e veçantë. Jam i bindur se kjo do të frymëzojë jo vetëm dashamirët e hendbollit, por gjithë sportdashësit e Kosovës e posaqërisht shpresoj që gjeneratat e reja të shohin se çka është e mundshme në sport”, ka theksuar për faqen e FHK-së, Ramadani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat