Derbi i madh i takoi Besës

Hendboll

Derbi i madh i takoi Besës

Më: 15 prill 2018 Në ora: 13:04
Pamje nga ndeshja Pllana

Besa FamGas ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar duke e fituar derbin e madh ndaj Prishtinës me shtatë gola dallim, 31:24. Ishte kjo kryendeshja e javës së 25-të të Superligës A që u luajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Me fitore Besa thuajse e ka të sigurtë pozitën e parë për plejof. Udhëheq në tabelë me 48 pikë, katër më shumë se Prishtina që është e dyta. Deri në fund të Superligës A kanë mbetur edhe tri xhiro tjera.
Ishte kjo përballja e katërt mes Besës e Prishtinës këtë edicion. Rezultati është 3:1 në të mirë të ekipit pejan, që është kampion aktual.
Të shtunën, skuadra e Arben Muqollit ëhtë shkëputur herët në pjesën e parë në rezultat dhe ka krijuar epërsi solide. Në fund Besa e fitoi pjesën e parë me dy gola dallim, 17:15. Pejanët ishin dominant edhe në pjesën e dytë dhe mbajtën epërsi konstante. Prishtina tentoi të afrohet, por pa shumë sukses. Në fund rezultati ishte 31:24 në të mirë të Besës.
Kontribut në fitoren e madhe të Besës dhanë të gjithë lojtarët. Më efikasi ishte Drilon Tahirukaj me shtatë gola. Gjuka shënoi gjashtë herë ndërsa Jupa pesë herë. Te Prishtina më efikasi ishte V. Zherka me gjashtë gola. Nga pesë herë shënuan Terziqi e Fetahu.
U luajtën edhe dy ndeshjet tjera të javës së 25-të të Superligës A. Drita fitoi ndaj Vëllaznimit me dy gola dallim, 36:34. Ndërkohë Kastrioti fitoi thellë ndaj Zhegrës me rezultat 34:16. Kastrioti është i treti me 30 pikë, ndërsa Drita e katërta me 26. Zhegra në vendin e pestë dhe Vëllaznimi në të gjashtin i kanë nga 19 pikë.
Në Superligën B u luajt java e 23-të. Të premten Vushtrria e Trepça barazuan me rezultat 29:29. Të shtunën, Samadrexha fitoi ndaj Llapit me rezultat 20:18. Trepça i ka 20 pikë, Vushtrria 16, Samadrexha 12, ndërsa Llapi vetëm gjashtë. 

Superliga A
Prishtina – Besa FamGas 24:31 (15:17)

Prishtina: Esati, Kosteski, Ademi, Krasniqi, Bajqinovci, Fetahu 5, Gjuka 3, Stoilov, Murtezi, Prekazi 3, Visoka, Kastrati, Sula 2, Zherka 6, Terziqi 5, Gashi
Besa FamGas: Curri, Idrizi 2, Biljaka 3, Broqi, Gjuka 6, Jupa 5, Tetova, Megjiq 4, Dril. Tahirukaj 7, Ramosaj, Dre. Tahirukaj 1, Kukrika 1, Muqolli 2, Beqiraj, Berisha

Superliga B
Vushtrria – Trepça 29:29 (13:17)

Vushtrria: Buqinca, Vllahija, Llapashtica, Musa 3, Ar. Karaqa, Shabani 5, Mehmeti 1, Karaqa 2, Ademi 4, Jashari 4, Gubetini 10, Krasniqi
Trepça: Terziqi, Tahiri, Mziu 2, Beqiri 2, Pllana 1, A. Shala 2, B. Shala 4, Nuhi 4, Basholli 13, Sejdiu, Zhubi 1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat