Senzacion, Kastrioti në finale! Shqiponja eliminohet!

Hendboll

Senzacion, Kastrioti në finale! Shqiponja eliminohet!

Nga: Kemajl Goca Më: 4 maj 2018 Në ora: 16:54
KHF Kastrioti

Shqiponja nga Gjakova kokulur largohet nga palestra ‘Karagaçi’ në Pejë, ndërsa Kastrioti i Ferizaj feston kualifikimin në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në hendboll (femrat). Pak kush e kishte pritur një senzacion, për shkak se skuadra gjakovare ishte favorite e madhe dhe pritej pa ndonjë problem të kualifikohej në finale. Senzacioni ndodhi, Kastrioti triumfoi me rezultat 29:28 (18:18) kundër Shqiponjës. Një ndeshje me tensione, sepse gjakovaret janë ankuar shumë në referim.

“Në një moment gjakovaret tërhoqën ekipin dhe pastaj u kthyen në fushë, shkaku i pakënaqësive me referim”, bëhet e ditur nga një burim për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Periudha e parë e lojës përfundoi baras (18:18), por drama vazhdoi në pjesën e dytë. Lojë e fortë deri në pikën e fundit, sekondat e fundit të sikletshme, por ferizajasve iu ndihmoi shumë edhe hendbollistja veterane Lirije Muhaxheri, e cila në çastet vendimtare realizoi tri gola e nxori edhe penallti.  Arlinda Dinarica ka qenë më efikasja te ferizajaset, e ndihmuar edhe nga Adriana Salihu me 5 gola, Vahide Gashi (5), Fjolla Çerkini (4) etj.

Shqiponja kishte mungesat kryesore si Mona Ibrahimi e Xhevahire Bajramaj, por kjo nuk është justifikim sepse eliminohen nga një ekip me lojtare të reja. Shpresa Fazlija me 13 gola nuk arriti që të ndihmoi Shqiponjën. Ferizajaset para 6 muajve ishin pranë shuarjes si ekip, por u riorganizuan pothuajse brenda natës me trajneren e palodhshme Lirie Muhaxherin, kryetarin e ri Skënder Ramadanin dhe drejtoren sportive Vlora Jashari. Kastrioti në finalen e madhe dhe këtë kualifikim e arrijnë me lojtare vendore pas 15 viteve.  

Shqiponja-Kastrioti 28:29

Shikues: 400.

Gjyqtarë: E. Beqiri-I. Krasniqi.

Shtatëshet: Shq. 5 (2) - kas. 4 (3).

Përjashtimet: Shqip. 6 minuta - Kas. 8 minuta.

Shqiponja: Rudaku, Haxhosaj, Juniku 3, Nivokazi 1, Malaj 5, A. Berisha 1, Fazlijaj 13, Mehmeti 3, A. Goqi 1, E. Goqi, Dobrouna 1, L. Ferizi, E. Ferizi, Nuza, Bajrami dhe Gashi.

Kastrioti: Saliu, Stagova, Muhaxheri 3, Misini, Reçica 1, A. Salihu 5, Çerkini 4, Gashi 5, A. Dinarica 8, P. Gashi 3, M. Dinarica, Gurgurovci dhe E. Rogova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat