Shqiponja pa 10 lojtare, Alija tregon se çfarë po ngjan brenda klubit!

Hendboll

Shqiponja pa 10 lojtare, Alija tregon se çfarë po ngjan brenda klubit!

Nga: Kemajl Goca Më: 27 gusht 2018 Në ora: 13:07
Skënder Alija

Dikush me e dikush pa arsye mungon në përgatitjet e kampiones së Kosovës, Shqiponja nga Gjakova (femrat). Klubi i Shqiponjës i themeluar pas luftës, nuk mbahet mend kur ka qenë në një situatë kaotike, megjithatë drejtuesit e këtij kolektivit nuk shqetësohen shumë, por besojnë e shpresojnë se gjithçka do të vihet në binarë!

Kryetari i klubit, Skënder Alija, tha se disa hendbolliste mungojnë me arsye, disa pa arsye.  Alija ka deklaruar se pasi të kthehen nga përgatitjet që janë tash e disa ditë në Plavë të Malit të Zi, do të ulen si kryesi dhe ta analizojnë situatën dhe madje për disa nuk do të ketë tolerime.

Sipas tij, nuk mund të jetë askush mbi klubin.   Ai ka treguar edhe emrat e dhjetë lojtareve se cila mungon me arsye e cila jo! Gjakovaret përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane (në Kupën e EHF-it) dhe me 15-16 shtator luajnë dy ndeshje në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, me marrëveshje me kampionin e Zvicrës, SPONO Eagles. “Së pari, dy lojtare tona me perspektivë, si Shpresa Fazlija dhe Valerina Malaj, mungojnë sepse  janë të pakënaqura me klubin, për shkak se nuk kemi mundur me zhvilluar një ndeshje në Zvicër e një në Kosovë, por kemi arritur marrëveshjen me klubin zviceran që të dyja të luhen në Gjakovë.

Pastaj Valbona Rudaku, portiere, mungon për shkak të punësimit, sikurse edhe Donjeta Juniku. Shkurte Mehmeti, pivoti i kombëtares së Kosovës, mungon për shkak të obligimeve familjare, Mane Ibrahimi është e lënduar, kurse Xhevahire Bajramaj është martuar dhe nuk dihet a do t‘i bashkohet ekipit. Xheva Peshiq është e lënduar, Donjeta Çekaj edhe Shpresa Haxhosaj, pa pëlqimin tonë kanë shkuar në klubin ‘Jusuf Gërvalla’, por FHK-ja nuk i ka lejuar pa i kryer obligimet ndaj skuadrës tonë, kështu që janë të pezulluara. Kjo është gjendja që po ballafaqohemi me  dhjetë lojtare tona”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Alija.

Më tutje tregon se edhe për disa lojtare që nuk i kanë lejuar t’i bashkohen Shqiponjës për t’ju ndihmuar në garat evropiane. “Kur ia shtojmë edhe tri lojtare, që kemi arritur marrëveshje gojore, si me portieren  Njomza Kelmendi (Vushtrria), hendbollistet Shqipe Tahiri (Vushtrrisë) dhe Aida Stagova (Prishtina), të cilat në momentin e fundit nuk i kanë lëshuar klubet e tyre për të ardhur në Shqiponjë me na ndihmuar vetëm për garat ndërkombëtare”, tha ai. Alija shprehet se pasi të kthehen nga Plava do të mbahet mbledhja dhe do të analizojnë gjithë gjendjen që po kalojnë. “Për momentin si përforcim e kemi Kaltrina Pacën (Vushtrria), ndërsa tjerat nga ekipi i kadeteve kanë kaluar në ekipin e parë.

Sa i përket përforcimeve për garat evropiane do të shikojmë kur kthehem nga Plava. Do të shohim tri përforcime nga ekipet vendore vetëm për garat evropiane, ndërsa për kampionatin tonë nuk do të sjellim lojtare nga jashtë. Kemi pesë lojtare që mungojnë me arsye, ndërsa për ato që nuk kanë arsye nuk do të ketë tolerime”, thotë Alija. Megjithatë Shqiponja ka zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipen malazeze dhe triumfoi me një goldallim (26:25). “Kemi zhvilluar ndeshje provuese me Beranen, e kemi mundur me 26:25. Vashat tona kanë treguar angazhim të madh, një lojë shumë të mirë, që rrallë herë ndodhë në ndonjë ekip tonë të luajë me aq ritëm të lartë”, thotë Alija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat