Muqolli: Kaluam gjeorgjianët, tani sfida me nënkampionin e Norvegjisë

Hendboll

Muqolli: Kaluam gjeorgjianët, tani sfida me nënkampionin e Norvegjisë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 9 shtator 2018 Në ora: 21:53
Kh Besa FamGas

Besa FamGas nga Peja kaloi në rrethin e dytë të garave evropiane (Cup EHF) në hendboll (meshkujt), pasi që eliminoi skuadrën nga Gjeorgjia, B.S.B. Batumi. Pejanët në ndeshjen e kthimit fituan me rezultat 37:22, kurse të parën triumfuan me 30:20, që të dyja u luajtën në palestrën e sportit “Karagaçi” në Pejë.

Kampionin e Kosovës tani e pret një sfidë shumë e vështirë, kundër nënkampionit të Norvegjisë Drammen HK. Arben Muqolli me gjithë kualifikimin nuk është edhe aq i kënaqur me formën e lojtarëve të tij.

“Nuk e kemi pritur një dominim të tillë sidomos në takimin e parë ndaj një kampioni siç është ai nga Gjeorgjia dhe afër Rusisë, duke menduar se kanë hendboll më të mirë. Kemi mundur edhe më bindës se dhjetë gola të fitojmë ndeshjen e parë. Lojtarët nuk e dhanë edhe maksimumi, ndoshta edhe rezultati ishte i tillë që ndikoi që mos të japin tërë energjinë. Kemi pritur të na bëjnë më shumë ballë, por ashtu nuk ndodhi”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Muqolli.

“Besën ka lojtarë të rinj, tregoi mbrojtje shumë të mirë, por prapë nuk jam i kënaqur me lojën. Megjithatë jemi duke u përgatitur çdo ditë për edicionin e ri në Kosovë. Ka ekipe më të forta në ligën e Kosovës, por synimi ynë është të që kemi me shumë lojtarë të rinj e vendorë. Mendoj se Liga do të jetë më interesante në Kosovë sepse edhe skuadrat tjera janë përforcuar. Po shihet se Besa ka një ngritje por besoj se do të jemi edhe më mirë deri në fillimin e kampionatit në vendin tonë”, tha ai. Muqolli e sheh si sfidë të vështirë me Drammen HK, e cila zhvillohet me 6-7 tetor dhe ajo e kthimit me 13-14 tetor.

“Tash është pak problem sepse përballemi me nënkampionin e Norvegjisë, të cilët e kanë fituar Superkupën e Norvegjisë. Mendoj edhe udhëheqësia edhe sponsori FamGas me këta lojtarë të rinj do t’i futen sfidës me norvegjezët. Me marrë ndonjë lojtarë nga jashtë, prapë nuk do të jetë i sigurt kalimi i Drammen HK. Shpresoj se deri atëherë do të mobilizohemi dhe nuk mendoj të shkojmë me lojtarë të huaj sepse tash edhe tregu është më i varfër dhe vështirë me gjetur lojtarë cilësorë. Është nënkampion i Norvegjisë dhe shumë i fortë”, thotë Muqolli. Pejanët disa herë kanë kaluar rrethin e parë, por kësaj radhe do të hasin në rival të fortë në rrethin e dytë siç është Drammen HK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat