Ramadani: Ardhja e Gjermanisë në Kosovë është ngjarje historike

Hendboll

Ramadani: Ardhja e Gjermanisë në Kosovë është ngjarje historike

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 10:55
Pamje nga një ndeshje

Sot në ora 13:00 mbledhet Kombëtarja A e Kosovës në hendboll që do të zhvillojë ndeshjet e para në kuadër të grupit të parë të fazës së dytë kualifikuese për kampionatin evropian të vitit 2020. Kombëtarja jonë më 24 tetor luan si mysafir me Poloninë, kurse më 28 tetor e pret Gjermaninë në Prishtinë. Polonia e sidomos Gjermania janë superfuqi evropiane të hendbollit dhe para lojtarëve të Kosovës janë sfidat më të vështira të deritashme.
Kombëtarja fillimisht do të grumbullohet në Prishtinë, ndërsa nën urdhërat e përzgjedhësit Taip Ramadani do të jenë lojtarët e klubeve të Superligës. Lojtarët e klubeve të huaja bashkohen me kombëtaren në Turqi, ku udhëtohet më 20 tetor për dy ndeshje stërvitore ndaj kombëtares së Turqisë .
Përzgjedhësi Ramadani ka në plan fillimisht pesë seanca stërvitore, për të vazhduar punën aty ku ka mbetur. Për ndeshjet në Turqi, Ramadani planifikon të provohen disa variante taktike, si pjesë të përgatitjes së kombëtares për ndeshjen me Poloninë. Në Poloni kombëtarja udhëton direkt prej Turqisë. 
“Padyshim kjo do të jetë sfida më e madhe që e ka pasur kombëtarja jonë. Natyrisht se kjo na motivon si ekip. Me Poloninë njihemi pas takimit në janar dhe e dijmë çka na pret. Polakët kanë ekip fizik me pivotë të mirë dhe alo të shkëlqyeshme. Por Polonia është ekip me disa dobësi që duhet t’i shfrytëzojmë. Ndërsa ardhja e Gjermanisë në Kosovë është ngjarje historike për hendbollin e Kosovës. Karshi do ta kemi një ekip me kualitet të rrallë që gati në çdo pikëpamje është superior ndaj nesh. Por dashamrikët e sportit të Kosovës do t’i pret një shpirt luftarak me motivim të lartë, që t’i tregojmë aftësitë tona”, ka thënë Taip Ramadani në prag të nisjes së punës për ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji.
Ai ka folur edhe për mungesat dhe për lojtarët e ri, për pritjet prej tyre.
“Na mungojnë dy qendrat, kapiteni Valon Dedaj që ka pësuar një lëndim në gju dhe ende është në rehabilitim, dhe poashtu Vlerson Zherka. Poashtu dje është detyruar të tërhiqet udhëheqësi i mbrojtjes sonë, Bujar Ramosaj, pas një lëndimi të lehtë që pësoi në lojë kundër Zhegrës. Na mungon edhe portieri Flamur Gërbeshi që nuk ka pasur mundësi të bashkangjitet. Pra katër lojtarë kryesorë. Nga ana tjetër është një rast i shkëlqyeshëm për disa djemë të dëshmojnë aftësitë e tyre. Për herë të parë e kemi ftuar edhe Fidan Cimilin në rolin e qendrës. Cimili ka patur një start të mrekullueshëm këtë sezon me Dritën dhe shpresoj se mund të sjellë atë formë edhe në kombëtare”, ka thënë Ramadani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat