Hendbollistët e Kosovës fitojnë në mënyrë dramatike ndaj Gjeorgjisë dhe i afrohen titullit

Hendboll

Hendbollistët e Kosovës fitojnë në mënyrë dramatike ndaj Gjeorgjisë dhe i afrohen titullit

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 00:24
Kombëtarja U20

Kombëtarja U20 fiton dramën ndaj Gjeorgjisë dhe i afrohet titullit.

Kombëtarja U20 e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore të madhe të premten në garën IHF Trophy për Evropë që po mbahet në Prishtinë.

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Kosova U20 fitoi ndaj Gjeorgjisë me rezultat 22:21. Fundi i ndeshjes ishte shumë dramatik, ndërsa rreth 400 shikues ishin dëshmitarë të një paraqitje emocionale të Kosovës.

Dy minuta para fundit, kur rezultati ishte 22:21 në të mirë të Kosovës, kombëtarja jonë mbeti me një lojtar më pak. Më pas kur mbetën 14 sekonda deri në fund, Kosovës iu përjashtua edhe një lojtar tjetër dhe gjeorgjianët fituan penallti.

Por portieri Flakrim Beqiraj ishte fenomenal dhe ia mundësoi Kosovës fitoren e rëndësishme. Ai ndali penalltinë, duke bërë pritje me këmbë.

Topi shkoi në aut dhe gjeorgjianët goditën sërish në fund. Por prap Beqiraj intervenoi me sukses për të siguruar festën e madhe te Kosova. Lojtarët e ngritën lartë Beqirajn në shenjë mirënjohje për këtë fitore.

Për Kosovën ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje. Gjeorgjia pësoi humbjen e parë. Kosova e ndanë vendin e parë në tabelë me Moldavinë dhe ka bërë hap të rëndësishëm drejt titullit të kampionit.

Në dy ndeshjet tjera të luajtura të premten, Moldavia fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 33:21, kurse Irlanda e Malta luajtën 29:29.

Të shtunën janë ndeshjet: Gjeorgjia – Moldavia (14:00), Irlanda – Britania e Madhe (16:00), Malta – Kosova (18:00). Ndeshjet e fundit luhen të dielën.

Të shtunën janë edhe ndeshjet përfundimtare te U18, në palestrën 1 Tetori. Kosova luan ndaj Britanisë për vend të parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat