Disa nuk i besonin FHK-së

Hendboll

Disa nuk i besonin FHK-së

Nga: Kemajl Goca Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 18:10
Pamje nga ceremonia

Kritika janë të mirëseardhura në kohën e duhur dhe kur janë me vend, jo me inati apo për interesat e dikujt tjetër, që lutet natë e ditë të shoh vetëm zi. Lëvdatat janë shenjë domethënëse në kohën e duhur, kur e meriton dhe jo të ledhatosh shpinën e dikujt pa vend ose për interesa personale.

Disa nuk i besonin programit apo konceptit evropian të Federatës së Hendbollit të Kosovës, kur muajin tetor e shpalli muaj të hendbollit! Disa kishin kohë të qeshnin dhe të bien edhe kokërr shpine, kur FHK e shpalli tetorin muaj i hendbollit në Kosovë. Bile disa nuk përtonin ta quanin edhe si kalim i kufijve të çmendurisë.  Në Kosovë u organizuan dy gara me rëndësi IHF Trophy për Evropë për U18 dhe për U20. Federata e Hendbollit organizoi garat ndërkombëtare në kryeqytetin e Kosovës dhe mori lëvdate të mëdha, qoftë nga Federata e Hendbollit Ndërkombëtar, qoftë nga Federata e Hendbollit të Britanisë së Madhe dhe qoftë edhe nga Moldavia etj.

Një panoramë e mirë për shtetin tonë, sepse bota sportive na dha notën dhjetë për organizim e mikpritje dhe e panë se Kosova din dhe ka traditë të sportit, nuk janë ashtu pa traditë siç na paraqesin apo trumbeton Serbia shoveniste me këlyshët e saj.  E dyta, në shtetin tonë zbarkoi e luajti superfuqia botërore, Gjermania dhe e mundi Kosovën me rezultat 30:14, në ndeshjen e fazës së dytë kualifikuese për Euro 2020 (meshkujt) në konkurrencën e seniorëve. Gjermanët u mahnitën me organizim e mikëpritje.  FHK me presidentin e saj Eugen Saraçini dhe sekretarin e përgjithshëm Izet Gjinovci, me bashkëpunëtorë të tjerë, nuk lanë hapësirë veprimi për kritika për askënd sepse kryen detyrat e tyre me përpikëri. FHK, një kohë e shumë kritikuar, por kësaj radhe meriton notë 10-she, po ashtu mori komplimente nga shtetet e ndryshme dhe kjo ia zbardh fytyrën Kosovës.

FHK, ka një mijë arsye që të mburret, jo që Kosova U18 dhe U20 fituan turneun, por për organizim ia mbyllën gojën dikujt që shpresonte në ndonjë dështim dhe të qeshet me ta. Organizimet e tilla në secilën sport na bënë për të menduar për investime më të mëdha, sidomos edhe botën ta bindim se Kosova meriton respektin më të madh. Kjo rini meriton trajtim më ndryshe dhe nuk duhet lënë pas dore. Edhe Federata e Basketbollit e Kosovës me organizimin e saj ka lënë mbresa të forta para pak muajve me grupmoshat e reja dhe kjo dëshmon se Kosova si shtet, si njerëz që ka brenda institucioneve, ka njerëz që dinë, kanë kulturë profesionale dhe din të ecin përpara, po ashtu me organizim ia kalojnë shumë shteteve që kanë traditë 100-vjeçare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat