Afërdita në Prishtinë

Historia

Afërdita në Prishtinë

Nga: Haris Dukagjini Më: 24 janar 2022 Në ora: 12:01
Afërdita Zatriqi

Qyteti i Prishtinës kishte e ka vajza e djem të bukur. Por, në vitet 1968-69, e bukura shihej dhe vlerësohej me sy tjetër. Megjithatë, e bukura ishte e bukur edhe atëhere. Në ato vite, për here të parë, në Prishtinë dikush mori guximin për të organizuar konkursin e bukurisë, për vajza. U zgjodh dhe shpall vajza më e bukur e Prishtinës, apo Miss Prishtina siç do të thonim sot. Po pasi Kosova nuk kishte ndonjë konkurs tjetër të bukurisë, bukuroshja e Prishtinës, ishte edhe bukuroshe e Kosovës.

Siç dihet në ato vite, nuk kishte internet, televizion, nuk kishte shumë as telefona, “paparazzi”, e as fotografë të bukurisë. Prandaj u deshën të kalojnë disa ditë për t'u përhapur lajmi, se cila ishte më e bukura shqiptare e qytetit.

Ajo ishte Afërdita Zatriqi nga Prishtina, në atë kohë studente. Kjo ishte vajza që theu akullin dhe hyri në një konkurs, ku rrallë vajzat shqiptare kishin hyrë. E fitorja e Afërditës, ishte fitore e vajzës shqiptare, shenjë e zgjimit, emancipimit e afirmimit të saj, atje ku më herët e kishin diskriminuar. Një Afërditë tjeter të cilën e njihnim nga romani me këtë emër, tanimë na kishte hyrë në zemër, dhe ishte bërë simbol i femrës së shkollur, mësueses së dashur, idolit të rinisë së asaje kohë. Ajo ishte Afërdita në fshat. Kjo, ishte një Afërditë në qytet. Tani në qytetin e Prishtinës u shfaq një Afërditë e vërtetë, që sikur doli nga romani i Sterjo Spases, për të na dëshmuar se Afërdita është jo vetëm imagjinatë e shkrimtarit, por edhe vajzë e ditëve tona. Femër elegante, e bukur dhe inteligjente. Duke fituar titullin bukuroshe e Prishtinës, ajo u bë simbol i bukurisë në një kohë kur shqiptarët gëzonin fare pak gjëra të bukura. Afërdita Zatriqi, fitoi jo vetëm konkursin e bukurisë, por edhe luftën kundër disa paragjykimeve të gabuara për femrën shqiptare. Ata që në atë kohë i përçmomin shqiptarët, pyetën veten; Edhe shqiptarët paskan bukuroshe?

Afërdita e Prishtinës, jo vetëm ishte e bukur, por edhe studente e shkëlqyr dhe aktiviste e rinisë së atyre viteve. Në jurinë vlerësuese të këtij konkursi të bukurisë, ishte edhe gazetari i ri (në atë kohë), Ramiz Kelmendi, i cili punonte për revistën më të lexuar shqiptare në Kosovë, “Zëri i Rinisë”. Ishte më e lexuara, sepse ishte e vetmja! Fytyra e Afërditës, pastaj na u shfaq në ato pak gazeta që kishim në atë kohë, dhe për shumë vite, Afërdita na shikonte nga faqja e parë e “Zërit” (ngjitur në mur), në dhomat tona studentore. Meshkujt ëndërronin të jenë sa më afër Ditës, kurse femrat ëndërronin të jenë - Afërdita. Asnjëhere më parë, shtypi shqiptar i kohës nuk kishte shkruar për bukurinë e vajzës shqiptare. Sistemi komunist, në heshtje i konsideronte “trajtim borgjez”, shkrimet për bukuroshet, ndaj gazetarët shkruanin vetëm për bukuroshet e huaja - të “importuara”.

Afërdita Zatriqi, bukuroshja e Prishtinës, mbeti e bukur edhe në jetë, në punë e në familje. Për ta dëshmuar bukurinë e saj, ajo nuk pati nëvojë të zhvishej, siç bëjnë disa vajza sot, por as të mbulohej, siç bëjnë disa të tjera. Ajo inspiroi vajzat tjera shqiptare, jo vetëm me bukurinë e jashtme, por edhe me atë të brendshme - njerëzore. Ajo i bëri edhe vajzat e izoluara te kohës, të ndihen të bukura, të ndihen të lira, dhe të mos frikohen nga bukuria e tyre, mësim ky që mund të na sherbejë edhe në ditët e sotme.

Inspiruar nga kjo, e disa ngjarje tjera, në ato vite në Kosove u shfaqën shumë Afërdita. Filloi një uragan social e kulturor. Shpërtheu aksioni për shkollimin e vajzave të mbyllura the te izoluara shqiptare. Me mija vajza të cilave prindërit ua kishin ndërprerë shkollimin, ikën nga shtëpitë, për t' u shkolluar. Ato u pranuan dhe strehuan nëpër shtëpi të studentëve (“konvikte”), e shkolla anë e mbanë Kosovës, me shpenzime të mbuluara, që të realizojnë ëndrrën e tyre. Ishte ky aksioni më i madh në historinë e shkollimit të femrës në Kosovë. Një revolucion në arsim. Disa u dalluan me pamjen, disa me guximin, të tjerat me talentin e sukseset e tyre. Ato vite, nënat e gjyshet e tyre, sapo hoqën masovikisht “ferexhet”, që ishte një aksion tjetër i organizuar, për çlirimin e femrës shqiptare nga diskriminimi patriarkal. Fatkeqësisht, sot, kur disa gjëra po shkojnë në drejtim të kundërt, askush nuk i përmend këto dy aksionë të rëndësishme të viteve të 70-a. Ajo kohë lindi shumë Afërdita.

E kujtuam Afërdita Zatriqin, jo vetëm pse ishte bukuroshja e parë e Prishtinës, por pse theu rregulla të shëmtuara të kohëve, kur femra mund të dallohej për çdo gjë, por jo për bukuri.

Fatkeqësisht, vdekja e ndau herët nga jeta, nga familja dhe nga Prishtina. Ajo vdiq, por bukuria dhe edukata e saj mbeti në jetën e shumë Afërditave të sotme. Atyre Afërditave të cilat akoma luftojnë për të ndryshuar mënyrën se si trajtohen, apo shihen shtrembër nga të tjerët. Afërdita letrare e cila luftoi zymtësinë. Afërdita e Prishtinës lartësoi bukurinë. Ajo me pamjen, kulturën e sharmin e saj, grushtoi ata që femrën shqiptare donin ta mbyllin në mesjetë. Të tillë kemi edhe sot.

Si duket, kombit tonë gjithnjë i nevojiten Afërdita, në fshat dhe në qytet...për t'i ndërruar orët e ndryshkura dhe orët pa numra. Por edhe për t'ua vënë në rend hapin atyre që shpejtojnë e dalin jashtë kohës. Kjo ishte aresyeja pse e kujtuam Afërditën e Prishtinës./“Albumi Akordet e Kosovës”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat