Historia e hershme e Izraelit!

Historia

Historia e hershme e Izraelit!

Nga: Sali Kabashi Më: 15 tetor 2023 Në ora: 16:56
Autori Sali Kabashi

Pavarësisht se cilën periudhë të historisë hulumtojmë, na duhen burime historike, qoftë materiale, të shkruara apo gojore, ndërsa për historinë e hershme të Izraelit, na duhet Tora/Tevrati apo Bibla hebraike! Kjo, ngase historia e hershme e Izraelit bazohet vetëm në këtë burim, në Tora apo Biblën hebraike!

Sipas Toras, pasardhësit e Abrahamit apo Ibrahimit, u skllavëruan nga Egjipti për qindra vite, derisa pastaj të lirohen dhe të vendoseshin në Kanaan, vend i cili është përafërsisht rajoni ku sot shtrihet shteti i Izraelit!

Fjala Izrael, gjithmonë sipas Biblës hebraike, vjen nga Jakobi, djali i Abrahamit apo Ibrahimit, i cili u riemrua si Izrael nga perëndia hebraike, Jehovai, i cili është një hyjni që lidhet me rajonet Seir, Edom, Sinai, Paran dhe Teman!

Mbreti David, që sipas fesë Islame është Profeti Davud, sundoi rajonin rreth vitit 1000 p.e.s., pastaj djali i tij, i cili u bë Mbreti Solomon, po ashtu njihet edhe si Profeti Sulejman, sipas Biblës hebraike vlerësohet me ndërtimin e tempullit të parë të shenjtë në Jerusalemin e lashtë, ndryshe i quajtur edhe si Tempulli i Solomonit. Rreth vitit 931 p.e.s., zona u nda në dy mbretëri: Izraeli në veri dhe Juda në jug.

Por, le të flasim për popullin izraelit dhe rrugëtimin e tyre drejt Kanaanit!

Për fillim duhet pasur parasysh se të gjitha faktet dhe provat e grumbulluara duke filluar nga ajo bërthamë e të gjithave, që është Tora, thonë se izraelitët në Kanaan hynë nga shkretëtira, duke sugjeruar faktin se ata nuk ishin nga aty! Ky popull i ndarë në disa fise, endeshin nëpër shkretëtirë derisa hynë në Kanaan nga lindja dhe jugu i vendit! Si emërtim i përshtatshëm për ta është thënë se ishin gjysmë-nomad, që endeshin nëpër shkretëtirë duke marrë me vete edhe bagëti të ndryshme, duke qëndruar herë pas here në fusha afër Kanaanit!

Izraelitët, që nga egjiptianët e lashtë u quajten si Shasu, u vendosën në Egjipt rreth periudhës së Mbretërisë së Re, apo afërsisht në periudhën e mbretërimit të Ramses II! Andaj brenda asnjë periudhe të shkurtër ata u bënë skllevër të egjiptianëve në Delta.

Një tekst shumë i vyer egjiptian që ruhet në Gjermani, flet për fitoret e Faraonit Merneptah ndaj popujve të Kanaanit, të cilëve iu referohet si tokë e huaj, e përbërë nga entitete të mëdha si Hatti dhe Kanaan dhe më të vogla si Ashqelon, Gezer dhe Yano‘am. Këtu përjashtohet Izraeli, mirëpo paraqitet përmes disa shenjave që tregojnë për njerëz, veçori e cila tregon se izraelitët në atë kohë që i referohet mbishkrimi, ishin njerëz pa tokë! Të gjithë studiuesit që janë marrë me elaborimin e këtij shkrimi, kanë ardhë në përfundim se kjo i referohet izraelitëve gjatë kohës së bredhjes së tyre për kohë të gjatë, pra, pas ekspdit nga Egjipti, që u përmend më lartë.

Një kërcënim për Egjiptin gjatë kësaj periudhe u paraqit edhe nga sulmet e Filistinëve dhe Popujve të Detit, mirëpo egjiptianët i zmbrapsen sulmet e tyre duke mos lejuar pushtimin! Pas kësaj, Filistinët dhe Popujt e Detit u nisën drejtë brigjeve të Kanaanit në vitin 1175 p.e.s.. Në këtë mënyrë, ata u vendosen atje para se të mbërrinin izraelitët, për të cilët, burimet shkencore arkeologjike sugjerojnë se në Kanaan kishin mbërritur diku gjysmë shekulli pas Filistinëve!

Burimi i vetëm i cili e përshkruan udhëtimin e izraelitëve nëpër shkretëtirë, mbetet Tevrati apo Tora! Megjithatë, tabloja e përgjithshme e kësaj bredhjeje konsiderohet si e besueshme, ku përshkrimi i udhëtimit të tyre përshkruhet duke u endur sa në një vend në tjetrin, me kopetë e tyre të bagëtive, merreshin me bujqësi sezonale, kishin raporte të mira me popujt e tjerë të shkretëtirës dhe në vendet ku vendoseshin përkohësisht, ndërtonin një faltore-tendë tipike për nomadët! Ndër ushqimet e tyre kryesore ishin manat, një frut që ende përdoret nga nomadët e shkretëtirës! Mbjelljet e para bujqësore të këtij grupi nomad apo gjysmë-nonadë ishin në lindje të lumit Jordan, pastaj një pjesë më të madhe të tokës mbjellën në perëndim të Jordanit!

Sipas besimeve hebraike, Jeruzalemi ishte i korporuar si qytet i izraelitëve nga mbreti David rreth vitit 1000 p.e.s.. Sipas Toras hebraike, qyteti nuk ishte shkatërruar ndërsa njerëzit që gjendeshin në Jeruzalem ishin bërë pjesë e kombit izraelit!

 Ndër fiset kryesore dhe kyçe izraelite, është fisi Dan! Gjatë sulmit të Egjiptit që i kishin bërë Filistinët dhe Popujt e Detit gjatë Ramsesit III, bashkë me ta ishte edhe një grup i quajtur Danuna! Siç u përmend më lartë, kur Filistinët dhe Popujt e Detit u zbrapsen nga Egjipti, u detyruan të gjenin një shtëpi të re në bregun e Kanaanit! Kështu që Filistinët u vendosën në bregun jugor të Kanaanit, ndërsa në anën tjetër një grup i quajtur Tjekeri u vendosën në Dor. Si përfundim i kësaj është se Dani e ka prejardhjen nga Popujt e Detit, grupi Danua që arriti në Kanaan nga deti, grupet izraelite më vonë kishin mbërrirë përmes rrugëve tokësore.

Me kalimin e kohës, Filistinët u bënë armiku kryesor i izraelitëve, ndërsa interesante është fakti se danitët vendosen ti bashkohen koalicionit me izraelitët. Nuk mund të përcaktohet fakti se pse Dan iu bashkua izraelitëve kundër Filostinëve, ndonëse më herët ishin bashkë me këta të fundit!

Sipas fakteve në dispozicion, ai që do të njihet më vonë si kombi i Izraelit, ishte një grup i shkretëtirës, i cili nga egjiptianët e lashtë klasifikohej si Shasua, të cilët pas përvojave të shumta në shkretëtirë dhe një periudhe banimi në Egjipt, u dorëzuan nga ky stil i jetesës duke bredhur nëpër shkretëtirë dhe u vendosën në malin e Kanaanit! Atje atyre iu bashkuan grupe të tjera për të krijuar kombin që Tora apo Bibla hebraike portretizon. Mes këtyre grupeve përveç Dan që vinte nga deti, iu bashkua edhe grupi Asheri që jetonte përherë në Kanaan.

Megjithatë, sot kombi izraelit ka krijuar një epos kombëtar ku portretizon peripecitë e kombit të tyre se kinse i gjithë populli kishte kaluar të njëjtën rrugë dhe kishte përjetuar të njëjtën histori, duke filluar nga bredhia nëpër shkretëtirë, banimet nomade, skllavërimin në Egjipt, eksodin nga Egjipti dhe hyrjen në Kanaan.

Gjë e cila nuk pranohet si e vërtetë, të paktën, jo nga historia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat