28 nëntori dita e flamurit fatlum të Gjergj Kastriotit - çlirimtarit të Arbërisë

Historia

28 nëntori dita e flamurit fatlum të Gjergj Kastriotit - çlirimtarit të Arbërisë

Nga: Gjon Keka Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 18:02
Autori Gjon Keka

Pjesa e parë e jetës dhe e veprave të Gjergj Kastriotit nis që nga lindja e tij marrja pengë e deri te hapi vendimtar i rikthimit në Arbëri. Ndërsa nga hapi vendimtar i rikthimit të tij e deri në vitin 1448 mund të konsiderohet pjesa e dytë, dhe nga ky vit e deri në vdekje të tij në vitin 1468 pjesa e fundit.

Secila pjesë e jetës dhe veprës së tij është e mbështjell me plotë lavdi. Duke qenë tani në nëntorin e bekuar arbëror ,këtu do të përmbledh në pika të shkurtëra disa karakteristika të rëndësishme të kësaj epoke, të kësaj pjese të ndritshme të Lirisë së Arbërisë dhe nxjerrjes së saj nga skllavëria.

Pavarësisht favoreve dhe posteve që kishte në oborrin e sulltanit,Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) nuk mund të harronte kurrë se ishte arbëror dhe biri i një mbreti Arbëror dikur i lirë dhe i pavarur,prandaj urrejtja kundër armikut otoman dhe atdhedashuria për Arbërinë digjej brenda tij.Ato bukuri arbërore që vetëm natyra apo Zoti di t'i bekojë kombet me dhurata të tilla,alpet që gati arrijnë qijet, dhe natyra e bukurë me pasuri nëntokësore e mbitokësore , e mbi të gjitha frymëmarrja arbërore e paraardhësve ishte thellë në zemrën dhe kujtesën e tij e mbi të gjitha në gjakun e tij prej arbërori të pastër.

Image
Libri kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Që nga ajo kohë ai u përpoq të merrte në dorë fatin e Arbërisë dhe ta bënte atë të lirë e të pavarur. Ai e fshehu me kujdes planin e tij dhe priti një rast të mirë për ta realizuar. "Në të njëjtën kohë," sikur edhe shkruan Barleti, ai ishte vazhdimisht vigjilent për jetën e tij, sepse e dinte se donin ta hiqnin fshehurazi.“

Kështu momenti duket se kishte ardhur tek ai për të realizuar planin e tij.Më 3 nëntor të vitit 1443 gjatë betejës e cila u zhvillua diku në afërsi të Nishit ai e shfrytëzoi mundësin që ta braktis ushtrinë e Sulltanit dhe sëbashku me 300 arbëror të tij marshuan drejt Arbërisë.

Fama e veprave të tij i kishte paraprirë dhe bashkatdhetarët e prisnin me shpresë dhe besim. Imazhi i Arbërisë, megjithatë, varej nga ai dhe i kështjellës kryesore të Krujës; dhe se ky qytet i fortë dhe i ruajtur mirë mund të vinte në duart e tij vetëm me urtësi e strategji.Nga kjo ditë e tutje Gjergj Kastrioti u bë armiku më i frikshëm i Perandorisë otomane. Lavdia e tij, shkëlqimi i të cilit bëhej më i shndritshëm me çdo vepër heroike, dashuria e popullit,e trupave dhe favori i madh që gëzonte krahas Sulltanit, nxitën xhelozinë e të gjithëve.

Por, Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) pasi u largua pak nga fusha e betejës, u fsheh në krahun e djathtë, prej të cilit shikonte lehtësisht gjithçka që po ndodhte. Dhe pasi pa që trupat e sulltanit u mundën nga pala tjetër, ai u kthye në kampin e tyre dhe e kapi sekretarin e Pashait, të cilin gjatë gjithë kohës së komplotit nuk e kishte humbur nga sytë. Në atë kohë ishte zakon të mbahej vula e Sulltanit nga Pasha, pasi urdhrat e tyre ishin vulosur, ekzekutuar me të njëjtën shpejtësi dhe saktësi, sikur të ishin lëshuar drejtpërdrejt nga froni perandorak; dhe kështu atyre iu besuan sekretet, ashtu që ata t'i vulosnin letrat e caktuara. Gjergj Kastrioti e detyroi atë t'i shkruante një dekret guvernatorit të Krujës, sikur kjo po dërgohej në emër të Pashait, si më poshtë:

“Të krishterët morën një fitore të plotë kundër trupave tona; por duke u frikësuar se mos, duke përfituar nga kjo arratisje e suksesshme e anijeve të tyre, ata mund të përparonin deri në Arbëri dhe ta nënshtronin atë, vendosa t'ia besoja mbrojtjen e këtij vendi Skënderbeut. Ai dukej se ishte i vetmi i aftë për ta ruajtur atë. Prandaj ju urdhëroj që t'i dorëzoni atij pa përjashtim qeverinë e kësaj krahine në bazë të këtij urdhëri menjëherë[...]“

Të gjithë qytetarët,fshatarët dhe ata që banonin në afërsi, pasi kishin mësuar ardhjen e tij u gëzuan pamasë dhe derdhën lotë gëzimi.Në fakt ishte vështirë e përshkrueshme jehona e gëzimit të popullit të tij arbëror, i cili më në fund pa udhëheqësin e tij të vërtetë dhe legjitim. Atëherë Gjergj Kastrioti i urdhëroi të gjithë banorët të armatoseshin fshehurazi dhe në heshtje; më pas, pasi mblodhi një batalion kalorësish të zgjedhur, i dërgoi në Krujë, duke i urdhëruar që të fshiheshin në një pyll afër atij qyteti dhe të ishin gati që në fillim nga pika aty për të vrapuar në ndihmë të tij për të shkatërruar garnizonin otoman të qytetit. Duke e ndjerë se sa e çmuar ishte koha dhe se një moment vonese mund t'i përmbyste të gjitha qëllimet e tij dhe planin e tij, ai u kujdes të rregullonte gjithçka sa më shpejt që të ishte e mundur dhe nxitoi të shkonte në Krujë. Pasi mbërriti afër qytetit, ai dërgoi ushtarë tjerë për të njoftuar garnizonin për mbërritjen e tij dhe për t'i treguar atij urdhrat me të cilat ishte dhënë nga Pasha.

Guvernatori pa pasur as dyshimin më të vogël për qëllimet e fshehta të Gjergj Kastriotit(Skënderbeut), u përgatit të bindej me dëshirë dhe për këtë arsye dërgoi oficerët e lartë të gardës për t'i paraprirë Princit. Gjergj Kastrioti ishte në kulmin e gëzimit, kur po përparonte në qytet, kaloi nëpër brohoritjet e popullit dhe veçanërisht të ushtarëve të gardës otomane, të cilët kishin mësuar për famën,butësinë, lirinë dhe virtytet heroike të tij. Pleqtë arbëror që e kishin parë që në fëmijëri,vrapuan ta takonin dhe kur e panë derdhën lot nga gëzimi i tepërt. Shumë prej tyre e kuptuan qëllimin e tij, por, nga frika se mos bënin dyshime, nuk guxuan të tregonin as shenjën më të vogël të mendimeve të tyre dhe ishin të lumtur të ruanin gëzimin e tyre të fshehur në thellësi të zemrave të tyre. Pas kësaj,ai i ftoi krerët e qyteteve e fshatrave privatisht, u zbuloi qëllimin e tij dhe i urdhëroi që të kishin gjithë vëmendjen dhe kujdesin e veçantë. Rreth mesnatës ai u dërgoi fjalë kalorësve, të cilët ishin fshehur në pyll, të hynin në qytet.

Gardiani i cili donte të bënte pak rezistencë,e kapi paniku dhe u dorëzua dhe pasi u pastrua i gjithë vendi nga armiqët e jashtëm dhe të brendshëm,ndërsa një pjesë iu bashkuan atij dhe dëshironin të rreshtoheshin nën flamurin e Princit arbëror.

Megjithatë, ai nuk kishte më nevojë të përdorte mjetet e forcës sepse të gjithë arbërorët tanimë i kishin rrokë armët,siç dihet ata e adhuronin Gjergjin e Madh dhe ishin gati të sakrifikonin gjithçka në mbrojtje të tij. Secili nga qytetarët thoshte me vete: “Ne i detyrohemi këtij Princi, i cili, për të na rikthyer në lirinë tonë të mëparshme, vendosi t'i nënshtrohej rreziqeve shumë të mëdha?“

Fjalët për ardhjen e tij u përhapën gjithandej,prandaj lajmi i mbërritjes së tij në Arbëri, ndezi shpirtrat e banorëve dhe u bë frymëzimi i tyre, dhe guximi sa i luteshin qiellit për ardhjen e tij. Por edhe fqinjtë u gëzuan nga ardhja e papritur e këtij heroi arbëror, i dërguan atij një shumë të caktuar ndihme si në trupa dhe të tjera dhe pas pak ai u gjend në krye të një ushtrie të aftë për t'i rezistuar ushtrisë së sulltan Muratit

Kështu më pas u bë edhe ceremonia e ngritjes dhe shpalosjes së flamurit arbëror shqiponjës dykrenare në sfdondin e kuq dhe me yllin e tij më 28 nëntor 1443.

Ngritja e flamurit dhe shpallja e Arbërisë së pavarur në krye të së cilës ishte Gjergj Kastriori i cili nga populli u pranua dhe u quajt Mbret dhe i Madh u përshkrua nga gëzimi i madh që dilte nga zemra e secilit arbëror të vegjël e të mëdhenjë.

Pastaj,para të pranishmëve Gjergj Kastrioti foli kështu:

“Ju arbërorët e mi trima e fisnik! zelli dhe bindja vetëm ndaj udhëheqësit tuaj dhe dëshira për të marrë përsipër lirinë në duar tuaja, nuk më kanë habitur aspak ,sepse e kam të njohur si guximin ashtu edhe dashurinë tuaj për Atin tim të bekuar, të cilin e ruaj në kujtesën time të pashlyeshme.

Unë kam pasur gjithmonë një dëshirë të zjarrtë për t'u kthyer në mesin tuaj dhe për t'ju shërbyer si babai dhe mbrojtësi i juaj kundër tiranit, që ju torturon. Dhe kur lutjeve tuaja për ndërmjetësim, që më bënit shpesh për t'u kthyer në vendin tim, unë nuk iu përgjigja por me heshtje të thellë, ndërsa ju me siguri menduat se ju kisha harruar dhe se po sakrifikoja me përulësi nderin tim dhe detyrën time ndaja atdheut,por ta dini se kjo heshtje e imja erdhi nga frika se nëpërmjet ngulmimit të qëllimshëm, tirani mund të më pengonte të realizoja qëllimin tim.

Gjithashtu o arbëror të mi ta dini se nuk kam kaluar asnjë çast pa menduar për të jetuar dhe për t'u kujdesur për ju, siç e di Zoti zemërdashës.

Më lejoni (o arbërorë të mi,t'ju vë një emër të tillë, që shpreh dhe shpjegon kujdesin dhe dashurinë time për ju) fëmijët e mi, unë them, puna jonë tashmë ka filluar, edhe ne duhet t'i japim fund; duhet t'i dëbojmë turqit nga të gjitha qytetet e Arbërisë që ata ende i sundojnë, dhe të bëjmë luftën kundër këtij armiku me guxim e zemër; Zoti i luftërave do të na vijë në ndihmë, sepse lëvizja jonë është gjithmonë e drejtë. Ne nuk jemi si rebelët dhe apostatët, të cilët zbresin të nënshtruar ndaj sovranit të tyre, por njerëz të lirë, të cilët të nënshtruar nga një pushtet superior në mënyrë dinastike dhe të paligjshme i cili ia kishte vënë zgjedhën e skllavërisë këtij vendi[...]

Lirinë munt ta kishit fituar me trimërinë tuaj dhe me një tjetër çlirimtar, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat të tillë, por ju pëlqeu ta prisni nga dora ime, ndonëse vonë, se kështu ndofta deshi vetë i Madhi Zot. Se është me të vërtetë çudi, që trima kryelartë, të rritur në liri, duruat kaqë kohë roberinë e tiranit, duke pritur të më shikoni një ditë në krye tuaj. Po vallë, a e meritojë këtë titull të bukur të Çlironjësit që kini mirësinë të më jipni?

Lirinë nuk ua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj.Posa shkeli këmba im këtu, rëntë të gjithë, më duarë përpara kush e kush më shpejt, sikur të ishin ngritur nga varret etërit, vëllezërit dhe bijtë tuaj, sikur të kish zbritur nga qielli vetë Zoti. Më pritët me aq dashuri e gëzim, më sollët aq shërbime të çmuara e pa numër, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj se sa unë të lirë ju. Këtë mbretëri e këtë qytet nuk ju a dhashë unë, po ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahëror, në ball, në shpatë, e në ushtar; si gardianë besnikë, të emëruar prej tim Ati, ju ma vutë mbi krye këtë kurorë, ju ma dhatë në dorë këtë shpatë, ju më bëtë zot të kësaj mbretërie, të cilën ma ruajtët me aq besë, me aq kujdes e me aq mundime. Më ndiqni tani, me ndihmën e Zotit ta çlirojmë tërë Arbërinë[...] Ngrihni pra flamurin përpara dhe rrëfehuni si nga hera.Zoti si gjerë tani, ashtu edhe paskëtej do të na ndihmojë e do të na nxjerrë faqebardhë[...]“

Kryezoti dhe mbreti Gjergj Kastrioti i përkiste kohës, racës iliro-arbërore dhe vendit të tij.Ai përdori shumë momente të rralla paqeje për të udhëtuar nëpër territorin e tij për t'i dhënë nëse ishte e mundur ndihmë, ose të paktën ngushëllim, për çdo fshat dhe çdo familje arbërore që kishte vuajtur nga lufta. Ai nuk mbajti asgjë për vete nga plaçka që kishte bërë nga mbetjet e luftës me armikun; Ai ua dha një pjesë kishave ose aleatëve të tij dhe pjesën tjetër ua shpërndau shokëve të tij.

Rregulli që Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) ushtroi gjatë gjithë jetës së tij mbi një popull që e kundërshtonte çdo disiplinë dhe sakrificat që ai mundi t'i impononte vendit të tij pa e bërë të pabindur, janë dëshmi e mjaftueshme se sa diti të fitonte zemrat e bashkatdhetarëve të tij,popullit të tij, qytetarëve të tij arbëror.

Megjithatë, në ndërkohë, ishin mbi të gjitha sukseset e tij të vazhdueshme ushtarake që i dhanë atij reputacion të madh. Brenda dy muajsh ai kishte pastruar të gjithë territorin e të parëve të tij nga turqit; Por nuk i mjaftoi kjo dhe ai besonte se nuk kishte bërë asgjë derisa të çlironte mbarë popullin arbëror. Në fund ai thirri të gjithë princat dhe burrat e mëdhenj nga e gjithë Iliria arbërore në një Kuvend në qytetin e Lezhës(2 Mars 1444).Ai u zgjodh unanimisht si komandant kombëtar dhe të gjithë u zotuan me besnikëri të sinqertë për të mbështetur planet e tij në dobi të kombit dhe besimit të tyre me pasuri dhe gjak dhe për t'i siguruar atij 200.000 dukatë çdo vit për qëllime mbrojtëse.“Në këtë koalicion shumëkrenësh arbëror, vetëm Gjergj Kastrioti në krye të kuvendi ishte në gjendje të fuste një shtysë për veprim kolektiv, të shtypte interesat private të anëtarëve individualë të aleancës, të pajtonte antipatitë e ndërsjella dhe të ruante ngrohtësinë dhe entuziazmin e fillimit në kulmin e saj për 25 vite.Ky art i rrallë flet më fort për madhështinë e këtij njeriu të madh sesa fitoret e tij brilante.”

Në fakt sikur edhe shihet,bekim i madh është kur bashkohen iliro-arbërorët në folën e tyre, sikur më parë u bashkuan në folen e tyre shqiponjat e Aleksandrit të Madh, Pirros dhe të Gjergj Kastriotit(Skënderbeut).

Që tani e deri në vdekje, Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) e ruajti pavarësinë e tij, lavdishëm, mrekullisht, kundër pushtetit të dy sulltanëve tiran.Triumfet e vazhdueshme të Gjergj Kastriotit i mbushën me tmerr ushtarët otoman; ata e shihnin Gjergjin e Madh si një qenie të mbinatyrshme dhe kjo magji ia dyfishoi fuqinë.Ai e dinte këtë dhe donte ta ruante këtë mendim që të konsiderohej i pathyeshëm nga ushtarët dhe armiqtë e tij.Nuk lejoi asnjëherë të jepej sinjali për t'u tërhequr përballë armikut, ai duhej të luftonte në një pozicion të pafavorshëm me një armik që ishte më i shumtë në numër, ai hidhej në betëjë përpara të gjithë të tjerëve, duke treguar mrekullitë e shpatës së tij të famshme duke korrë fitore,dhe rezultati i guximit të tij ishte që ai u përshëndet gjithmonë si fitimtar.

Ai vërtet u mbështet në veprat e tij mahnitëse nga gjendja dhe natyra e vendit të tij, nga shpirti luftarak i popullit të tij dhe nga mbështetja që mori herë pas herë nga Raguza,Venediku,Napoli,Hungaria,Papët etj.Por, sikurse fakti që ai mori një mbështetje të tillë flet për mendimin që kishte, dëshmon edhe për forcën e tij, të mendjes se ai dinte t'i përdorte kaq shpejt rrethanat që mund t'i shërbenin atij. Sa herë që armiqtë afroheshin, ai dërgonte gra, fëmijë dhe pleq në vende më të sigurta ,në ishujt e afërt, me gjithë ushqimin dhe furnizimet e jetës silleshin në vendet e fortifikuara dhe me sinjale zjarri i njoftonte trupat e tij se ku duhej të shkonin. Pastaj shpërthente papritur nga grykat e maleve dhe pyjeve, duke befasuar, lodhur ose shkatërruar armikun. Ai vetë shkëlqeu përpara luftëtarëve të tij me guximin në rrezik, me shpejtësinë në vendimmarrje, me këmbënguljen në ekzekutim. Ai nuk iu shmang kurrë furisë më të madhe të betejës; thuhet se ka vrarë dy deri në tre mijë otoman me grushtin e tij dhe se ka ndarë disa herë kundërshtarin e tij me goditjet e tij të fuqishme. Kur një herë hyri në kampin e sulltan Muratit, rrjedha e betejës e kishte çuar shumë larg ushtrisë së tij, në mes të armikut; Gjeneralin e tij Moisiun tashmë e kishte humbur, por ai dhe ata pak që e kishin ndjekur, luftuan kundër ushtrisë së sulltanit dhe u kthyen të lumtur te populli i tij arbëror.

Por, ai nuk shikonte se çfarë feje kishte armiku, nëse ai përbënte rrezik për atdheun e tij, apo e tradhëtonte duke prishur planet e tij fisnike dhe qëllimmira kudnër armikut otoman ai menjëherë i shkatërronte ata.Sipas dëshmive të historianëve të ndryshëm,kur Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) mori lajmin e hidhur për shkatërrimin e forcave të Huniadit dhe pengesën që ia bëri despoti serb, u tërbua si luani kundër këtij despoti i cili e pengoi me kokëfortësi lejimin e tij për t'iu bashkuar Huniadit. Ushtarët e tij arbëror, të inkurajuar nga zemërimi i prijësit të tyre arbëror,mundën batalionet serbe dhe shkatërruan tërësisht krahinën e despotit serb. Në mes të ushtrisë së shpëtuar të Huniadit arriti ai, të cilin e mblodhëm me të gjithë ndihmën e mundshme, të cilën ai mund të shpresonte me një zemër të guximshme dhe dashamirës, dhe ia siguroi të gjitha mjetet për t'u kthyer të sigurt në vendlindjen e tyre. Pas shkatërrimit të despotit serb dhe marrjes së plaçkës së tij, ai u kthye me ushtrinë e tij në Arbëri si fitimtar,por i mërzitur që nuk arriti t'i ndihmonte forcave të Huniadit.Poashtu ai u tregua edhe ndaj Venedikut të cilin e luftoi derisa e lodhi dhe e detyroi që Venediku t'ia jepte titullin e Nobilit fisnik dhe ta pranonte si komandant të përgjithshëm edhe në territore ku kishte administrim Venediku në atë kohë etj etj.Ndërkaq në anën tjetër guximi i Gjergjit tonë të Madh ia doli shumë shpejt të çlironte aleatin e tij mbretin Ferrant të Napolit,sepse ai nuk e harronte ndihmën që ia kishin dhënë të tjerët dhe nëse e lypte nevoja ai ishte i gatshëm për ndihmën ndaj tyre.

Gjergj Kastrioti(Skënderbeu), ishte një emër që mbushte me frikë çdo armik, por ai ishte edhe miqësor dhe i dashur për të gjithë miqtë dhe arbërorët e tij.I shtypur më parë, ai dinte ta vlerësonte vlerën e lirisë; fisnik dhe i madh me karakter, ai ishte gjithmonë gati për atdheun e tij madje të jept gjithçka nga vetja e tij si një bujar që edhe ishte populli e donte shumë. Me një figurë të bukur dhe dhunti të shkëlqyera intelektuale ai ndërthurte forcë të jashtëzakonshme fizike.

Historianët e asaj kohe dhanë këtë përshkrim për këtë luftëtar të madh arbëror:

„Ai kishte tipare mashkullore dhe të bukura,i pashëm, mustaqe e mjekërr të zezë të gjatë, ishte i gjatë me shtat, me shpatulla të gjera, me formë sportive apo atletike dhe kishte sy shqiponje. Në ditët e betejës ai mbante gjithmonë krahun e djathtë të zhveshur dhe mrekullitë tregoheshin për forcën dhe papërkulshmërinë e tij[...]“

Prandaj ekziston edhe anekdota se si sulltani i habitur plotësisht nga kjo,shprehu dëshirën për të zotëruar shpatën e tij, por pasi e kishte provuar nuk kishte parë ndonjë mrekulli në atë shpatë, dhe i kthen përgjigjegj se pse nuk ma dërgove shpatën e vërtetë.Me ç'rast Gjergji ynë i Madh e i guximshëm i përgjigjet se ai i kishte dëguar pa hezitim shpatën e tij të vërtetë me këto fjalë: „Shpata ime që të dërgova ishte e vërtetë dhe mund ta marrësh, por krahu që di ta tundë. nuk do ta marrësh atë ti kurrë!"Pasardhësi i sulltan Muratit, sulltan Mehmeti II, na përshkruhet nga historianët si një natyrë e fuqishme që ishte e mbushur me një etje të shfrenuar për pushtet dhe ambicie të pangopura. Ai ishte mizor dhe i pamëshirshëm, pa besnikëri dhe pa besim, por i aftë dhe i zoti si udhëheqës dhe sundimtar ushtarak, duke u përpjekur vazhdimisht të forconte fuqinë e tij dhe të zgjeronte perandorinë e tij.

Ndërkohë, Kostantinopoja kishte rënë; vdekja heroike e perandorit të tyre të fundit nuk kishte arritur të ndalonte rënien e tyre; fraksionet fetare kishin konsumuar fuqinë e atij vendi; prandaj ajo ra, e braktisur nga Perëndimi.Më 29 maj 1453, ushtri të shumtë otomane nën udhëheqjen e Sulltan Mehmetit sulmoi fortifikimet me humbje të mëdha dhe pushtoi pjesën e brendshme të qytetit me vrasje dhe plaçkitje. Gjysmëhëna e vendosur në kupolën më të lartë të kishës së Shën Sofisë njoftoi se ndërtesa e lartë tani i shërbente qëllimeve të sulltanit dhe ideologjisë së tij fetare islamike.Lajmi i rënies së Kostandinopojës u pritë me tronditje në të gjithë Perëndimin dhe rriti frikën ndaj otomanëve pushtues.Vendet më të kërcënuara u sollën më frikacake si p.sh.: Greqia, Trebizondi dhe Serbia i dhanë haraç menjëherë. Venediku ishte i frikësuar për tregtinë e saj dhe lidhi menjëherë traktate me Sulltanin.Vetëm Gjergj Kastrioti mbeti i papërkulshëm dhe mbajti pavarësinë e tij dhe mbrojti qytetërimin europian.

Kështu Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) qëndroi i vetëm kundër skemave dhe sulmeve të Sulltanit. Nëpërmjet ryshfetit dhe premtimeve të pabesë, ai më në fund arriti të merrte në krah dy nga miqtë dhe aleatët e Gjergj Kastriotit. Pasi i provoi të gjitha armët kundër Gjergjit dhe Abërisë e të cilat kishin qenë të pasuksesshme ai tani e kishte gjetur armën tjetër atë të tradhëtarëve e renegatëve. Të gjithë mbështetësit e Gjergj Kastriotit dukej se ishin të mbartur nga entuziazmi i pastër i tij për atdheun dhe besimin; të gjithë ishin të pushtuar nga madhështia e karakterit të patëmetë të udhëheqësit të tyre arbëror dhe talenti i tij i shquar. Vetëm një person filloi të mërzitej dhe të hidhërohej nga ky njeri i madh, nipi i tij Hamza. Për një kohë të gjatë Hamza konsiderohej si njeriu më i afërt i mbretit arbëror, pasardhësi i tij në fron, pasi Gjergj Kastrioti kishte refuzuar çdo lidhje martesore për t'i shërbyer edhe më lirshëm mirëqenies së atdheut të tij.

Më në fund pas shumë këshillave miqtë e tij e bindën të martohej me Donikën, vajzën e princit nga jugu i Arbërisë Arianit Komnenit.Kjo në fakt përbënte martesën e bashkimit të Arbërisë së Veriut me Arbërinë e Jugut.Donika i dha një djalë dhe trashëgimtar të fronit atij me emrin Gjon si pasardhës i mbretit arbëror. Kështu i mashtruar nga shpresat e tij ambicioze, Hamza u indinjua dhe duke u kënaqur me këtë mëri të poshtër iu afrua sulltan Mehmetit si tradhëtar dhe i premtoi atij se do t'i arrinte qëllimet e tij nëse i shërbente islamit. Për të qenë më i sigurt, udhëheqësi i thyer turk i premtoi ndihmën e tij të fuqishme edhe një miku të dytë të besuar të Gjergj Kastriotit(Skënderbeut) ,Moisi Golemit një luftëtar po aq trim.Por Moisiu nuk zgjati shumë e u pendua dhe u kthye tek këmbëtë e Gjergjit të Madh dhe nga ajo ditë që e fali Gjergji ai u bë besnik i palëkundur i tij.Sikur edhe shihet sulltani kishte mjaft njerëz për t'i dërguar ata në vdekje për planet e tij të preferuara,ai i premtonte të gjithë ushtarëve të tij e Jeniçerëve parajsën i cili duke besuar në premtimet e profetit të tyre, i premtonte atyr rrugën më të shkurtër dhe më të shpejtë për në parajsë, nëse ata do të vriteshin në luftë kundër Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) dhe Arbërisë.

Arbëria duhej të përgatitej për më të keqen. Pas shumë humbjeve që edhe ky sulltan tiran pësoi në trojet arbërore të Gjergj Kastriotit të Madh,ai shpresonte akoma më shumë që në kushte të favorshme ta gjente atë të prirur për paqe. Prandaj ai i ofroi atij ta njihte si Mbret e zot të Arbërisë në këmbim të një haraçi të vogël dhe kushte tjera të dëmshme për Arbërinë dhe vetë Gjergj Kastriotin. Kryeheroi dhe kryezoti ynë arbëror i refuzoi me krenari këto kërkesa e kushte të sulltanit.Kështu sulltan Mehmeti dërgoi një ushtri të konsiderueshme nën Hamzën kundër Gjergj Kastriotit, Hamza besonte se mund ta mposhtte Gjergjin e Madh duke përparuar shpejt.

Por ,Gjergji i Madh vëzhgonte me kujdes të gjitha lëvizjet e tij dhe e la të kalojë kufirin pa rezistencë në luginën e Dibrës e cila është plot gryka; pastaj papritmas del nga malet gjatë natës, sulmon armiqtë në befasi, vret 7000 nga ushtria e Hamzës me ndjekësit e tij besnikë dhe merr rob vetë Hamzën. Fituesi e trajtoi të burgosurin me fisnikëri dhe shpejt e liroi për një shpërblim prej 13,000 ari. Më pas Ibrahimbeu mori përsipër hakmarrjen për këtë disfatë të ushtrisë turke dhe ai u shfaq në kufijtë e Arbërisë në vitin e ardhshëm 1458 me një Ushtri edhe më të madhe. Edhe ai humbi jetën nga vetë Gjergj Kastrioti. Aq i shkathët ishte formimi i Arbërorëve, aq i drejtuar sulmi në mënyrë të admirueshme, sa humbën vetëm disa prej tyre dhe, siç shprehen disa kronistë, mund ta konsideronin fitoren një dhuratë. Fryma e Gjergj Kastriotit të Madh ishte transmetuar te gjeneralët e tij besnik dhe gjithashtu te trupat e tij; Ata nuk donin t'ia linin Arbërinë dhe besimin e tyre Tiranit dhe Antikrishtit.Kështu „fama e Gjergj Kstriotit(Skënderbeut) fluturoi nga goja në gojë në të gjithë Europën; ai konsiderohej gjenerali më i madh i shekullit të tij; ai ishte në kulmin e famës së tij; Nga të gjitha anët i erdhën urime, shenja nderi dhe dhurata ushtarake“, sikur edhe dëshmojnë bashkëkohësit e tij dhe kronistët.

Arbëria në krye me Gjergj Kastriotin thurri rrezet e fundit dhe më të bukura të lamtumirës rreth kokës së saj dhe vendosi një shkëlqim të pavdekshëm rreth yjeve të saj të fitores.Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) dhe fitorja ishin sinonime.E gjithë Europa jehoi nga gëzimi i fitores së mrekullueshme të tij.Por ,sikur shkrujnë kronisitët dhe historianët europian:“Kështu rrethi rreth Gjergj Kastriotit ngushtohej gjithnjë e më shumë, me gjithë heroizmin dhe gjenialitetin e përgjithshëm të tij, pozita e tij bëhej gjithnjë e më e vështirë. Një rastësi e favorshme ia kurseu bindjen se kishte luftuar më kot dhe e bëri të dukej i pathyeshëm për pasardhësit.Ai në fakt e kishte mbajtur gjithë barrën e kombit të tij dhe shtati i tij gjigant po ashtu kishte filluar të rraskapitej.“

Në janar të vitit 1468 ai u kap nga një ethe që ia hoqi shpejt forcën. Sapo e kishte nxitur djalin e tij që të ishte i denjë për pozitën e tij dhe arbërorët të qëndronin të bashkuar kur u soll lajmi se një ushtri turke qëndronte pranë kufijve arbëror. Kryeheroi ynë kërkoi kalë dhe armë, por gjymtyrët e tij, të rraskapitura nga ethet, nuk pranuan të shërbenin; ai ra përsëri në shtratin e tij. Këtë herë bashkëluftëtarët e tij shkuan pa të të luftonin armikun e tyre otoman; Por turqit menduan se Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) ishte me ta dhe tmerri i emrit të tij i shtyu në arratisje dhe lajmi i fitores ndriçoi momentet e fundit të ndritshme të kryeheroit, i cili vdiq më 17 janar 1468 në vitin e 63-të të moshës së tij. Ai kishte qenë gjithmonë një njeri i devotshëm; ai kurrë nuk hyri në betejë pa u lutur, ai gjithmonë ishte falënderues për fitoret e lavdishme të tij.Nga dhimbja për vdekjen e tij Lekë Dukagjini doli rrugëve të qytetit dhe duke grisur flokët dhe mjekrën,bërtiti: “Ejani të gjithë ju, princa dhe zotër të Arbërisë, sot kanë ra muret e Arbërisë dhe janë shembur fortesat e saj; e gjithë forca jonë është zhdukur; fuqia jonë është shtrirë për tokë; çdo shpresë është shuar me këtë njeri të Madh.”

Pasi mori lajmin e vdekjes Sulltan Mehmeti thirri: „Më në fund Europa dhe Azia më përkasin mua; Mjerë krishterimi, ai ka humbur shpatën dhe mburojën e tij!” Kaq shumë varej nga jeta dhe veprimtaria e këtij njeriu të vetëm, por të plotë dhe në shtratin e tij të vdekjes njeriu pëlqen të mendojë për fjalët e tij.Kryeheroi kombëtar i arbërorëve mbeti i paharruar dhe i nderuar jo vetëm nga miqtë, por edhe nga armiqtë e tij. Emri i tij jeton edhe sot në këngët e Arbërorëve të tij besnik në përgjithësi. Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) u njoh më pas edhe nga kombet e tjera për shërbimet e tij në luftën kundër armikut të përbashkët të të gjitha qytetërimeve. Eshtrat e tij gjetën vendprehjen e tyre të fundit në qytetin e Lezhës në Katedralën e Shën Kollit. Kur turqit pushtuees më vonë e morën këtë qytet, ata hapën varrin e kundërshtarit të tyre shumë të respektuar, i prenë eshtrat e tij në copa të vogla, i mbështjellën me ar dhe argjend si të çmuara dhe i mbanin si hajmali me të cilat pa dyshim lidheshin. fitorja dhe lavdia ushtarake e tij dhe mbrrojtja. Ashtu si Kruja kryeqendra e heroizmit edhe Lezha ende ia detyron rëndësinë e tij në gjeografinë Arbërore dhe Europiane pothuajse ekskluzivisht këtij iliro-arbërori të Madh.[Gjon Keka]

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat