25 vjetori i organizimit të mësimi në shtëpi shkolla

Historia

25 vjetori i organizimit të mësimi në shtëpi shkolla

Zijadin Gashi Nga Zijadin Gashi Më 21 janar 2017 Në ora: 18:31
Orë mësimore në shtëpi shkollë

 Me 20 janar 2017 janë bërë 25 vjet të nisjes së organizimit institucional të mësimit në shtëpi shkolla

Pushteti policor i Serbisë që nga viti shkollor 1991/92 nuk lejoi nxënësit dhe studentët shqiptarë që mësimin ta mbajnë në objekte shkollore, pa e nënëshkruar mësimdhënësit deklaratën se “Serbinë e pranojnë si shtet të tyre dhe mësimin do ta organizojnë sipas ligjeve dhe planeve e programeve mësimore të Republikës së Serbisë”! Këtë deklaratë robëruese, mësimdhënësit shqiptarë nuk e pranuan, sepse ishin deklaruar se mësimin do ta mbajnë në harmoni me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, perkatësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës së 7 shtatorit 1990, të akteve ligjore dhe nënligjore të nxjerra në bazë të asaj Kushtetute dhe të Planeve e Programeve Mësimore të Republikës së Kosovës. Deklarimin dhe qëndrimin e mësimdhënësve shqiptarë e përkrahën prindërit e nxënësve dhe i tërë populli shqiptar i Kosovës.

Në ditët e para të shtatorit dhe të tetorit të vitit shkollor 1991/92, mësimdhënësit, nxënësit, studentët dhe prindërit e nxënësve protestuan para objekteve shkollore me kërkesë që pa kushte të iu lejohet organizimi i mësimit në shkolla, do të thotë në lokalet e objekteve shkollore që do të shfrytëzoheshin në bazë të numrit të nxënësve, përkatësisht të studentëve. Por, këtë kërkesë pushtetarët e dhunshëm serb nuk e pranuan dhe protestuesit (mësimdhënësit, studentët dhe prindërit e nxënësve shqiptarë) me forca policore i larguan edhe nga oborret shkollore dhe universitare. 

Megjithëse trysnia policore ndaj mësimdhënësve shqiptarë për të punuar me ligje dhe planprograme të Serbisë kishte filluar me nisjen e vitit shkollor 1990/91 me segregacionin në mësim, helmimin e nxënësve,  marrjen e mësimdhënësve dhe të veprimtarëve të arsimit në të ashtuquajtura biseda informative, rrahjeve, burgosjeve, vrasjeve,  vendosjes së masave të dhunëshme dhe ndërprerjes së financimit. Prandaj, pushteti serb duke vërejtur se këto masa të dhunës nuk i gjunjëzuan mësimdhënësit shqiptarë, atëherë aplikoi masën ma drastike, largimin me dhunë të nxënësve,studentëve dhe të mësimdhënësve shqiptarë nga objektet shkollore, duke menduar se kjo masë do t’i gjunjëzojë!

Image
Protestat e nxënësve para shkollave

Pas largimit me forcë policore të shkollarëve shqiptarë nga objektet shkollore, atëherë u ndie nevoja për gjetjen e formës përkatëse që edhe në kushtet e okupimit klasik  të organizohet mësimi. Kështu,  lindi propozimi i kushtëzuar për organizimin e mësimit në shtëpi  private – shtëpi shkolla.

Idenë për organizimin e mësimit në shtëpi shkolla e dhanë mësueset e klasave të ulëta të shkollës fillore, të cilat pas largimit me dhunë nga objektet shkollore filluan të mbajnë mësim me klasat e veta në banesat dhe shtëpi të e tyre. Një formë e tillë e organizimit të mësimit jashtë objekteve shkollore kishte filluar më parë edhe në shkollat e mesme të Podujevës, në Shkollën e Mesme të Obiliqit, në Shkollën e Mesme të Lipjanit dhe në Shkollën Fillore të Vitomiricës.

Kështu, Këshilli Koordinues për Çështje të Arsimit i Republikës së Kosovës (këtë Këshill e përbënin: kryetari i LASH “Naim Frashëri”,  drejtori i Entit Pedagogjik të Kosovës, përfaqësuesi i SBASHK-ut, përfaqësuesi i Shoqatës së  Arsimtarëve Universitarë dhe Punëtorëve Shkencor të Kosovës, përfaqësuesi i KMLDNJ-së dhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare) duke vërejtur se pushteti okupues i Serbisë asesi nuk do të lejon që mësimi në gjuhën shqipe të organizohet në objekte shkollore, vendosi që mësimi të mbahet në shtëpi private. Organizimit institucional të mësimit në shtëpi private i parapriu përpilimi i elaboratit, i cili për një kohë është diskutuar në të gjitha komunat e Kosovës me drejtorë shkollash, subjekte arsimore dhe parti politike dhe pas marrjes së mendimit pozitiv është përpiluar Plani dhe Programi Mësimor për organizimin e mësimit në shtëpi shkolla dhe pastaj janë siguruar edhe shtëpitë për shkolla dhe pas këtyre përgatitjeve është lëshuar Komunikata për organizimin e mësimit në shtëpi shkolla duke filluar nga 20 janari i vitit 1992. Këshilli Koordinues për Çështje të Arsimit, vendimin për organizimin e mësimit në shtëpi shkolla e publikoi në emër të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës. Pra, mësimi në shtëpi shkolla në mënyrë institucionale është organizuar prej 20 janarit 1992 e deri më 22 mars 1999, kur është ndëprerë në tërësi  për shkak të terrorit gjenocidal të forcave policore dhe ushtarake serbe kundër popullatës civile shqiptare si hakmarrje ndaj vendimit të NATO-s për bombardimin e caqeve ushtarako- policore të Serbisë. 

Image
Protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës para Rektoratit

Mësimi në shtëpi shkolla ruajti kontinuitetin e shkollës shqipe në Kosovë. Shkollat funksionuan si institucione arsimore kompakte me organe legjitime shkollore, duke filluar nga drejtori i shkollës, këshilli i shkollës, këshilli i prindërve, këshilli i arsimtarëve, këshillat e klasave, aktivet profesionale, këshillat e nxënësve dhe aktivet për aktivitetete jashtëmësimore. Nxënësit e shkollave fillore janë regjistruar në shkollë në bazë të rajonit të shkollës dhe janë bërë përpjekjet që asnjë obligues shkollor të mos mbes jashtë bankave shkollore. Kurse nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët janë regjistruar në bazë të konkursit publik. Edhe për këtë kategori shkollaresh janë siguruar vendet për shkollim në bazë të aftësive të treguara në provim pranues dhe asnjë i interesuar nuk ka mbetur jashtë bankave shkollore. Të punësuarit në shkolla janë pranuar në bazë të konkursit publik duke u bazuar në rregullat e nxjerra në bazë të ligjeve përkatëse. Puna arsimore është organizuar në bazë të Planeve dhe Programeve Mësimore, të cilat gati për çdo vit përtriheshin, mundësisht në harmoni me kërkesat e ngritjes së teknikës dhe të teknologjisë bashkëkohore.  Që nga viti shkollor 1993/94 për një numër të lendëve mësimore janë nxjerrë Planet dhe Programet Mësimore si dhe tekstet mësimore të përbashkëta me Republikën e Shqipërisë.

Image
Nxënësit duke hyrë në orë mësimore
Image
Orë mësimore e viti shkollor 1991/92

Punën e shkollave e koordinonin, ndihmonin dhe e mbikëçyrnin organet arsimore komunale dhe republikane  për arsimin shqip. Përkundër dhunës përmanenete të policisë serbe ndaj mësimdhënësve, nxënësve, studentëve, pronarëve të shtëpive shkolla dhe të veprimtarëve të arsimit, mësimi është organizuar më përkushtim shumë të lartë. Mungesat e mësimdhënësve, nxënësve dhe të  studentëve në mësim kanë qenë minimale, prandaj edhe performanca e mësimdhënies dhe e mësimnxënies ka qenë në nivel të lartë, përkundër kushteve shumë të rënda të punës.

Image
Një orë mësimore në shtëpi shkollë

Shtëpitë shkolla i vizituan edhe shumë delegacione të organizatave ndërkombëtarE dhe të shteteve Perëndimore, të cilat u ndanë të mahnitur me këtë organizim. Kështu,  kryetari i UNESKO-s, Luis Ramajo  kishte deklaruar se “Arsimtarët shqiptarë – ambasadorë të UNESKO-s”, kurse delegatët Këshillit të Evropës për këtë organizim  deklaruan ‘Vetëm vazhdoni dhe qëndroni se Ju do të fitoni!”.

Image
Tekste shkollore të përbashkëta me Republikën e Shqipërisë

Për organizimin e mësimit, përveç nxënësve, mësimdhënësve, objekteve shkollore, inventarit, planeve dhe programeve mësimore dhe teksteve e mjeteve mësimore,  shkollës i nevojitej edhe një bazë së paku modeste materiale. Prandaj  organet arsimore në Kosovë formuan këshillat komunale për vetëfinancim të Arsimit dhe Këshillin për Vetëfinancimin e Arsimit të Republikës së Kosovës, të cilat më vonë u shndërruan në këshilla komunale të financimit dhe në Këshill Qendror të Financimit. Kurse, për të bërë mbikëqyrjen shëndetësore të nxënësve dhe mësimdhënësve është funksionalizuar edhe mjekësia shkollore.

 

Image
Dëftesa për kryerjen e shkollës fillore, e cila është lëshuar nga shkollat për vitet shkollore 1991/92 -1998/99
Image
Diploma për kryerjen e shkollës së mesme, e cila është lëshuar në vitet shkollore 1991/92 -1998/99
Image
Diplomë për kryerjen e SHLP të Universitetit të Prishtinës

Mësimi në shtëpi shkolla ndërpreu shpërnguljen e popullatës për në shtetet e perëndimit dhe u parapriu të gjitha veprimtarive tjera që të organizohen për të vepruar në çdo pore të shoqërisë. Arsimi  në shtëpi shkolla krijoj bazën edhe për organizimin dhe veprimin e UÇK-së.

Puna në shtëpi shkolla përveç që ruajti kontinuitetin e arsimit shqip, u shndërrua edhe në një besim gjithëpërfshirës që ringjalli shpresat e popullit për jetë, punë dhe rezistencë aktive kundër arrogancës dhe brutalitetit të shtetit totalitar e fashisoid – Serbisë. Kjo periudhë e punës dhe e veprimit të shkollës shqipe mbajti ndezur vizionin e mëvetësisë duke realizuar në praktikë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila mori konturat e shtetit të organizuar edhe nën okupimin nga Serbia.

Shkollimin në shtëpi shkolla e pranuan pa hezitim të gjitha shtetet Perëndimore si arsimin më unik në historinë e fundit të shekullit XX.

Me kalimin e kohës, veprimtaria e arsimit shqip 1990 -1999 në vend se të nderohet, çmohet, trajtohet e të kujtohet nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe shoqëria, jo vetëm që ka nisur të zbehet, por më tepër po qarkohet si harresë e kujtesës historike! Kjo harresë lidhet sidomos me kontributin e mësimdhënësve që në ato rrethana okupuese organizuan procesin mësimor dhe ndërtuan  sistemin e pavarur arsimor shqiptar në Kosovë. Këtë punë e kunorizuan me sukses në saje edhe të atyre qytetarëve që lëshuan shtëpitë për shkolla, të cilët ngushtuan familjet me hapësirë banimi dhe rrezikuan vetveten, anëtarët e familjes së ngushtë e të gjerë nga reagimet brutale të pushtetit policor serb.

Image
Studentët duke përcjellur ligjëratat në shtëpi shkollë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat