Historia gjakatare e vejushës pirate, që nisi nga një bordello dhe u transformua në tmerrin e deteve - Bota Sot
Historia gjakatare e vejushës pirate, që nisi nga një bordello dhe u transformua në tmerrin e deteve

Historia

E mërkurë, 17 janar 2018

Historia gjakatare e vejushës pirate, që nisi nga një bordello dhe u transformua në tmerrin e deteve

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 22:05
Në moshën 16 vjeçare është prostituta më e kërkuar dhe më e shtrenjtë e bordellit lundrues të Kantonit.

Theu të gjitha tabutë dhe klishetë e zanatit. Asnjë papagall mbi shpatull. Asnjë sy të mbuluar. Asnjë këmbë druri. Aq më pak një flamur të zi me kafkë ose kocka të kryqëzuara.

As rum në çdo port. Po as thirrje të tipit: copa tetëshe, copa tetëshe, ashtu siç i kemi lexuar tek “Ishulli i thesarit” të autorit skocez Robert Louis Stevenson (1850–1894). Theu kaq shumë sa…Nuk ishte as mashkull. Ishte një damë. I filloi ditët e ashpra në tokën kineze të vitit 1775. Ndonjë referencë aludon për një fëmijëri shumë të vështirë.Të tjerë thonë që i detyrohet bukurisë së saj: e gjatë, e bukur, lëkurë e zeshkët dhe sy të shndritshëm, inteligjente dhe me një karakter të fortë. Në moshën 16 vjeçare është prostituta më e kërkuar dhe më e shtrenjtë e bordellit lundrues të Kantonit. Është e vetmja që nuk i mban këmbët e fashuara, mban një thikë më dy tehe, shenjë e pastërtisë. Fashimi i këmbëve i mbante gratë në shtëpi ose pothuaj, nuk ishte e lehtë të ecje, por edhe mjet tërheqës për meshkujt.

Në një nga netët u gjend në bordello zoti Ching, i plotfuqishmi zoti Ching, i cili nga viti 1797 ishte padroni i shoqërisë më të madhe të piraterisë në detin e Kinës, ndjekës edhe në Mesdhe dhe në Karaibe. Ai numëronte një shoqëri piratësh me një flotë prej 400 anije dhe 25 topa për anije, dhjetë mijë gryka zjarri, të shtëna, vdekje, anije të huaja të ngarkuara me ar dhe gurë të çmuar, ishuj dhe fshatra të rrafshuar, vrasje masive, vjedhje pa kufi dhe herë pas herë mercenarë ofruesit më të mirë. Ching adopton një fëmijë dhe e quan Chang Pao. Për ndonjë arsye të panjohur, ndoshta për pushtetin e tij, perandori e ul nga ofiqi dhe i jep titullin Maestro të stallave perandorake. Kështu që braktis detin për tokën, për barin dhe bajgat edhe pse ky lloj posti ishte për hierarkinë e lartë të oborrit. Versionet këtu ndahen; disa thonë se Ching uli kokën dhe pranoi gradën e kavalerisë para mërisë së trupave të tij pirateske. Tjetër version thotë se u rebelua, vdiq kur një stuhi tropikale mbyti anijen e tij. Edhe për vdekjen e tij ka versione të ndryshme, një grup nga ndjekësit e tij, si hakmarrje për braktisjen e këtij biznesi në 1808 organizuan një banket lamtumire dhe e vranë me një pjatë të këndshme oriz me larva helmuese.

Por nuk ishte ky fundi i shoqërisë. Vejusha  Ching Shih merr timonin në kuptimin e vërtetë të fjalës, del në det, mbledh të gjitha flotat pirate të humbura, gjurmon rrugët, planifikon nisjet dhe pushtimet në ishujt dhe fshatra dhe mbante llogaritë e fitimeve dhe humbjeve me saktësi. E shquajnë dy virtyte: karakteri prej hekuri dhe pamëshirshmëria. Në kulmin e shkëlqimit të saj komandon më shumë se dy mijë anije pirate, 70 000 marinarë, 50 000 topa. Për secilën nga 6 flotat që komandon i cakton një ngjyrë, e kuqe, jeshile, e verdhë, vjollcë, e zezë dhe e fundit si standard një gjarpër. Çdo flotë komandohet nga një admiral që i jep llogari vetëm asaj. Çdo gabim paguhet me kokë. Askush nuk duhet të joshë për kënaqësinë e vet gratë e kapura në qytete ose në fusha. Ato çohen në bordin e anijes. Për t’i patur duhet t’i kërkosh leje ekonomatit dhe pasi ta kesh marrë duhet të shkosh në pjesën e poshtme të anijes, vend jo shumë komod për një strehë dashurie. Dhuna kundër grave dënohet me vdekje. Nëse dikush shkon në tokë për llogari të vet ose kryen një akt të quajtur tejkalim i barrierave i shpohen veshët në prezencë të gjithë flotës dhe në rast përsëritje dënohet me vdekje. Është e ndaluar marrja private e çdo gjëje, sado e vogël, e vjedhjes apo e plaçkitjes. Të gjitha regjistrohen dhe pirati do të marrë nga 10 pjesë dy janë për të. 8 të tjera i përkasin magazinës të quajtur fondi i përgjithshëm.

Të marrësh ndonjë gjë nga ky fond dënohesh me vdekje. Përpos koracës së hekurt, vejusha Ching ka nevojë për një burrë dhe e gjen. Dashurohet me djalin adoptues, vietnamitin Chong Poo, martohet më të dhe shtrin kështu lidhjet familjare mbi flotën e saj kolosale. Dhe është vetëm 34 vjeçe. E megjithatë i afrohet edhe ora e eklipsit. Kina, perandoria qiellore është shumë antike dhe e pushtetshme. Nuk e toleron këtë shoqëri tentakulare që pasurohet pas shpinës së saj. Perandori i ri Kia–King vendosë ta vrasë. Por si? Kundër asaj ushtrie që ka ulur flamuj, mbytur qindra anije, ka plaçkitur popullsi të tëra? Jo nëpërmjet diplomacisë, as përmes bindjes. Kundër pushtetit, me pushtet. Perandori mbledh një flotë që ai e beson si të pathyeshme, vendos në krye të saj admiralin Kuo–Lang. Para se të niset perandori nxjerr një dekret perandorak me një gjuhë shumë të ashpër duke iu referuar vejushës Ching dhe forcave të saj: “Nuk janë dhe nuk kanë qenë miq të vërtetë të lundrimit. E bëjnë me egërsi, e çojnë drejt shkatërrimit, gjymtimit ose drejt vdekjes.

Thyejnë të gjitha ligjet natyrore të Universit. Mos harro gjeneral, se mëshira është një atribut perandorak dhe do të ishte një prezumim i një nështetasi ta marrë atë. Ji i ashpër, i drejtë, i bindur dhe fitimtar!”  90 ditë më vonë flotat përballen, pothuaj 1000 anije natë e ditë mes thirrjesh, topash, por vejusha fiton. Kuo–Lang vetëvritet. Fitorja vepron si drogë për vejushën që i lëshon anijet e saj në orgji gjaku, nuk lë asgjë në këmbë, kap më shumë se 1000 gra, shet në Makao, një rajon kinez shumë i njohur për drogën, kontrabandën dhe prostitucionin. Por perandori nuk ngre flamurin e bardhë. Armatos një ekspeditë të dytë me dyfish njerëz, anije, armë, astrologë dhe vendos në krye admiralin Ting–Kuei, i cili bllokon deltën Si–Kiang dhe bllokon avancimin e flotës armike. Zonja Ching nuk i shmanget luftës, por e kupton se është e humbur. Fitorja e mëparshme ishte si e Pirros. Anije të dëmtuara dhe njerëz të mbytur. Nuk vlen zhurma e tamborëve, gongeve, me të cilat i dha kurajo ushtrisë së saj. Më këmbët në bash nxjerr dy shpatat e saj, i hedh në ujë, gjunjëzohet dhe kërkon që ta çojnë në anijen e Ting–Kuei. Mbretëria e saj pirate mbaroi aty. Kronika të ndryshme që i referohen me emrin Ching Shi, Madame Ching, Hsi Kai, Shih Yasng, të gjithë emrat e saj, thonë se u fal nga perandori dhe u vu në krye të një rrjeti bordellesh dhe të një rrjeti të trafikut të opiateve. E la këtë botë në moshën 69 vjeçare.

(Post scriptum: në vitin 1933 në gazetën argjentinase “Kritika” të Natalio Botana e mbyllur në 1962, Jorge Luis Borges shkroi dhe publikoi në suplementin “Multicolor” të së shtunës, versionin e tij, të admirueshëm për jetën, zanatin, famën, rënien dhe vdekjen e vejushës Ching. Dy vjet më vonë ky shkrim do të ishte pjesë e një prej librave më origjinalë dhe më të lumtur “Historia Universal de la Infamia, siete relatos de canallas sin par”. Vejusha Ching, piratja – titulli ky, bëri që të hynte në përjetësi, pavarsisht se nuk ishte e vetmja femër me flamur të zi, me kavaleri. Dy angleze ushtruan këtë zanat dhe u varën. Thuhet se pirateria nisi në shek V. para krishtit dhe është e dukshme që vazhdon edhe sot, por pa epikën dhe legjendën. Janë sulme vulgare, nën kërcënimin e armëve dhe nga njerëz jo të destinuar për kujtesën dhe letërsinë.) / Scoopnest – Bota.al

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test