E vërteta/ Si i shpëtoj sigurimit Mons.dr. Zef Oroshi! - Bota Sot
E vërteta/ Si i shpëtoj sigurimit Mons.dr. Zef Oroshi!

Historia

E shtunë, 22 shtator 2018

E vërteta/ Si i shpëtoj sigurimit Mons.dr. Zef Oroshi!

Leonora Laçi Nga Leonora Laçi Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 18:38
Imzot Zef Oroshi në audiencë te Papa Pali VI më 1970

Qëllimi i këtij shkrimi është që të shpjegoj të vërtetën e arratisjes në mal të Mons.dr.Zef Oroshit, që për nga mënyra si u realizua u duk e pabesueshme. Duke hedhur hipoteza të ndryshme deri dhe në përbaltosjen e Dom Zef Oroshit.

Historia dhe peripecitë e jetës së Mons. dr. Zef Oroshit  i lindur në Kaftall të Oroshit, Mirditë në 1912 e largët , si bashkohës i shumë ngjarjeve vendimtare të kombit shqiptar deri sa mbylli sytë në vitin 1989, duhet të jetë pjesë e historiografisë sonë, aktiviteti dhe kontributi i tij kombëtar duhet të shënohen me germa të arta për të mos u harruar.

Ardhja e komunizmit.

Fitorja e komunizmit në vitin 1944 në Shqipëri do jetë vetëvrasja më e madhe që i bënë shqiptarët vetës, për ata që e pranuan atë. Dom Zefi bën pjesë në ato njerëzit që nuk u pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve, ai nuk e pranoi  as në atdhe por as në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren dhe pushtetin e komunistëve.

Dom Zefi në fillim të viteve 50’ u tregua mjaft aktiv në zonën e Mirditës,kjo ishte  periudha më e ashpër e represionit shtetëror ndaj armiqve të pushtetit.  Si një antikomunist i vendosur ai i qëndroi besnik atdheut dhe fesë.

Sigurimi po ushtronte një presion të madh mbi popullsinë civile, duke qenë se dhe iniciativa anglo-amerikane për të shembur komunizmin në Shqipëri, kishte ndikuar që lufta e klasave brenda vendit të ishte më e ashpër, konkretisht lufta kundër armiqve të pushtetit të cilët që në 1945 kishin mbushur burgjet dhe kampet e internimit duke u torturuar në format më çnjerëzore ngjashëm me kampet e nazizmit, dhe me metodat e tyre. Dom Zefi përveç detyrës fetare, duke parë çdo ditë se çfarë i bëhej popullit të tij Mirditas zgjodhi të ishte aleat i tyre.  Ai bëri përpjekje për kryengritje por që pa sukses, pasi komunistët tashmë kishin përgatitur terrenin dhe njerëzit për të zbuluar veprimtarinë e antikomunisteve. Aktiviteti i tij ra në sy të sigurimit dhe qeverisë së E.Hoxha duke kërkuar dhe arrestimin e tij me çdo kusht.

Pa nënshtrimin e Veriut e konkretisht Mirditës, komunistët e kishin të qartë që pushtetin nuk mund ta kishin të plotë.  Në një qarkore që Ipeshkvi Bernardin Shllaku i dërgon  dioqezave (shkruar nën torturë nga sigurimi) tregohet sesa bujë kishte bërë arratisja e Dom Zefit dhe jo vetëm sigurimi ishte në kërkim të tij por ishte ngritur dhe një komision kërkimi i përbërë nga Dekani i Tiranës, Dom Mark Dushi, dhe Administratori Dioqezan i Lezhës Dom Ndoc Sahatçija.

Madje vet D.Ndoc Sahatçija  në nëntor të vitit 1952 merr rrugën për në Veri të Shqipërisë për ta kërkuar vetë (referuar nga libri i Markus W. Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996). Për arratisjen e Dom Zefit është shkruar dhe në studimet “Dosjet e Diktaturës” e studiuesit Pjetër Pepa dhe në monografinë “Mons.dr.Zef Oroshi –Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të studiuesit dhe Sekretarit të Lidhjes së III të Prizrenit, z. Tomë Mrijaj (SHBA) dhe në veprën e Nikollë Melyshit, “Ngjarje Historike, të ndime, të pame e të jetueme”.

Momenti i arratisjes së Mons.dr. Zef Oroshit është kthyer në një legjend, por për ta bërë reale dhe të mos mitizohet më tej me këto fakte, pata një bashkëbisedim me nipin e Mons.dr. Oroshit, Prend Gjokën, i cili më rrëfeu të vërtetën sesi dom Zef Oroshi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal deri sa largohet fillimisht në Evropë e më pas në tokën e premtuar, SHBA.

Amerika u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e tij, atje la gjurmë me themelimin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare, kjo tregon se i shërbeu më mirë atdheut larg tij duke qenë se Shqipëria u kthye në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo vetëm dëshirat për tu arsimuar por ndrydhi dhe burgosi dhe mendimet për tu shprehur e për të arritur në jetë.

Ai (Prend Gjoka) rrëfen se halla a e tij (motra e dom Zefit, Lukja e cila përjetoi kalvarin nëpër burgjet e internimit, dhe pas rënies së komunizmit ka jetuar në shtëpinë e nipit deri ditën që mbylli sytë) kishte qenë personi i fundit  që Dom Zefi kishte takuar para se të arratisej në mal.

Por si ndodhi ngjarja?

Ishte janari i vitit 1952 (viti është i diskutueshëm mund të jetë dhe 1951) Dom Zefi si famullitari i Ungrejt,  do zhvillonte meshën e së Dielës në Kishën “Shën Maria Magdalenë”.

Kisha e fshatit kishte një distancë prej 50 metrash me Qelën. Në Kashnjet dhe në fshatin  Ungrej por dhe fshatrat përreth gëzonin respekt për meshtarin dhe është meritë e fshatit Ungrej që realizuan arratisjen e dom Zefit që të mos binte në duart e sigurimit të cilët bënë  të pamundurën të informojnë dom Zefin se Kisha ishte e rrethuar nga forcat e Sigurimit.  Urdhri i arrestimit kishte ardhur nga Mehmet Shehu.

Sigurimi po priste që mesha të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit për ta arrestuar, e ata vëzhgonin nga dera kryesore daljen e popullit. Plani ishte që të arrestohej në momentin e daljes së popullit nga kisha dhe Dom Zefin ta arrestonin që të mos mund të kundërpërgjigjej.

Dom Zefi shfaqet se nuk ndjehet mirë dhe pa zhurmë lë meshën dhe del nga dera sekrete mbrapa Kishe, dhe shkon tek Qela që ishte sipër Kishës e takon të motrën e cila i shërbente, Luken. Ndërkohë që ajo gatuante dreken, dëgjon dom Zefin që e thërret:- “Luke, Luke unë ika”, koha nuk i premtoj që të përshëndetej më tej, dhe Lukja duke e kuptuar situatën e sheh Dom Zefin që kapërcen murin rrethues rreth 2 metra të lartë për të humbur gjurmë në pyllin me gështenja. Në këtë kohë ajo është kujtuar që të marr pardysyn dhe ja ka hedhur matanë murit duke i thënë -“Paq Zotin me vedi”.

Ndërkohë populli në kishë po priste përfundimin e predikimit të priftit. Dhe panë që diçka nuk shkonte dhe prifti nuk po dilte tek elteri duke qëndruar dhe pas orës 12:00, ku pretendohej që mesha të përfundonte. Në këtë kohë forcat e sigurimit dyshuan se pse populli nuk po dilte nga Kisha. Kështu ata vendosin të hyjnë në Kishë dhe ngelën të befasuar kur nuk kanë gjetur priftin aty.

Populli  e kuptoj që sigurimi kishte ardhur për arrestimin e Dom Zefit dhe ky ishte arratisur. Pasi sigurimi bëri një kontroll të shpejt të kishës, u nisën për tek Qela, aty pyeten Luken e cila i jep përgjigje se:-“Dom Zefi po jep meshë”-mbyll rrëfimin e tij nipi i Dom Zefit, Prend Gjoka.

Dom Zefi në mal bashkohet me grupet antikomuniste, ku do qëndroj për tetë muaj deri sa kaloi në Kosovë e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë vështirësitë dhe i plagosur kalon në Mitrovicë e nga aty sëbashku me Atë Daniel Gjeçajn O.F.M, Atë Ambroz Martinin O.F.M, dhe Nikollë Kimzen, pas garancive që i dhanë  Dera e Gjomarkut e personalisht Kapidan Ndoi, shkojnë në Itali. Nga aty, në vitet ’60  Mons.Oroshi niset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për veprimtarinë në male të Dom Zef Oroshit na jep të dhëna Bep Kuqani ish i burgosur politik për shumë vite, në një shkrim të botuar në vitin 2009, i cili thotë:- E tash në lidhje me nji shënim të Z. Ndue Melyshi, citue në faqen 53, ku thuhet: “Meqenëse ishte Komitet klandestin, nuk mund të zgjidhej kryetari me vota të lira të popullit, prandaj antarët në brendësine e Komitetit caktojshin nji kryetar…”, dishroj të plotësoj këtë mendim, tue shtue, se ne “brendësinë e këtij Komiteti”, kje zgjedhë si Kryetar Dom Zef Oroshi dhe Sekretar Jak Perjaku, i cili, kje vra në mal, në përpjekje me forcat e ndjekjes të Sigurimit. Këtë ma ka thanë përveç të tjerëve, që do t’i permendi ma poshtë, edhe vetë i vëllai: Gjon Perjaku, që u kap n’atë përpjekje, i plagosun randë dhe me të cilin kam ndejtë në burgun e Burrelit. Veç kësaj, kam pasë rastë me njohë personalisht edhe katër antarë të këtij Komiteti, nga të cilët per Karlo Çoben, avokat, i biri i Ndoc Çobës, që ka kenë Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Sulë Hafizin, Kryemyfti i Lezhës, nuk e kam ditë se ka kenë Antar i Komitetit të Maleve; ndërsa për Haki Bushatin, i vëllai i ish – Kryeministrit Maliq Bushati, që u pushkatue bashkë me At Anton Harapin O.F.M,  dhe Lef Nosin dhe Ndrek Kakarriqin e kam dijtë dhe, edhe këta më kanë thanë se “kena pasë për Kryetar Dom Zef Oroshin”.

Haki Bushatin e kam njoh vetëm për nji periudhë të shkurtë kohe në burgun e Tiranës; ndersa Ndreken e kam njohë qysh se kam kenë në moshë adolishente, se ka kenë mësues në Kolegjin Saverian, kryetar i Shoqatës “Rrethi Don Bosco” (krijue nga At Pjetër Meshkalla); kam ndejt në burg të Burrelit, mbasi kje denue 17 vjet si antar i atij Komiteti, i arrestuem në Lezhë, vetëm pak muej mbasi kishte fillue punën si avokat. Miqësinë e kena vazhdue edhe mbas daljes nga burgu, deri në ditën që vdiq. (...) Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antikomunist i vendosun” -shkruan në shkrimin e tij Bep Kuqani.

Mons.dr.Zef Oroshit i prehen eshtrat  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është hedhur diskutimi për kthimin e eshtrave në atdhe por diaspora e SHBA dhe miqtë e tij kanë qenë të mendimit se-“Ai bëri historinë atje dhe atje duhet të vazhdoj të prehet i qetë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test