Rëndësia historike e Kongresit të Lëvizjes së Legalitetit, 21 nëntor 1943

Historia

Rëndësia historike e Kongresit të Lëvizjes së Legalitetit, 21 nëntor 1943

Nga: Eugen SHEHU Më: 4 janar 2018 Në ora: 16:17
Foto;oficerët Britanik pranë forcave Legalisten ë Krujë. Major Nil (Bill) Maklin, Kol.Dejvid Smail, si dhe nënkoloneli T.N.S.Uiller. tetor nëntor 1943 gjatë misionit të tyre të dytë.Fo.Eugen Shehu

Ngjarjet e vrullshme evropiane,në Luftën e Dytë Botërore,do të përfshinin padyshim (si krejt Ballkanin) edhe Shqipërinë.Është vërtetuar tashmë në mënyrë të pakonsiderueshme,se çfardo që ndikimi të mbanin forcat politike shqiptare,fati i kombit të tyre vendosej nëpër tryeza të tjera,aty ku „ të fuqishmit“e Evropës,parashihnin fitoret apo disfatat e tyre.Kombi i vogël shqiptar,i pafyqishëm për t’u përballuar me këto rrjedha gjigante,së paku,në vitet 1941-1943,bënte çmos për bashkimin në kufijtë e vitit 1912,për vendosjen e pushtetit shqiptar në çdo trevë,për arësimin si edhe luftën e papajtueshme me okupatorin italian.

Ndërkaq,në dhjetorin e vitit 1942,atëherë kur parashihej si i mundshëm një zbarkim i Forcave Aleate në Italinë Jugore,shtabi madhor i ushtrisë gjermane,intensifikoi planet dhe masat organizative si për mbrojtjen e bregdetit Adriatik,ashtu edhe për luftën që duhej zhvilluar kundër aradhave nacionalçlirimtare,të ngritura kundër tij,nën frymëzimin e ortodoksizmit stalinian.Kështu,në verën e vitit 1943,ndërsa ushtria italiane po shkonte drejt kapitullimit të plotë,RAIHU i TRETË,mbi riorganizimin e forcave gjermane në Ballkan.Në këtë mënyrë,në Beograd u krijua grupi i forcave toksore „F“,i komanduar nga feldmarshalli Vajks (njëherësh edhe kryekomandant i Evropës Juglindore).Këto forca toksore do të bashkëpunonin më pas,me një sasi të konsiderueshme trupash artilerie,tankiste dhe alpine të mbështetur edhe prej avionëve gjuetës-bombardues.Në të njejtën kohë,pranë komandës së grupit të armatave italiane të Lindjes,që kishte qendrën e vet në Tiranë,në fillim të korrikut 1943,u vendos shtabi gjerman i ndërlidhjes.Gjithashtu dy shtabe të tjera ushtarake,u vendosën pranë korpuseve italiane të pushtimit.Këto shtabe,në të shumtën e rasteve kishin për detyrë të lidheshin me forcat politike në Shqipëri,me ç’rast donin paraprakisht tu bënin të ditur prijësave shqiptarë qëllimin e vërtetë të përqëndrimit të tyre në brigjet e Adriatikut.Ata gjithashtu ishin të gatshëm,të vendosnin samëparë trupat e tyre,në rast të largimit të ushtrisë italiane.

Në shtator të vitit 1943,Italia fashiste,pas disfatave të pashmangshme,kapitulloi.Lajmi u shpërnda  nëpërmjet radiove,në mbrëmjen e 8 shtatorit.Të nesërmen,më 9 shtator 1943,sipas planit operativ forcat gjermane udhëtuan në Shqipëri nëpërmjet tri drejtimeve : Divizioni i 297,nga Mitrovica në Kukës e Shkodër.Divizioni i 100,nga Ohri në Strugë-Elbasan-Tiranë-Durrës,ndërsa Divizioni i I-rë, ngaFollorina në Korçë.E vërteta është se inkursioni i atyre në Shqipëri,nuk pati ndonjë reaksion nga nacionalçlirimtarët shqiptarë,pasi në përgjithsi,këto rrugë ishin të mbrojtura prej forcave italiane.Edhe disa ditë më pas,kur shtabi komunist shqiptar,u bëri thirrje forcave italiane që të bashkoheshin me aradhat nacionalçlirimtare,këto nuk pranuan.Menjëherë pas kësaj,këto aradha, filluan disa kollitje pushkësh fragmentare,alla partizançe,kundër forcave gjermane.Pikërisht në  këto momente, duke patur parasysh planet e largëta strategjike,qeveria gjermane mendoi të sigurojë një bashkëpunim me interes të përbashkët me qeverinë shqiptare.Traktativa u bënë sidomos midis ministrit gjerman për Shqipërinë,Nojbaher dhe disa prej prijësave kryesorë nacionalistë shqiptarë. Ashtu sikundër kumtohet edhe në dokumentet gjermane,ky bashkëpunim,pos të tjerave kërkonte të realizonte :“Vendosjen e sigurisë në territorin shqiptar,me ç’rast do të arrihet kursimi i forcave tona.Madje duhet të kemi parasysh se në këtë situatë,pa ndihmën e organeve qeveritare shqiptare,nuk është i mundur luftimi me efektivitet i terrorit komunist“.(Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë.Fondi Dokumenta të Ushtrisë gjermane. T.313/2000).

Në kushtet e trazirave të mbrendshme,të inicuara sidomos prej komunistëve shqiptarë dhe atyre sllavë ndihej nevoja e një force tjetër politike e një alternative tjetër nacionaliste, e cila do t’u siguronte qetsi vendit.Në këtë mënyrë shumë burra të asaj kohe i drejtuan sytë dhe mendjet në ringjalljen e Monarkisë duke qenë të bindur se vetëm ajo mënyrë qeverisjeje,mund të përballej me vullnetet anarkiste të shqiptarëve.Këtë ide e përkrahën edhe disa oficerë britanikë të dërguar në Shqipëri,të cilët ishin në dijeni të traktativave që Mbreti Zog,kish marrë me diplomacinë evropiane. Nga ana e tyre idhëtarët e monarkisë,nuk patën ndenjur duarkryq,në rrafsh të luftës kundër okupatorit.Ata kishin zhvilluar disa luftime të sukseshme kundër forcave italiane,sidomos në Tiranë,Krujë,Burrel e rrethina dhe vetë dokumentat e ushtrisë italiane vërtetojnë bie fjala se më 10 shtator 1943,në Mat,pas luftimesh të përgjakshme,nuk kishte asnjë ushtarë italian.Pas përqëndrimit të italianëve në Tiranë,Durrës e Vlorë,pushteti vendorë sidomos në zonat e veriut,ishte plotësisht në duart e ish  oficerëve mbretërorë.Pikërisht,ndërsa në këto zona të lira po organizohej pushteti vendas.Abaz Kupi dhe Jahja Caci,po organizonin ushtrinë e Lëvizjes së Legalitetit.Thirrjes së komunistëve për të bashkëpunuar me të Abaz Kupit iu përgjegj negativisht,duke parë qëndrimin e tyre pas Mukjes,por edhe fillimin e luftës vëllavrasëse.Me këtë rast,klika komuniste e Tiranës, urdhëroi luftën pa mëshirë kundër Abaz Kupit dhe bashkëpuntorëve të tij.

Të gjitha këto që përmendëm më sipër,bënin të domosdoshëm ringjallërimin e Lëvizjes Monarkiste, e cila,në thelb ishte përparimtare ( po ashtu si edhe lëvizja nacionaliste balliste) pamvarsisht pse ndaheshin në formën që përcaktonte regjimin.Megjithatë në këtë pikë,si Balli Kombëtar ashtu edhe Lëvizja e Legalitetit, e linin në dorë të vullnetit të popullit i cili vendoste me sovranitetin e tij. Ajo ç’ka i dha krahë lëvizjes mbretërore,ishte edhe fakti se Kuvendi i Asamblesë Kombëtare,i mbledhur në Tiranë në mesin e tetorit 1943,me përfaqsues nga krejt Shqipëria Etnike,vendosi të mbajë në këmbë shtetin shqiptar si vazhdim të atij të vitit 1939,duke nënkuptuar me këtë rast se ishte për monarkinë.Një prej neneve të miratuara njëzëri nga ky Kuvend Bese,ishte pikërisht rifuqizimi i „Statutit themeltar të Mbretërisë“,i cili do të ndikonte ndjeshëm në marëdhëniet e shqiptarëve me shtetin.Ndofta vlen të kujtohet se pikërisht nga salla e kuvendit historik Asambleja kombëtare shqiptare,iu dërgua në mal telegram urimi Abaz Kupit,i cili pat luftuar si në beteja kundër okupatorit italian,ashtu edhe për bashkimin e shqiptarëve,pa dallim feje,krahine dhe ideje.Së fundi ajo çka potenconte ringjalljen e Lëvizjes Legaliste,ishte shpresa e mijëra shqiptarëve brenda vendit dhe jashtë tij,kudo ku ata jetonin,se vetëm kthimi në atdhe i Mbretit Zog,do t’i shpëtonte ata nga  sëmundja kanceroze e komunizmit.Rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri, e patën  kërkuar publikisht,edhe kundërshtarët e vet,siç ishte rasti i Fan Nolit,i cili që nga Amerika deklaronte Mbretërinë,si i vetmi shpëtim i bashkëkombasve të vet.

Në këto kushte,ideatorët e ringritjes së Lëvizjes Legaliste,Abaz Kupi,Muharrem Bajraktari,Fiqri Dine,Preng Previzi,Rauf Fico,Myftar Kaloshi,Nuçi Kota etj,vendosën të thërrasin kuvendin madhorë mbretëror,duke shpallur në mënyrë të hapur,programin e vet plotësisht demokratik dhe sigurisht duke luftuar deri në fund,për kthimin  e Mbretit Zog në Shqipëri,u caktua vendi i quajtur Zall-Her,disa kilometra në veri të Tiranës,ku do të mbahej Kongresi,ngase aty ishte vendi më i qetë. Në këtë mënyrë,të shtunën e 20 nëndorit 1943,në Zall-Herr,shkuan rreth 110 delegatë,pothuaj nga gjithë trevat shqiptare,me dëshirën e madhe,të lidhnin besën,për të luftuar armikun e ri si edhe të mundësonin rikthimin në atdhe Mbretin e Shqiptarëve.

Mbrëmja e 20 nëndorit,delegatët e kaluan nëpër shtëpitë mikpritëse të fshatit Zall-Herr dhe të nesërmen në mëngjes,ata u tubuan në sheshin ku prej deceniesh mblidheshin burrat.Parija e Dibrës,Mirëditës dhe Burrelit kishte shkuar atje e veshur me kostumet popullore karakteristike dhe kjo e shëndrronte kongresin në një festë madhore.Takimin e çeli heroi kombëtar,Abaz Kupi,i cili pos të tjerave do të potenconte :“Vëllezër shqiptar ! Besnik i Madhërisë së Ti,Mbret ë Shqiptarëve.Zogu i I,në këtë kongres historik,ndjej gëzimin më të madh tju përshëndes ju,përfaqsues dhe t’ju them :Mirse ardhtë ! dhe dalshim faqebardhë në misionin e naltë që jeni ngarkuar të kryejmë. Me pershendetjen time vllazerore dhe me deshirën e suksesit të plotë,në detyrën e shenjtë patriotike,ju kujtoj se i gjithë kombi mbarë,dëshiron të përforcojnë Legalitetin tonë,para okupasionit në mënyrë zyrtare brenda mundësive të tashme.Sovraniteti ynë është i pacenuar,i pa abroguar dhe miqtë tanë të mëdhenj na i kanë siguruar se do t’a gëzojmë siç ka qenë,prandaj lyp që çdo veprim që do të kryhet,të jetë me respektin më të madh,në organet legjitime para okupasionit.Kreshnikët tanë jan bashkuar dhe fryti i parë i tyre,ka qenë një veprimtari sistematike,patriotike dhe beslidhje.Kjo përpjekje mori një hov të madh,kështu që asnjë masë nuk mund ta ndalojë.presim Urdhërin,që të dalim sheshit,në mënyrën që na lejon koha.Si përfaqsues do të bisedoni e do të vendosni,si do t’a shikoni dhe si do ta gjeni të arsyeshme për lumturinë e legalitetit tonë.Vullneti i popullit është vazhdimi i Zotërisë Suaj,i cili ka me qenë një urdhër i pandryshueshëm dhe do të përcaktojë drejtimin e jetës sonë legale duke përdorur sypraninë e vullnetin e kombit veturdhënues ! Ju përshëndes edhe një herë dhe ju ftoj të thërrasim për jetën e Shqipërisë : Rroftë Shqipëria ! dhe për lumturinë e Mbretit tonë të adhuruar : Rroftë Mbreti Zog,Mbreti igjithë Shqiptarëve !” ( Gazeta  “Atdheu” – Tiranë , 28 nëndor 1943 ).

Fjala e major Abaz Kupit, u prit me ovacione.Përfaqsuesit e popullit në këtë kongres,shihnin në përsonin e Kupit,heroin kombëtar të rezistencës së 7 prillit 1939,burrin që nuk e patën mposhtur as lajkat dhe as dredhitë komuniste të shtetit amë dhe beogradit,luftëtarin e sprovuar si kundër okupatorit ashtu edhe kundër komunizmit.Pas fjalës së Abaz Kuptit,nga drejtuesit e seancës u lexua formula e betimit dhe krejt delegatët,duke përsëritur këtë formulë,në mënyrë solemne u betuan me jetën e tyre për kombin dhe mbretin.Gjithashtu,pas betimit,u mbajtën 5 minuta zi,në nder të dëshmorëve nacionalistë,të cilët patën dhënë jetën më 7 prill 1939,në krejt bregdetin shqiptar.Pas këtij ceremoniali,ishin paria e Matit,Mirditës,Shkodrës e mandej të tjerë,të cilët duke evokuar vitet e lavdishme të Mbretërisë Shqiptare përcollën mesazhin e madh se rigjallërimi dhe ringritja e lëvizjes mbretërore,padyshim  vlen të shihet si imperativ i kohës.Ata suallën aty,vlerat e çmuara të periudhës së monarkisë,ku në fund të fundit,çështja shqiptare u vu në tryezat diplomatike të kohës,dhe ku faktori shqiptar,për të parën herë,luajti rolin e vet pajtues nëdër shqiptar në të gjitha trojet e tyre në gadishullin Ballkanik.Fiqri Dine e Preng Previzi, Rauf Fico,Nuçi Kotte e Murat Basha,Sul Kurti dhe Dule Allamani,Murat Kaloshi dhe Jusuf Begeja në fjalët e tyre të ngrohta, mundën të spjegonin pse vlente të rikthehej në atdhe,Mbreti i Shqiptarëve. Me këtë akt,sipas tyre,jo vetëm që do vihej në vend një padrejtësi,por rivendosja e regjimit të monarkisë në vend,do të shërbente si faktor qetësie e pajtimit ndër shqiptar,të cilët,të ndarë në rryma politike po prodhonin mizorira gjithfarësh.Prijësat ushtarakë të këtij kuvendi,duke çuar aty fjalën dhe besën e qindra burrave që komandonin,duke u bërë një analizë veprimeve luftarake të tyre,dhanë besën se më shumë se deri atëherë,do të shtërngonin radhët e tyre rreth ideve mbretërore,të gatshëm në çdo moment,ashtu sikundër thuhej edhe në formulën e betimit,të jepnin jetën e tyre për Kombin dhe Mbretin.Jahja Çaçi,në rolin e organizatorit të formacioneve legaliste,theksoi pos të tjerave në fjalën e tij se ashtu sikundër Kongresi i Lushnjës,edhe ky i Zall-Herrit,për momentin që mbahet,ka vlera historike.Ai deklaroi se mijërat e luftëtarëve mbretërorë janë të gatshëm të japin jetën për kufijtë Etnike të shqipërisë,të coptuar me dhunë prej Evropës më 1913.E shoh me vend të sjell në këto radhë,edhe disa pasazhe nga vendimi i kuvendit historik të mbretërorëve.Pos të tjerave në këtë vendim thuhet tekstualisht : “Përfaqsuesit e dëshirës së shprehur nga të gjithë anët e Shqipërisë,të mbledhur në kuvendin e datës 21 nëndorë 1943,në Herr,vendosën deklarimin haptaz mundësive të lejueshme nga koha,të legalitetit para okupasionit që është vendosur lirisht prej përfaqsuesve të gjithë popullit,në forma të caktuara prej të Drejtës Konstitucionale,i cili është njohur prej gjithë shteteve të huaj.Vendimi që është marrë në Asamblenë Kushtetuese,që është zgjedhur lirisht prej popullit shqiptar,në bazë të ligjit konstitucionalisht të rregullt dhe që shprehu legalisht më 1 shtator 1928 vullnetin e gjithë popullit shqiptar,duke caktuar si regjim të shtetit,Mbretërinë Demokratike Konstitucionale dhe duke zgjedhur për Mbret,njeriun e diktuar prej shpirtit të Kombit,për të udhëhequr fjalët e tij Zogu i I-rë. Ne këtë regjim njohim dhe ky është legal i vendit tonë.Mbreti nuk abdikoj ! Vetëm fuqia brutale e një shteti të pabesë,okupoj tradhëtisht tokën e shenjtë të atdheut.Mbreti ynë i shpalli luftë,urdhëroi qëndresën heroike,e dha shenjën e protestimit dhe për t’i dhënë fund gjakderdhjes së popullit,u detyrua të lërë përkohësisht Shqipërinë për të punuar më lirisht jashtë,në vendet miq,për dëbimin nga tokat kombëtare të pushtuesve të huaj dhe për t’u kthyer në kohën që përpjekjet e tij,do të kishin arrirë qëllimin ; Shpëtimin e Atdheut...., Duke u mbështetur mbi vullnetin e shprehur nga gjithë anët e Shqipërisë,vullnet kompakt i përforcuar nga legaliteti i kohës së bekuar dhe sot i tronditur prej kaosit dhe anarkisë,populli shqiptar vendosi mbrojtjen e Legalitetit dhe kërkimin e të drejtave etnike dhe kërkon me këmbëngulje prej Eksponentëve të Legalitetit,shpalljen e këtij vendimi haptazi,për t’i njoftuar edhe botës si të vetmin shpëtim dhe rregullim të Popullit dhe Kombit shqiptar !” (Gazeta “Atdheu” Tiranë , 28 nëndor 1943 ).

Pas evokimit të periudhës së ndritur të monarkisë,frymës atdhetare dhe përparimtare të shtetit të a’hershëm shqiptar,si edhe vlersimit të figurës së Mbretit të shqiptarëve,vendimi i mësipër pati gjithashtu vlera edhe në rrafshin juridik.Pikërisht në këtë rrafsh,pikat që do të përcileshin si historike ishin :

1-Regjimi legal i Shqipërisë,në bazë të të drejtës konstitucionale,është ai i vendosur më 1 shtator 1928.

2-Ky regjim nuk është i abroguar sepse pushtimi ushtarak i agresorit fashist i 7 prillit 1939,sipas ligjeve ndërkombëtare nuk mund të anullojë vendimin e marrë prej përfaqsuesve të popullit shqiptar më 1 shtator 1928.Asambleja e 12 prillit 1939,nuk mundet kurrsesi të shprehte aspiratën e popullit,sepse ajo Asamble,thirrej nën kërcënimin e bajonetave të okupatorit fashist.

3-Për pasojë,Shqipëria ka si regjim legal Mbretërinë Demokratike Parlamentare,me mbretin Zogu i I-rë.

Gjithashtu gjatë ditëve të Kongresit të Legalitetit,u suall edhe përvoja e çmuar e disa formacioneve mbretërore,të cilët patën zhvilluar luftime të ashpra dhe plot suksese,kundër okupatorit italian.Kjo përvojë e çetave zogiste,u çmua edhe prej përfaqsuese të misionit britanik në këtë kuvend,të cilët u zotuan se do të bënin çmos për furnizimin e tyre me armë edhe mjete luftarake (misioni Britanik më pas i tradhëtoi nacionalistët shqiptarë dhe i furnizoi bandat komuniste partizane të cilët në aradhat e tyre kishin shum këshilltarë jugosllav.vërjtje Eugen Shehu).Aksionet e deriatëhershme të çetave zogiste,nuk u përmendën  për të zhvilluar parade suksesesh. Përkundrazi,prirja e komandatëve luftarak,ishte se si kjo veprimtari atdhetare për çlirimin e plotë të Shqipërisë të shtrihej në të gjitha trevat.Nuk munguan në këtë pikë,edhe diskutimet dashamirëse të disa prej luftëtarëve mbretërorë,në luftimet e tyre,kërkuan bashkëpunimin e shtabit të Përgjithshëm të tyre,me forcat e tjera,siç ishin formacionet balliste apo ato nacionalçlirimtare.Ndonëse Abaz Kupi e miratoi këtë ide,ai dhe miqtë e tij besnikë, e dinin se bashkëpunimi me komunistët shqiptarë,kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.Tek e mbramja,udhëheqësit kryesorë të Legalitetit,politikë dhe ushtarakë,ishin të bindur se modeli i sovjetëve i propagnaduar nga klika komuniste e shtetit amë, nuk do t’i sillte asnjë dobi kombit të tyre,pasi ky pushtet ish i njohur në Rusi për terrorin me të cilin bashkëjetonte.Për këta prijës i vetmi autoritet i cili mund të çonte kombin e tyre,drejt një mbrothësie ishte Ahmet Zogu.Vetë misionarët anglez pranë zogistëve kumtonin se... “Tek Zogu... ata shohin njeriun e vetëm që ka dhënë prova,se ishte në gjendje të rivendoste qetësinë në Shqipëri”.(Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë.Dokumente Angleze PRO.FO 371/43549).

 Kuvendi historik i ringjalljes së Lëvizjes së Legalitetit,u mbyll me 25 nëndor 1943.Punimet e tij u përshkruan fund e krye nga sinqeriteti i fjalëve,nga atdhetaria e ideve,nga përkushtimi për të rikthyer mbretin,dhe tek e mbramja,nga besa e dhënë për t’u bashkuar rreth idealeve mbretërore,për të luftuar kundër çdo okupatori,për independencën e Shqipërisë Etnike.Ashtu sikundër në Mukje,3 muaj më parë,burri i shquar Abaz Kupi,do të këmbëngulte për bashkimin e shtetit amë me viset e Kosovës e Maqedonisë Shqiptare dhe këtë ide të lume të tij, e përkrahën pa rezerva të gjithë mbretërorët e kongresit.Madje,prijësat e Kukësit dhe të Dibrës,dy-tri javë më pas,ndërmuarrën verpime të guximshme luftarake si në Kosovë ashtu edhe në Dibër të Madhe e Pollog.

 Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij Kuvendi ishte edhe ai i tërheqjes së vëmendjes të opinjonit evropian.Vërtetë ky opinjon,nuk ishte shumë i interesuar për fatet e Shqipërisë,por ngjarje të tilla nuk mund të kalonin në heshtje.Për më tej,kur shihej se qeveria shqiptare e vitit 1943,kishte vënë në bazë të funksionimit të saj,Kushtetutën Mbretërore Shqiptare,nuk ishte e vështirë të kuptohej se regjimi i ardhshëm i vendit,tentonte në kahjen monarkiste.Kjo bëri që fill pas këtij kuvendi,pikërisht që atëherë kur lëvizja mbretërore nisi të merrte hov jo vetëm në Shqipërinë e mesme por edhe në ate Veriore,diplomacia nuk rreshti korespondencat me Mbretin Zog,duke u përpjekur për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim.Pikërisht për arsyet e shumta që përmendëm më sipër,për popullaritetin e madh që fitonte dita ditës,lëvizja mbretërore,klika komuniste e shtetit amë,që në ditët e para të shpalljes së vendimeve të këtij Kuvendi,u hodh në luftë frontale kundër saj.Së pari,komunistët shqiptarë dhe ata serbë,thirrën në shtabin e tyre të Përgjithshëm,Abaz Kupin,më 7 dhjetor të vitit 1943.Takimi u krye në Shengjergj dhe një delegacion i komunistëve,i kryesuar nga Enver Hoxha,plot 6 orë kërkoi që Abaz Kupi,të bënte “autokritikë” dhe me gjitha formacionet mbretërore të rreshtohej nën komandën e nacionalçlirimtarëve.Pikërisht në këto momente,me mençurinë që e karakterizonte,Kupi i kujtoi Hoxhës marrveshjen e shkelur të Mukjes dhe  deklraoi hapur se do të mbronte rikthimin në Shqipëri të Mbretit Zog,si alternativë e vetme e bashkimit të shqiptarëve.Dhe prej atij momenti Kupi dhe bashkëpuntorët e tij,u etiketuan si tradhëtarë dhe sigurisht u dënuan nga (Tirana dhe Beogradi komunist) me vdekje.Por heroi i rezistencës shqiptare të 7 prillit 1939,burri që pat luftuar vite me radhë kundër hordhive fashiste,trimi që e nderonte jo vetëm Krujën por gjithë Shqipërinë,nuk mund të goditej lehtë nga qelbësirat komuniste.Ndaj klika e Tiarnës,filloi në dhjetorin e vitit 1943,një luftë të ashpër propagandistike si kundër Abaz Kupit,ashtu edhe ndaj Lëvizjes së Legalitetit.Gazetat “Bashkimi” dhe “Zëri i Popullit” si zëdhënëse të Moskës,Beogradit dhe Tiranës komuniste-bollshevike,ato që deri ditë më parë kishin lavdëruar në faqet e tyre,trimëritë e Abaz Kupit kundër okupatorit italian,tanimë i thoshin atij tradhëtar.Gjithsesi,ky monstruozitet i propagandës,do të shoqërohej edhe me masa të tjera të karakterit ushtarak,për të goditur një orë e më parë lëvizjen Legaliste dhe prijësat e saj.Pas thirrjes ogurzeza të fletushkave “Zëri i Popullit” dh “Bashkimi”,nëpër qytetet shqiptare nuk vonuan të shpërndaheshin trakte,ku tanimë kërkohej eleminimi i krerëve “tradhëtarë” të Legalitetit,të cilët po bashkëpunonin edhe me “tradhëtarët” e Ballit Kombëtar.Madje,në janarin e vitit 1944 në një qarkore të dërguar krejt komandave ushtarake nacionalçlirimtare të Shqipërisë,E.Hoxha porosiste : “Për partinë e zogistëve ne mendojmë se padyshim ajo bën pjesë në partitë jo përparimtare... për të sjellë në fuqi klika ose persona.Për këtë arsye,ne duhet t’a luftojmë këtë,sikundër bëmë edhe me Ballin Kombëtar.Tash për tash,ne mendojmë të godasim këtë parti që po na formohet progresivisht..Ne mendojmë se s’është humbur kohë,por zjarr për zjarr,t’u vëmë zjarrin Ballit dhe Legalitetit dhe në këtë përpjekje mendojmë se do të fitojmë shumë dhe s’do humbasim hiç.Mos kujtoni se bëj demagogji”.Tarasi...” ( Arkivi  Qendror  i  shteti t- Tiranë. Fondi 14,dosja 30 , fleta 7-8).

Pra ishte e qartë se lufta vëllavrasëse e komunistëve shqiptarë,tanimë nuk do të përfillte më askend.Për ta,nëse nuk rreshtoheshe në formacionet e tyre,nëse nuk luftoje me yllin e bollshevizmit në ballë,ishe armik dhe si i tillë do të merrje dënimin e tmershëm,ate të vdekjes.Kryqëzatat nacionalçlirimtare,në muajt e parë të vitit 1944 dhe në vazhdim,rrëfyen se komunistët nuk mund të pajtoheshin asesi me vendimet e Kongresit të Legalitetit.Përkundrazi,ata u ngritën në këmbë menjëherë,për të shuar me zjarr dhe me hekur,çdo ide përparimtare,mbretërore dhe atdhetare.Për ta dhe pasuesit e tyre,pak rëndësi kishin Atdheu dhe Kombi.Rëndësia për ta kish ideologjia dhe ky ishte shkaku kryesor i instalimit të asaj dhune të paparë 50 vjeçare,që çoi kombin tonë drejt denatyrimit të vet.Por gjithsesi,edhe kjo dhunë,nuk ka mundur të mposhte shpirtin rebelues e demokratik të shqiptarëve,si edhe shpresën e pashuar të tyre në ardhmërinë e një Kombi dhe Atdheu të bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat