Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Historia

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Nga: Monika Gjoklaj Më: 17 janar 2018 Në ora: 10:30
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Gjergj Kastrioti (l. më 6 maj 1405 – v. më 17 janar 1468 në Lezhë) i quajtur ndryshe Skënderbe (nga Osmanishtja: Iskander Bej), që në shqip korrespondon me emrin Aleksandër. Është heroi dhe figura më e shquar në historinë shqiptare.

Familja e Kastriotëve kishte një principatë të vogël në malet midis Matit dhe Dibrës. Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Shqipërisë së Veriut dhe Vojsava Tribalda nga Pollogu. Familja e Gjon Kastriotit kishte 4 djem (Stanishin, Reposhin, Konstandinin dhe Gjergjin) dhe 5 vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën dhe Mamicën).

Në moshë të vogël së bashku me tre vëllezërit e tij, Skënderbeu u mor peng nga Sulltan Murati i II-të, si ndëshkim për luftën që bëri Gjon Kastrioti, i ati i tij. Ai u vendos në Adrianopojë të Turqisë, ku mësoi artin ushtarak, njihte gjuhën osmane, latine dhe gjuhën shqipe, gjithashtu shkruante dhe kishte oratori të lindur.

Ballkani dhe Azia e Vogël ishin disa nga detyrat e tij ushtarake pas mbarimit të shkollës, duke u dalluar për trimëri nga ku Sulltan Murati i II-të i dha titullin e gjeneralit me emrin “Iskander Bej”, që historikisht ne shqiptarët e kemi njohur si Skënderbe, por që në fakt është një Aleksandër i ri që po i rilindte Shqipërisë.

Biografi i parë i Skënderbeut ka qenë Marin Barleti, me veprën “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, botuar në gjuhën latine.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u martua me Andronikën (Donika) Arianitin, vajzën e princit shqiptar Gjergj Arianitit, nga Kanina e Vlorës dhe me të pati një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vuri për nder të të atit. Mirëpo, për fat të keq nuk kemi shumë të dhëna për jetën e të birit të Gjergj Kastriotit, por mendohet se pas vdekjes së Gjergjit, Gjoni bashkë me nënën e tij Donikën dhe familjen e ngushtë, u shpërngulën në Itali.

Më 1443 Skënderbeu dërgohet nga Sulltani, bashkë me ushtrinë turke, për t’u ndeshur me hungarezët, e drejtuar nga Janosh Huniadi. Betejë që u zhvillua në Nish, Skënderbeu që e kishte të ngulitur kahmoti idenë e rikthimit në Atdheun e tij, shfrytëzoi rastin dhe bashkë me ushtarët e tij besnikë largohen nga beteja dhe nisen drejtë Shqipërisë.

Më 28 nëntor të vitit 1443 u shpall rinëkëmbja e Principatës së Kastriotëve. Kjo ndodhi pasi Gjergj Kastrioti me një sërë masash ushtarake e vuri nën kontroll kalanë e Krujës duke e ngritur flamurin e familjes së tij, Flamur të cilin e trashëgojmë ne shqiptarët sot, atë Flamur kuq e zi me shkabën dy krenare në mes. Ai pas marrjes së qytetit të Krujës, vuri nën kontroll edhe  kështjellat e Petrelës, Gurit të Bardhë, Stelushit, Moricës dhe fortesën e madhe të Sfetigradit, në kufirin me Osmanët.

Skënderbeu e dinte se nuk mund të përballej i vetëm me zemëratën e Sulltanit. Ai e dinte se kryengritjet e viteve 1430 dështuan pikërisht për shkak të mungesës së komandës së bashkimit dhe koordinimit. Prandaj, më 2 mars të vitit 1444, Skënderbeu thirri një Kuvend të të gjithë pricërve feudalë të Shqipërisë. Kuvendi u mbajt në Katedralen e shën Kollit në Lezhë (qytet në atë kohë nën administraturën e Vendedikut), e njohur historikisht si Besëlidhja e Lezhës. Kuvend ky që u mbajt pasi që princërit Shqiptarë në krye me Skënderbeun e ndjenin kërcënimin e Perandorisë Osmane të cilët mendonin të shtrinin regjimimin e egër të tyre në mbarë Europën. Ata e formuan Lidhjen e Princërve shqiptarë dhe Gjergj Kastrioti u zgjodh kryekomandanti i ushtrisë së Lidhjes.

Qyteti i Krujës, që ishte edhe qendra e Skënderbeut, tri herë u rrethua nga ushtritë osmane. Dy herë nga sulltanët, Murati i II-të dhe më pas nga djali i tij Mehmet Pushtuesi dhe një herë nga gjenerali më i lartë turk Evrenoz Pasha, por nën udhëheqjen dhe mbrojtjen e Skënderbeut, qyteti asnjëherë nuk ra.

Lufta e kalorësisë ishte një nga nga mjeshtritë e Skënderbeut. Kalorësia e pajisur me armë të lehta si dhe terreni malor i Shqipërisë ishin një nga strategjitë më të forta të Gjergjit, duke bërë që të sulmonte befas radhët e armikut, edhe pse në numër shumë të vogël të ushtrisë shqiptare.

Bashkëpunëtorët më të afër të Skënderbeut ishin Lekë Zaharia, Moisi Golemi, Hamza Kastrioti, Gjon Muzaka, Pal Engjëlli, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Vrana Konti, Lekë Dukagjini etj. Megjithatë mbahen në mend dy tradhëtitë e mëdha ndaj tij.

Pasi Skënderbeu më 25 mars 1451 në Gaeta firmosi një traktat aleance me mbretin e Napolit, Alfonsin V, nga e cila do të përfitonte ndihmë ekonomike dhe ushtarake. Në anën tjetër, venecianët dhe napolitanët hyjnë në një kompromis për të pushtuar fortesën e vetme të Beratit, duke rrethuar qytetin dhe duke zhvilluar një betejë të përgjakshme. Të inkurajuar nga venecianët, shumë prej princave shqiptarë e braktisën Skënderbeun, njëri ndër ta ishte edhe gjenerali i tij më i suksesshëm, Moisi Golemi nga Dibra. Skënderbeu e mundi Moisiun dhe ushtrinë e tij prej 15.000 ushtarëve turq dhe më 19 maj të vitit 1456, Moisiu i penduar u rikthye në Krujë. Skënderbeu e fali dhe e pranoi Moisiun sepse i duhej dhe e dinte mirë që ai i rikthyer pas tradhtisë, tashmë kishte tradhtuar dhe Sulltanin dhe nuk mund të kthehej më në anjë mënyrë mbrabsht. Skënderbeu e dinte fare mirë se Moisiu do t’i qëndronte besnik deri në vdekje. Por tradhëtia më famëkeqe u krye nga nipi i Skëndebeut, Hamza Kastrioti, djali i vëllait të tij më të madh. Rivalitetet në atë kohë ishin të zakonshme dhe askush s’kishte frikë të bashkohej me Sulltanin, kjo ishte një lojë shumë interesante e fisnikërisë shqiptare në atë kohë, Skënderbeu dhe Sulltani për shkak të pozitave që i favorizonin...

Me një ushtri turke prej 80.000 vetash, Hamzai u shpall sundimtar i ri i Shqipërisë. Skënderbeu dha përshtypjen se u mund dhe u tërhoq nëpër male... E gjithë historia na del si një kaos, një kaos i vërtëtë politik dhe Skënderbeu shumë shpesh përballej me luftën për mbijetesë. Kjo mbijetesë e tij për 25 vjet ishte vërtetë një mrekulli sepse ai ishte padyshim një udhëheqës ushtarak gjenial.

Më 2 shtator të vitit 1457 në bregun pranë Albulenës (Ujit të Bardhë), Skënderbeu dhe forcat e tij e sulmuan armikun dhe e shpërndanë atë në të katër anët. Numri i të vdekurve osmanë varionte nga 15.000 – 30.000, Hamzai u kap dhe u dërgua në burgjet e Napolit.

Gjatë gjithë jetës së tij, Gjergj Kastrioti zhvilloi rreth 30 beteja, nga të cilat vetëm një e humbi. Betejat e udhëhequra nga Skënderbeu kanë qenë nga më të fortat dhe më të përgjakshmet.

Papa Kaliksti i III-të u gëzua shumë për fitoren. Ai ishte përkrahës i nadh i Skënderbeut, madje ia atribuoj atij titullin “Atlet i Krishtit”.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu thirri një tjetër Kuvend me princërit shqiptarë. Barleti thotë se ato ditë Skënderbeu u sëmurë rëndë nga ethet dhe shëndeti i tij nuk u përmirësua më.

Në veprën e Barletit thuhet se ai vdiq në moshën 62 vjeçare, por për vdekjen e tij ka disa hipoteza. Disa mendonin se vdiq nga sëmundja, kurse disa të tjerë mendojnë se ishte helmuar...

Eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës, më 1480, 12 vjet pas vdekjes së tij dhe u përdorën si hajmali për ushtarët turq. Varri i tij ndodhet në Katedralën e Shën Kollit në Lezhë.

Në muzeun e Vjenës janë ruajtur dy shpata origjinale të Skënderbeut. E para që i është dhuruar nga Papa në Krishtlindje të vitit 1466 që është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjërë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, 121 cm dhe peshon 3.2 kg.

Në të njëjtin muze ruhet edhe përkrenarja e Skënderbeut,e cila ka motive fetare dhe jofetare, siç është simboli i dhisë me dy brirët. Një gjë interesante mbi akronimet e përkrenares është se në latinisht (inperatore) por edhe në italisht, që është shumë e ngjashme, germat shqiptohen imperatore, fjalë që ka disa kuptime shumë të rëndësishme, një prej të cilave është edhe ‘kapiten i përgjithshëm, udhëheqës apo gjeneral suprem’. Kuptimi i dytë është ‘Perandor’, fjalë kjo që vjen nga fjala imperator.

Mendohet se Përkrenarja ishte porositur nga Arqipeshki i Durrësit në atë kohë, Pal Engjëlli. Në mbishkrim kishte fjalën INPERATORE BT, një nga vlerësimet më të mëdha në atë kohë, që do të thotë: “Iezus Nazarenus * Principe Emathie * Regi Alaniae * Terrori Osmanorum * Regi Epirotarum * Benedictat Te *” – e që në shqip përkthehet kështu: “Jezusi Nazarenas (IN) bekon (BT) Princin e Matit (PE), Mbretin e Shqipërisë (RA), Tmerrin e Osmanëve (TO), Mbretin e Epirit (RE)”.

Ndër fjalimet më të rëndësishme dhe që mbahet në mend më së shumti nga populli, është ai pas mbërritjes në qytetin e Krujës kur pati shpartalluar ushtrinë osmane. Ai kishte thënë: “lirinë nuk ua solla unë, por atë e gjeta në mesin tuaj”.

Për figurën e Skënderbeut janë shkruar në të gjithë botën mbi 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestalin më të lartë figurën e tij.

Vlera më e madhe kombëtare e figurës së tij është  se për 25 vjet ai e mbajti larg Shqipërisë ushtrinë turke, duke e thyer pothuajse në çdo betejë rresht, disa herë edhe brenda një muaji. Gjithashtu duke e bërë Shqipërinë si fortesë të pamposhtur dhe duke u bërë një nga gjeneralët dhe mbrojtësit më të mëdhenjë që njeh Europa.

Figura e Skënderbeut i tejkalon kufijtë e Shqipërisë, pasi që për një çerek shekulli ndaloi hovin e Turqisë drejt Europës.

Të gjithë popujt e mesjetës, të cilët nuk arrintën të krijonin një shtet kombëtar, u zhdukën plotësisht si popull. Shqipëria ka shpëtuar si popull pa u asimiluar gjatë 500 vjetëve nën sundimin turk, sepse pushtuesit turq i gjetën shqiptarët në një shtet nacional të formuar.

Sot, emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e mbajnë shumë qendra, sheshe e institucione të ndryshme në kryeqytetet më të rëndësishme të botës. Gjithashtu atij iu ngritën përmendore të shumta në të gjitha anët e botës. Ai mbetet figura më e rëndësishme dhe më e nderuar e shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat