Asim Vokshi, komandanti që udhëhoqi brigadat vullnetare në luftën kundër fashistëve në Spanjë

Historia

Asim Vokshi, komandanti që udhëhoqi brigadat vullnetare në luftën kundër fashistëve në Spanjë

Më: 5 prill 2018 Në ora: 23:18
Asim Vokshi, komandanti që udhëhoqi brigadat vullnetare në luftën kundër fashistëve në Spanjë

Trimat shqiptarë që kanë luftuar për liri nuk kanë qenë të paktë, po nuk kanë qenë të paktë as ata që kanë shkuar e kanë ndihmuar shtetet e tjera në luftërat e tyre kundër shtypësve të popullit.

Një ndër ka qenë edhe Asim Vokshi, Gjakovari i guximshëm që vetëm plumbi e mposhti. Le t’i hedhim një sy gjithë veprimtarisë së tij dhe vendeve që luftoi, se përveç Shqipërisë, Vokshi ka luftuar edhe për Spanjën.

Si fillim Asim Vokshi u lind në Gjakovë, në vitin 1909 dhe ishte djali i Sabrije Vokshit, gruas trimëreshë nga Kosova, e cila ishte me prejardhje nga familja e Sylejman Vokshit, komandantit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vokshi mësimet fillore i nisi në qytetin e lindjes në Gjakovë, në vitet 1916-18 dhe i mbaroi në Kolgecaj.

Shkollën e mesme e kreu në Shkodër. Më pas ndoqi Akademinë Ushtarake në Itali dhe prej nga u kthye më 1932 me gradën nëntoger. Bashkëpunoi me Ali Kelmendin dhe me  pjesëtarë të rinisë përparimtare të kohës.

Në vitin 1935 vendoset në Tiranë edhe nëna e Asimit, Sabrije Vokshi e njohur si Bije Vokshi, e cila mbante lidhje me lëvizjen komuniste shqiptare të kohës. Duke qenë se ishte  edukuar në frymën e pastër atdhetare e revolucionare, Bije Vokshi shtëpinë e saj në Tiranë e kishte vënë në shërbim të Lëvizjes përparimtare, antizogiste.

Në vitet 30-ta të shekullit 20, Asim Vokshi  zhvilloi veprimtari të gjerë aktive, revolucionare dhe mori pjesë në përgatitjen e kryengritjes antizogiste të Fierit më 1935.

Në pragun e kryengritjes u arrestua dhe u dënua me burgim. Në bashkëpunim me Vasil Shanton e të tjerë më 1936 nxori revistën me përmbajtje demokratike e cila mbante titullin “ABC”.

Duhet thënë se  Asim Vokshi, i takonte plejadës së të rinjve revolucionar, rini kjo e cila shquhej për trimëri mençuri  dhe vigjilenca kombëtare. Vokshi ishte një i ri me ideale përparimtare.

Veprimtaria e tij u ndoq nga spiunet dhe rrjetet e agjenteve te Zogut, i cili e burgosi Asimin, mandej e mbajti syrgjyn në disa vende të Shqiperisë, duke e transferuar kohë pas kohe.

Edhe pse në kushte fort të vështira, Asimi përvijon punën e tij revolucionare dhe mban kontakte me Ali Kelmendin, Vasil Shanton, Zylyftar Veleshnjen etj.

Në vitin 1936, Spanja rrezikon të bëhet preja e parë e nazifashizmit. Falangjistët e Frankos u përkrahën ushtarakisht dhe financiarisht nga Gjermania e Hitlerit dhe Italia e Duçes. Shtetet e fuqishme evropiane si Franca dhe Britania e Madhe me politikën e tyre të mosndërhyrjes miratuan heshturazi robërinë e popullit  spanjoll.

Së bashku me shumë revolucionarë nga Kosova e Shqipëria, si  me  Xhemal Kadën,  Mehmet Shehun, Petro Markon, Justina Shkupin e të tjerë, Asim Vokshi  shkon në Spanjë në vitin 1937, me qëllim për të për të luftuar dhe për ta përmbysur diktaturën e egër fashiste të Frankos.

Asimi, sapo shkeli në tokën e Spanjës, u inkuadrua në divizionin e internacionalistëve italianë që mbante emrin e heroit kombëtar të Italisë, Giuzepe Garibaldi dhe ku në sajë të meritave dhe zgjuarësisë së tij arrin të bëhet komandant i një kompanie garibaldiane.

Asimi, i cili kishte kryer edhe akademinë ushtarake, ishte në mesin e komandove më të njohur sidomos në vendin e quajtur Fuente del Ebro, ku ishin zhvilluar beteja të përgjakshme në mes të internacionalistëve dhe fashistëve të Frankos, të përkrahur nga Gjermania e Hitlerit dhe Italia e Musolinit.

Bie heroikisht në Fuente del Ebro, duke luftuar ballë për ballë forcave mercenare frankiste. Eshtrat e këtij trimi te madh u treten në ujërat e rrëmbyeshme të Ebros, në ato ditë të përgjakshme lufte.

Vullnetarët shqiptarë të Luftës së Spanjes kanë qenë:

Asim Vokshi, Daut Muço Podgorani. Emrush Myftari, Emin Agolli, Fehmi Muço , Faik Dardha, Hamdi Kolonja, Hulusi Spahiu, Ibrahim Kurani, Iljas Pashaj, Justina Shkupi, Kosta Dhimitri, Kosta Kollumbi, Mane Nishova, Mehmet Shehu, Musa Fratari, Nevruz  Feimi, Petro Marko, Qamil Sherifi, Ramiz Varvarica, Sabri Lumani, Skënder Luarasi, Stevens Thanasi, Stefan Duni, Shaban Basha, Teni Konomi, Thoma Rushano, Thimio Gogozoto, Urfi Agolli, Veli Dedi, Xhafer Miraku, Xhelal Bajrami –Çami, Xhemal Kada,  Omer Puka,  Zef Hoti, Zef Prela, Zihni Murati, Niko Plaku etj. /Konica

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat