Çetnikët e Pavle Gjurishiqit

Historia

Çetnikët e Pavle Gjurishiqit

Më: 19 prill 2018 Në ora: 23:21
Pavle Gjurishiq

Dëshmi për masakrën e kryer në 82 fshatra shqiptare në Krahinën e Bihorit më 5 – 6 janar të vitit 1943 nga ana e forcave çetnike serbo-malazeze, të udhëhequr nga krimineli i njohur çetnik, Pavle Gjurishiq, ku siç bëjnë të ditur dokumentet arkivore shqiptare, brenda dy ditëve janë vrarë, therur, masakrua mbi 3.700 banorë shqiptarë

Historiografia shqiptare në dy dekadat e fundit ka bërë përpjekje të dukshme për zbardhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve politiko-ushtarake në trevat etnike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë qëllim janë organizuar me dhjetëra simpoziume shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj, në të cilat janë ofruar fakte dhe dëshmi të pakontestueshme për krimin dhe gjenocidin ndaj popullsisë civile shqiptare nga ana e forcave të ndryshme pushtuese jugosllave (çetnike e komuniste), siç është masakra e Tivarit, Dubrovnikut, Bllacës së Shkupit e shumë e shumë të tjera.

Është e rëndësishme të vihet në pah, se studiuesit shqiptarë, në punimet e tyre studimore (ndoshta me të drejtë), rëndësi më të madhe i kanë kushtuar periudhës shtator – dhjetor 1944, kur brigadat e shumta komuniste e çetnike jugosllave pasi ripushtuan viset shqiptare vranë, masakruan, burgosën, torturuan mijëra civilë shqiptarë. Mirëpo, krimet sllave ndaj kombit shqiptarë nuk mund të kufizohen vetëm në këtë periudhë të shkurtë kohore, sepse ata janë kryer në vijimësi (sa herë që u është dhënë mundësia), e që për fat të keq deri më sot kanë ngelur në errësirë. Dëshmi për këtë që u tha më sipër është edhe masakra e kryer në 82 fshatra shqiptare në Krahinën e Bihorit (Zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake fashiste italiane), më 5 – 6 janar të vitit 1943 nga ana e forcave çetnike serbomalazeze, të udhëhequr nga krimineli i njohur çetnik, Pavle Gjurishiq, ku siç bëjnë të ditur dokumentet arkivore shqiptare, brenda dy ditëve janë vrarë, therur, masakrua mbi 3.700 banorë shqiptarë, qindra të tjerë janë zënë rob (shumica gra e vajza të reja), mbi 15.000 janë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në vende më të sigurta etj. Se çfarë në të vërtetë ndodhi në këtë krahinë shqiptare, ekskluzivisht nëpërmjet gazetës KOHA po i shpalosim 7 dokumente (Promemorien dërguar kryeministrit të atëhershëm shqiptar zot. Ekrem Bej Libohovës nga ana e Komisioni të zgjedhur enkas për ta konstatuar gjendjen faktike si dhe 6 dokumente tjera që i janë bashkangjitur asaj, në të cilat në mënyrë të pakontestueshme dëshmohet krimi dhe gjenocidi serbo-malazias mbi banorët shqiptar të kësaj zone), që gjenden në Arkivin Qendror Shqiptar. Dokumentet në fjalë do t’i paraqesim në formë origjinale. 


“Tiranë, me 30 Kallnuer, 1943-XXI, Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave 
Shkëlqesi 
Në vijim të kthjellimeve që patëm nderin të Ju apim mbi ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Bihor, në krahinat e Senicës e të Bjelopolës, sikurse na porositët, po paraqitim së bashku me këtë shkresë, nji relacion mbi ato mizorina, i forcuem me dhjetë copë dokumenta provuese. Shkëlqesia e Juaj e din vehtë se ç’masa duhet marrë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve – gadi 10.000 shpirt – që janë tue vuejtun keqas, si edhe mbi çka duhet bamë qi ata mizorina mos të përsëriten dhe populli mund të shkojë në vend të vet. Edhe mbi atë pikë simbas porosisë së Juaj, e kemi dhënë mendimin tonë këshillues. Tue qenë të sigurt se Qeverija Mbretnore do t’a merrë parasysh këtë çështje me rëndësin e me ngutësin që meriton, mbeteni me shumë nderime. 

N’emër të muhaxhirëve të Bihorit 
P.S. 
I lutemi së ndershmes Kryesi t’ia përcjellë sa më parë Kryqit të Kuq Shqiptar dokumentat origjinale, mbasi atij instituti i janë drejtue. 

II 

Promemoria mbi ngjarjet e tmerrshme në zonën e Bihorit 
1.- Katundet shqiptare të Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, në zonën që quhet neutrale, midis Malitzi dhe Shqipnis, sepse nuk mvaret prej Administratës malazeze por as nuk asht e bashkueme me Mbretnin shqiptare , janë ba lama e nji tragjedije të tmerrshme qi ndodhi në ditët 5 e 6 Kallnuer 1943. 
2.- Banorët e atyne krahinave fatkeqe qi priteshin me padurim, por plot shpresë e besim, bashkimin e tyne me Nanën Shqipni, sikurse e don e drejta dhe vullneti i atij populli qi ka vuejtun për kohë të gjatë nën zgjedhën e Malazezve, u ban dëshmorë të nji dëshire të shejtë, ata kanë pa me sy, ndër ato ditë të zeza, çka nuk ka ndodhur kurrkund ndër vise t’ona. 

3.- Çetnikët malazez e serb, katër a pesë mijë, dhe ndoshta ma shumë, nën komandën e Vojvodës Pavle Gjurishiq ose t’urdhënuem prej “tij” u avitën tinas katundeve të Bihorit, tue kalue lumin, togje – togje, në të mugët e natën. Sa t’a kuptojë popullsia rezikun, çetnikët, u vërsulën kundër saj si bisha t’egra dhe e filluan me terbim veprën e tyne shnjerëzore tue prishun, tue gjegun e tue masakrue. Në pak kohë 82 katunde u prishën e u shfaruen. Banorët e tyne, të tmeruem, duelën në mes të natës prej shtëpizave që të shpëtojnë prej zjarrit, të veshun e të shveshun. Por ranë në duert e çetnikëve t’egjër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kuryen as pleq, as gra, as fëmijë të njomë. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëve, e gjet vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit. Kush mundi t’i shpëtojë vdekjes tue ikur, ka me e pasë për gjithë jetën në trup e në shpirt, vulën e tmerit e të vuajtjeve. 

4. – Bilansi i ditëve tragjike të Bihorit, shkurtimisht, asht ky: Shtëpija të djegura 1763, burra të vramë 590; të therun 185, gra të vramë 340; gra të theruna 285, fëmijë të therun 701; të djegun 705, të grimë prej të ftohtit: fëmijë 447, gra 266, burra 119, të vdekur nga urija, të plagosur: burra 359, gra 275, të marrun rob (gra e vajza) 251. Pra, gjithsej, si mbas hetimeve të bamë me shpejti, del se të vdekurit janë 3741 dhe të plagosunit 634. Sa për 251 shpirt qi mungojnë, shumica e madhe e të cilave asht gra e vajza, këto do të jenë marrë rob qi t’u shërbejnë çetnikëve qi t’a plotësojnë veprën e tyne të turpshme e shnjerzore. I takon botës së qytetnueme t’i peshojë e t’i gjykojë këto mizorina. Mallkimi i Zotit le të bien pa mëshirë mbi ata q’i mendojnë e i kryejnë; dënimi i Drejtësis njerëzore le t’i ndëshkojë shkaktarët e kësaj kërdie qi janë tregue bisha të pashpirt. 

5.- Shkaktar kryesuer i këtyre mizorinave mund të quhet Vojvoda Pavle Gjurishiq, shokët e çetat e tij. Ay paturpësisht pretendon se i asht shtrue autoriteteve ushtarake italiane të Maltzi dhe se bashkëpunon me to. Vepra kriminale e kryeme kundër Shqiptarëve të pafajshëm e të pamprojtun të Bihorit e provon plotësisht se Gjurishiqi dhe çetnikët e tij janë anmiq të betuam të fisit shqiptar. Janë gjithashtu anmiq të papajtueshëm t’Italisë: e treguen përpara dhe do t’a provojnë rishtas në ma të parin rast të volitshëm. Qi Pavle Gjurishiqi e organizoi planin e masakrit në Bihor dhe ndofta e zbatoi në vend, nuk duhet të ketë dyshim. Dëshminat e atyne q’i banë çetnikët në veprim e sipër; shenjat qi ata lanë në lamën e kërdisë s’provojnë mjaftësisht fajin e tij. Por, veç këtyne provave asht fakti se nuk mund të merret me mend qi, ndër ato vise, mund të veprojë nji çetë e madhe .

4- 5 mijë vetësh pa dijen e pa lejen e tij. Në nji proklamatë të shpallun e të nënshkrueme prej tij, mbas masakrit, ay thotë tekstualisht: “Tragjedija e katundit Burgjeve ka sjellë dëshpërimin e popullit t’onë në kulm dhe ky ka eksplodue. Populli vetë asht çue me marrë gjakun dhe njëkohësisht me u mbrojtë. Kanë ndodhun tmere të pa mbajtura në mend deri më sot, qi ka qenë e pamundur me i ndalue. Komanda e çetnikëve dhe kryetarët e njësive të mija s’janë pjesëmarrës në këtë…” Qi ay gënjen pa turp, duket faqas, sepse çetnikët me uniforma e me të gjitha shenjat dalluese të tyne: ata e kryen kërdinë e jo katundarët malazias. Kjo gja asht evidente, e dukshme qartësisht, e pamohueme.

6.- Pavle Gjurishiqi flet, në Proklamatën e tij, për “tragjedinë e katundit Burgjeve” dhe, me këtë, don të thotë se faji asht i popullsis shqiptare, e cila i ka dhanë shkak munxynes së Bihorit. Kjo asht nji renë qi e akuzon dhe nuk e shfajëson. Ja si qëndron puna: Gadi dy muej ma para, malizas të katundit Burgjeve qi nuk shkojnë me Shqyptarët, mbassi shumë ndër “ta” e kanë zanat grabitjen dhe janë çetnikë, e atakuan katundin shqiptar Bular, rëmbyen 40 krenë lopë, 250 berra dhe vranë dy bari. Dy javë ma vonë, Shqiptarët e vendit, tue drojtun dhe kërcnime të tjera, u mbështjellën dhe shkuen në katundin Burgjeve, ku kishin mësue se gjindet nji pjesë e baktive të grabitun. Atje u pritën me pushkë prej çetnikëve dhe kështu u ndes nji luftë midis tyne. Përfundimi asht se u vranë disa nga të dy palët, u dogjën 5-6 shtëpi, por nuk u damtue as nji njeri qi nuk mori pjesë në luftim, as nji grue nuk u vra, as nji fëmijë nuk u plagos. Asht marri e thjeshtë të gjykohet se me ngjarjen e Burgjeve, të shkaktuese prej malaziasve, popullsia shqiptare ka provokue ahmarrjen e Bihorit. Kryeparë vihet re se katundi shqiptar Bulari, qi u ba shkak për ngjarjen e Burgjeve, as nuk gjindet midis atyne 82 katundeve që janë shkatrre prej çetnikëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat