Dorian Koçi: Skënderbeu në Plejadën Franceze

Historia

Dorian Koçi: Skënderbeu në Plejadën Franceze

Më: 26 prill 2018 Në ora: 23:43
Skënderbeu në Plejadën Franceze

Skënderbeu dhe qëndresa e tij (1443-1468) ishin kthyer prej kohësh në Europë edhe shekull pas vdekjes së tij në referenca të rëndësishme politike ushtarake për fatin e e vet Europës.

Kjo qendresë jo vetëm që rriti rolin e prestigjin e tij në elitën princërore europiane por shërbeu shumë më vonë si kredenciale e admirueshme e shqiptarëve në fatet politike dhe kulturore të kontinentit.

Në Francë ai bëhet i njohur përmes veprës së Jacques De Levardin-it “Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbretit të Shqipërisë” botuar në 1573 në Francë.

Kjo vepër ishte një përshtatje e lirë në frëngjisht e Historisë së Skënderbeut të Marin Barletit. Më herët poeti i shquar francez Pierre De Ronsard (1524-1585) i i kishte kushtuar një sonet figurës së Skënderbeut.

Pierre De Ronsard ishte më i madhi poet lirik i kohës së tij. U godit nga shurdhëria që në të ri dhe vendosi t’i kushtohej krejtësisht letërsisë. Filloi të shkruajë nën ndikimin e Horacit e më pas të Pindarit e të Petrarkës.

U bë kryetar i Plejadës, një nga shkollat më të rëndësishme poetike franceze, e cila solli një fluturim të vërtetë poetik, të paparë gjer më atëherë në poezinë franceze. I kritikuar nga Malerbi dhe Bualoi pas vdekjes, për rreth dy shekuj emri u harrua.

U rivlerësua dhe iu dha vendi që meritonte në poezinë franceze, në fillim të shekullit XIX, nga kritiku i shquar Sen Bëv. Soneti i Ronsar-it u botua në krye të veprës së Levardenit.

Mesa duket Ronsari nuk ishte në dijeni për botimin e veprës së Barletit dhe autorëve të tjerë kushtuar Skënderbeut, prandaj i thurr lavde Lavardenit, si të parit që bëri të njohur veprën heroike të Skënderbeut.

Interesant është fakti që ashtu si vet Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu që mëtonte origjinën epiriote të shqiptarëve në letrën e vet dërguar Princit të Tarentit, edhe poeti e revokon këtë origjinë nëpërmjet heronjve të antikitetit epiriotë si Akili dhe Pirrua.

Heroi Kombëtar i shqiptarëve frymëzonte pareshtur edhe shumë vite pas vdekje së tij , artin dhe letërsinë evropiane duke qenë në këtë mënyrë , një hero jo vetëm i shqiptarëve por edhe i gjithë qytetërimit evropian.

Soneti ka ardhur në shqip nën përkthimin mjeshtëror të Vedat Kokonës, këtij intelektuali dhe përkthyesi eruidit të kulturës shqiptare.

Sonet për Skënderbeun

Veç kuaj të harbuar dhe race s’nxjerr Epiri

Që dalin fitimtarë në vrapin olimpian;

Por nxjerr dhe luftëtarë kreshnikë të tillë me nam

Që mburren se në rrembat u lëvrin gjak Akili.

Pirron kam dëshmitar, atë fatos vigan,

Që kurrë s’u mund gjersa n’Argos iu këput filli,

Dhe Skënderbeun që mundi popullin skithian,

Atë nga gjithë Azia që jashtë ka nxjerrë ungjillin

O nder i shekullit! Shqiptar, ti trim i ndjerë,

Që shpartallove turqit njëzet edhe dy here

Që gjithë ushtrisë së tyre i kalle lemerinë,

I vdekur do të ishe, atje në varr harruar,

Sikur ky Levardeni të mos i kish fituar

Sërish ato beteja që t’amëshojnë lavdinë.

Bibliografi;

Antologji e Poezisë franceze. Poezia përkthyer nga Vedat Kokona.

Ymer Jaka. Skënderbeu në historiografinë frënge. Instituti Albanologjik i Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat