Nuk e prisnim që dikush të anashkalonte Shkodrën për Lezhën. Për herë të parë dëgjohej kjo gjë. Superiori ynë nuk ndërhyri, ne të tjerët vetëm dëgjonim. Me gjithë përpjekjet e të parit tonë të mësonte diçka më shumë, kur nisi parashtrimi i pjesës praktike, toger Hansi nuk e thoshte se ku do të përfundonin objektet e gjetura: në Shkodër, Lezhë apo në Vjenë. Vazhdimisht e thoshte se do të hapnin një muze, vendin e muzeut e ngatërronte. Herë e përmendte Lezhën, herë Shkodrën, përnjëherësh bënte aluzione për Muzeun perandorak në Vjenë.
-Gjetjet arkeologjike nga Lezha do të zënë vend të denjë në Muze, - e vinte në pah, thuajse me këtë na bënte nder. Për ta davaritur atmosferën e pakëndshme me përgjigjet e munguara, ai fliste me entuziazëm.
-Më kanë mrekulluar armët e mbretit tuaj- na thoshte, duke e ndjekur reagimin tonë.
- I kam shikuar shumë herë dhe i kam studiuar me interesim të veçantë.
Superiori ynë e ndiqte në heshtje. Ushtaraku austriak përpiqej të na bindte në përkushtimin ndaj Skënderbeut. Dikur superiori ynë nisi të tregohej më i matur e më fjalëpakë. I tha që unë shërbeja në famullinë e qytetit, në kufi me katundet përreth, ku do të kthehesha pas disa ditësh, kështu që sa herë të haste në ndonjë vështirësi apo paqartësi mund të më konsultonte.
-Ne nuk përziheshim në punët politike e as në ato ushtarake, - i tha përgjegjësi ynë.
Mbase të bënte përshtypje, a të fitonte simpatinë tonë, e tha se ishte pinjoll i një familjeje të njohur vjeneze, si të donte të thoshte se edhe ai rridhte nga një familje në zë, duke e njohur psikologjinë tonë të familjeve të fisme, që po pakësoheshin gjithnjë e më shumë.
Togerit austriak i tregova se në Lezhë hulumtuan edhe më parë ushtri e aventurierë nga Perëndimi e Lindja. Nuk e dinim çfarë kërkonin e çka gjetën. Asnjëherë nuk u dhamë zemër, as nuk patëm mundësi t'i zbythnin. Prandaj, nuk e dinim çka zbuluan e çka mbetën pa zbuluar, përderisa kërkonin me ngulm.
Dita po jepte shpirt. E ftuam në darkë pas mbrëmësores, por togeri na tha se nxitonte të sistemohej. Nesër në mëngjes do të shihte terrenin e gërmimeve. Ne iu kthyem obligimeve tona, ai u nis me nxitim.
Hapat nëpër kalldrëmin e vjetër paralajmëronin një rregull të ri, të paparë deri atëherë. Arkeologu ushtarak do të hapte barkun e qytetit të vjetër të Lezhës, do të nxirrte nga toka e nuk do të fuste asgjë në të, ashtu sikurse bënin zakonisht ushtritë në kohë lufte. Ai do të fillonte nga varret antike.
Lajmi për çeljen e varreve të vjetra u përhap si rrufe në qytet. Të mësuar me zhvarrime e hapje varresh nga ushtritë që vinin e shkonin, prapë qyteti gumëzhinte. Sikur u mbetej hatri në austriakët, sepse ishte e pritshme një gjë e tillë nga ushtarët turq apo serbë, bie fjala.
“Qytetit do t’ia nxjerrin rropullitë”, se kush e tha me sarkazëm që u dogji të gjithëve.
-Çka duen?- pyesnin lezhjanët.
-Çka tjetër, pos arit e gjanave me vleftë të gjyshave tanë, - ia priste një i tretë, i ardhur nga katundi, sepse nuk kishte asgjë alla franga në trup. Tirqit, plisi e xhamadani e shquanin, opingat me toja i rrinin shtrëngueshëm në këmbët e mëdha.
Grumbullit të kureshtarëve e bjerrakohësve u fliste një i ri:
-Dojnë të stolisin muzetë e tyne me veprat tona, - u tha ai.
I riu studionte në Romë, ndërsa shquhej me veshjen karakteristike që dallohej nga veshja e vendësve. Unë përpiqesha t’i qetësoja që të shihnin punën e tyre, sepse s’mund të ndryshonin asgjë.
-Pader, nuk e thotë Zoti që të vijnë nga anë e anës e ta marrin mallin tand, - më tha një plak.
- Atë që nuk e thotë Zoti, e ban robi, - i thashë i dëshpëruar.
Plaku iku rrugës së vet, por të tjerët mbetën në grumbull. I druaja ndonjë rrëmuje, sepse austriakët për padëgjueshmëri ndëshkonin rreptë.