Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 24

Historia

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 24

Nga: Gani Mehmetaj Më: 14 gusht 2018 Në ora: 11:58
Gani Mehmetaj

Ringjallja!
(Nga kronika: Viti 1487 pas Krishtit)

“Vetëm njëri -biri i Zotit- lëvizi nga varri. Vetëm atë nuk e gjetën në shpellën ku e varrosën. Perandoria Romake prej asaj dite mori rrokullimën, u gremis”, dilnin me zemërim shkronjat nga letra që i drejtohej për herë të dytë padër Antonit.

“Çdo mendim ndryshe është blasfemi, është kundër përcaktimit të kishës. Të jesh i kujdesshëm edhe në kërkimin e varrit. Pelegrinazhe mund të bëjnë besimtarët në ato vende që i shpall të shenjta kisha e jo famullitarët”.

“ Nuk druaja nga letra kërcënuese. Fryma ndëshkuese e kishës nuk kaloi asnjëherë në Gadishullin Ilirik që nga koha e ndjekjes së bogumilëve. Kamxhiku i bizantinëve u shua, kamxhiku i hordhive islame tepronte. Më pengonte frika e qendrës që i druante mosqenies së varrit, aq sa i druante qenies së tij. Prandaj, pavarësisht nga letra, unë vendosa të veproja: Me një grup malësorësh nisa kërkimet e para të një varri të pazakonshëm. Kërkimet i bënim natën në fshehtësi. Më shumë donim të përcaktonim një varr të veçantë, por jo ta hapnim. Trupat turke, sipër qytetit, e braktisën kështjellën, ditën kur u tha se malësorët e çliruan Pejën, Gjakovën e Prizrenin.

Pritej mësymja e kryengritësve këndej Alpeve. Forcat turke e tartare nuk guxonin të ktheheshin. Vendësve u dukej i pazakonshëm qyteti pa pushtet e pa ushtarë. Ikja e turqve u shkonte për voli, megjithëse të gjithë druanin nga ndonjë joshje e grupeve të pakontrolluara, të cilat mund të terrorizonin qytetin, apo të nisnin sërish hapjen e varreve. Sidomos hapnin varret katolike, ku ua thoshte mendja se mund të gjenin flori a gjëra të çmuara. Dhe të vrisnin pa një pa dy, po u shkoi mendja se mund të përfitonin. Askush s’do t’i ndëshkonte.

Pas disa përpjekjeve varrin e fiksova, sepse mendoja se duhej të caktohej një vend pelegrinazhi, ku njerëzit do të shkonin, të faleshin e të luteshin, të shtronin kërkesa, po edhe të bënin betime. Ata kishin nevojë për shenjtorë. Kohë të gjatë më bëhej se ishin pa Zot e pa frymën e shenjtë, shpresat i borën, kështu që një vend i shenjtë do t’u bënte mirë.

Më thanë se afër katedrales grupe njerëzish në dritën e hënës, apo në natën pa yje luteshin fshehurazi, të krishterë e myslimanë. Të gjithë e dinin se aty duhej të qe varrosur mbreti i Arbërisë, prandaj i luteshin t’u ndihmonte, të ndërmjetësonte e t’ua lehtësonte vuajtjet e fatkeqësitë, sepse fatkeqësitë nuk iu ndanë që nga koha kur ai ndërroi jetë.

Lexova kronika të fretërve. Ato nuk e thoshin me saktësi ku duhej të ishte varri. Dyshoja se mund të gjeja diçka aty ku e futën kazmën llazët e Detit të Zi. të cilët u bënë të njohur në perandori për zhvarrime të personaliteteve a nishaneve të njohura me gurë të çmuar. Koha nuk priste. Kërkoja shenjat e varrit të zbrazët. Pra, i mata pikat, u tërhoqa nga qendra, sepse kronikat thoshin se qendra e qyteti që bërë pre e kërkimeve të organizuara të aventurierëve. Periferia mund të ofronte më shumë.
Megjithëse kërkimet dolën shterpë, nuk u befasova, më shumë doja ta vërtetoja një teori në të cilën u binda më herët. Hamendësimi me brente kohë të gjatë, nuk më zinte gjumi. Publikisht nuk mora guximin t’ia thosha askujt, nuk ia pëshpërita as priftit në rrëfimore.

T’i flisje hamendësime që s’t’i kapte mendja, ishte vështirë, do të më merrte të shkalluar, apo të frymëzuar nga qoftëlargu. Ndërkaq, kjo më bindi më shumë sesa kronikat e mëparshme të vëllezërve françeskanë, të cilët deri në një e kishin këtë dyshim. Dyshimin që i brente herë e shprehnin më me guxim, herë e nxirrnin ndonjë pikëpyetje, kur u mungonte guximi.

Në një qarkore të fshehtë, që më kishte rënë në dorë, thuhej se besimtarëve të Arbërisë duhej t’u bini vijë, t’i shlyenin nga regjistri i të krishterëve. Ata po bëheshin të rrezikshëm si për Perandorinë Osmane, ashtu dhe për krishterimin, ata po e krijonin një Zot të ri. Mbreti i tyre vdiq një herë, ndërsa tash përhapen zëra sikur është ringjallur...

Sërish u vumë në mes të kudhrës e çekanit: Perëndimi na braktisi, Lindja na rrihte pa mëshirë nën kudhër. Në Ipeshkvinë e Tivarit, nga kalova para se të dilja majave të rrëpinjta të Dardanisë, më pyetën: a është e vërtetë se e kanë parë hijen e Skënderbeut, t’u printe kryengritësve? Ishin thurur legjenda që s’t’i kapte mendja. Rrudha krahët, sepse nuk e kisha dëgjuar.

Prifti i Shasit, ku e kalova natën, ma tërhoqi vëmendjen me pëshpërimë: “Kujdes nga turqit! Por kujdes edhe nga të dërguarit e përtej detit. Ata nuk e pranojnë se mund të lëvizte nga varri dikush që kishte vdekur një herë”.

Turqit më ndiqnin këmba-këmbës për lëvizjet e mia të shpeshta. Përtej detit kishin dyshimin tjetër, sikur unë i vija në lëvizje besimtarët me hijen e Skënderbeut. Ata nuk donin trazira.

Ipeshkvi i Tivarit nuk pati kohë të më pranonte. Të kërkosh trupin e varrit të braktisur është punë me rrezik. Lajmi se dikush e kërkonte varrin e Gjergjit u përhap shpejt. Lajmi ishte aq më i habitshëm, kur flitej se varrin e kërkonte shërbëtori i Zotit. Njerëzit rrëqetheshin me habi të dyfishtë. Njëra palë, ata më të rinjtë, i përshkonte një ndjenjë e veçantë e entuziazmit, më të moçmit ofshanin me pikëllim.

Por disa edhe më të vjetër, me të dëgjuar kumtin disi të pabesueshëm, lëviznin kokën e frikësoheshin: një varr ka njeriu, qoftë mbret a malësor. Në mendjen e pleqve, që po e gllabëronte errësira, u dilte turbullt një varr i zbrazët dhe një njeri në qiell. Trupi i atij që e braktiste varrin u ngatërrohej, fytyra një herë u dukej e qetë, me qetësinë qiellore, por me plagë në kokë e gjak në fytyrë, herë u dukej më egërshane me shpatë në dorë që lëshonte zë kushtrimi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat