Diplomacia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Historia

Diplomacia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Gjon Keka Nga Gjon Keka Më 21 shtator 2018 Në ora: 19:04
Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Kombi shqiptar, por po ashtu edhe gjithë familja europiane, nuk mund ta mendojnë qenien e tyre pa strategun, arkitektin e unitetit europian, vizionarin, personalitetin mbikohor që la gjurmë të përjetshme në historinë e përgjithshme të Europës dhe të botës mbarë, pa Gjergj Kastriotin. Vlerat sublime të kombit unë i shoh si rreze të përjetshme të tij, ndërsa shpirtin e kombit si diellin e tij. Mund të thuhet se mbreti i dashur i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti, është ende gjallë, pasi ai ishte njeri me virtyte të pavdekshme heroike, një personalitet i madh dhe model i denjë për t’u ndjekur. Ai ishte burrështetas i madh, njeri me dashuri të zjarrtë për kombin e tij dhe për rrënjët e lashta europiane, si dhe avokat i të gjitha kohërave të qytetërimit europian. Kështu që Kombet, por sidomos ato që i kanë rrënjët e lashta, kanë pasur fatin të përfaqësojnë kombet më të sulmuara nga kthetrat e ujqërve barbarë, me gjithë përpjekjet e tyre për t’i nënshtruar, pastaj skllavëruar dhe shkulur rrënjët e lashta të kombit shqiptar.

Gjithmonë ky komb,ka pasur fatin të jetë i mbrojtur si nga dora e dashur e Atit qiellor ashtu edhe nga njerëzit, të cilët kanë pasur bekimin e tij që ta mbrojnë kombin nga shuarja e tij totale dhe nga deformimet prej demoni në fytyrën e historisë së këtij kombi. Një ndër personalitetet kryesore të kombit shqiptar europian, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar, si dhe në atë të historisë botërore dhe europiane në veçanti, është Gjergj Kastrioti, strateg, diplomat dhe lidership vizionar i kombit shqiptar. Politika dhe diplomacia e urtë e Gjergj Kastriotit përbënin shtyllën-bazë të politikës dhe të diplomacisë europiane të shekullit XV.

Pa këtë figurë qendrore, pa këtë personalitet të vlefshëm të kombit shqiptar europian dhe të gjithë Europës si familje, kurrsesi nuk do të mund t’i kuptonim themelet e qytetërimit të Europës dhe të shpirtit të saj historik e natyror. Gjergj Kastrioti, gjatë përpjekjeve të mëdha historike kishte dy objektiva strategjike-politike: e para, ajo çfarë vendi kishte më së shumti nevojë ishte liria (e brendshme dhe e jashtme), çka nënkuptonte edhe pavarësinë e vendit. Ndërsa e dyta, rikthimi i kombit shqiptar në vendin e tij shpirtëror, kulturor e të natyrshëm,pra në familjen e gjerë europiane, që nënkuptonte rikthim në identitetin europian të kombit shqiptar, pasi pushtimi barbar turk e kishte skllavëruar, deformuar dhe ndalur në kohë këtë komb në rrugën e tij drejt të ardhmes, në unitet me familjen e saj europiane. Shekulli XV është shekulli i diplomacisë së fitoreve të Gjergj Kastriotit; shekulli XV është shekulli i përpjekjeve të tij historike në çlirimin e plotë të kombit shqiptar nga barbarët turq, si dhe i vendosjes së kombit shqiptar në kohën europiane dhe në dinamikën e përgjithshme të zhvillimit drejt të ardhmes së përbashkët si familje. Shekulli XV, po ashtu, është shekull i testit diplomatik dhe gjeopolitik të Europës në zhvillimin e politikës së saj të jashtme dhe të vendosjes së bazës së saj të fuqishme në ruajtjen dhe në jetësimin e vlerave të saj shpirtërore, kulturore etj., si dhe mbrojtja nga barbaria e egër turke dhe nga erërat ideologjike të kësaj perandorie barbare. I tërë aparati i diplomacisë ishte vënë në shërbim të mbrojtjes dhe ruajtjes së identitetit europian, në mbrojtje të kombit shqiptar dhe të Europës nga hordhia barbare turke. Zakonisht, rrallëherë ndodh që nga kombet të dalin princër me virtyte të lindura dhe me talent, për të udhëhequr fatin e kombit të tyre.

Porse Gjergj Kastrioti ishte një princ i lindur, me cilësitë që ne zakonisht i quajmë heroike dhe me aftësi të jashtëzakonshme, si në fushën e artit luftarak ashtu edhe në fushën e të bërit politikë dhe të artit të diplomacisë. U shpreha se ai u përkiste atyre princërve me virtyte të lindura dhe me talentin si dhuratë, sepse në atë kohë, respektivisht në shekullin XV, ndikimi i tij si strateg ushtarak dhe si diplomat e politikan ishte vendimtar për fatin dhe të ardhmen e Europës dhe të qytetërimit të saj. Pra, për ta shprehur më saktë, fati i gjithë kontinentit europian ishte në duart e tij dhe të Huniadit, prandaj ndikimi i tyre në ruajtjen dhe në mbrojtjen e këtij kontinenti nga barbaria e perandorisë otomane ishte vendimtar dhe i pakontestueshëm. Qëllimi i tij nuk ishte zgjerimi apo pushtimi i kombeve të tjera; Gjergj Kastrioti kishte përcaktuar hapat e tij të vetëm në çlirimin e vendit nga pushtimi i egër otoman dhe kërkonte mbrojtjen e përbashkët të familjes së kombeve europiane. Gjergj Kastrioti e njihte mirë vullnetin e babait të tij, vullnet të cilin e kishte edhe ai, dhe mbi këtë dëshirë dhe dashuri për atdheun ai i përcaktoi edhe hapat e ardhshëm për t'iu kundërvënë pushtuesit barbar otoman me të gjitha mjetet dhe me tërë fuqinë, deri në lirinë e plotë të kombit shqiptar europian nga skllavëria dhe pushtimi i egër turk. Shteti shqiptar europian gjatë qeverisjes së Gjergj Kastriotit u bë shteti mbrojtës i vlerave dhe i qytetërimit të familjes së përbashkët europiane. Po ashtu, ky shtet u bë modeli i demokracisë dhe i zhvillimit të jetës politike efektive dhe kushtetuese.

Ne mund ta shqyrtojmë gjendjen e tanishme të Europës dhe të konstatojmë fuqishëm arsyet që e mbrojtën atë, si dhe qytetërimin e saj të paprekur nga ideologjia sulltaniste. Ishte shteti shqiptar europian, i qeverisur nga Gjergj Kastrioti, i cili u bë mur i pakalueshëm dhe mbrojtës i fuqishëm i këtyre vlerave shpirtërore e materiale të familjes së përbashkët europiane. Qëllimet e tij për të ardhmen e kombit shqiptar ishin të qarta, ndërsa marrëdhëniet me princat europianë dhe Papët e kohës ishin të qëndrueshme dhe në funksion të realizimit të vullnetit politik dhe të ruajtjes së përbashkët të vlerave shpirtërore, kulturore dhe kombëtare europiane. Po ashtu, ai e kishte zgjedhur – përveç artit luftarak – edhe artin e diplomacisë, si ligj ndërkombëtar për të forcuar pozicionet e tij politike-strategjike, ato të së drejtës dhe të degëzimit të përbashkët me kombet dhe me princat e tjerë europianë, në shporrjen e perandorisë së errët otomane nga tokat e uzurpuara europiane. Gjergj Kastrioti, si strateg i urtë dhe diplomat aktiv, i bënte planet për çlirimin e kombit shqiptar europian nga pushtimi barbar otoman në harmoni me proceset dhe me mbështetjen e politikës së përbashkët europiane. Por kjo nuk do të thotë se ai, nëse nuk do ta merrte ndihmën nga princat e atëhershëm europianë, të mos e realizonte këtë plan të shpëtimi të kombit. Sepse ai tashmë e kishte të qartë, si dhe e kishte projektuar planin – para se të zbriste në Krujë dhe ta kthente atë në një kala të madhe të mbrojtjes së kombit shqiptar dhe të qytetërimit europian.

Thjesht, ai i mbante sytë nga e ardhmja; ndiqte gjurmët e rrënjëve të lashta të kombit; ai e kishte kthyer kohën në mjetin më të madh, me anë të së cilës realizonte në praktikë programin e tij politik kombëtar, ushtarak dhe diplomatik, në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë së kombit shqiptar nga pushtimit barbar turk. Ky vlerësim, në njërën anë tregonte bëmat e tij titanike, ndërsa në anën tjetër talentin e lindur dhe kurajën heroike. Me shumë bindje mund të thuhet se Gjergj Kastrioti ishte kujdestari kryesor i vlerave të qytetërimit të përbashkët europian dhe ruajtësi i gjenit dhe i identitetit historik kombëtar të shqiptarëve, si përfaqësues të një kombi të lashtë të familjes europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat