Meteoni - Kryeqendra e Labeatëve

Historia

Meteoni - Kryeqendra e Labeatëve

Nga: Gazmend Çitaku Më: 24 shtator 2018 Në ora: 16:34
Kështjella ilire e Labeatëve në Meteon

E shtunë, më 22 shtator 2018. Edhe pse vjeshtë, dita fillon me diell dhe nuk ka dallim nga ditët tjera të verës. Grupi hulumtues ILIRËT nga Ulqini nuk kishin marrë rrugë që nga muaji maj dhe ishte bërë një kohë e gjatë pa lëvizur nga Ulqini. Por sot në mëngjes grupi filloi të tubohet ke nënë Naxhija e cila na priti me petulla, mjaltë dhe djathë. Po kush mundet të refuzojë një mëngjes të tillë? Askush. Një nga një vijnë, Gëzimi, Indriti..., Samiu si nikoqir u shërben shokëve. Kësaj radhe si musafir grupit iu bashkua edhe arkitekti ulqinak Muho Uruçi, kurse edhe pse nuk e ka zakon, i fundit erdhi Gazi i cili edhe pse e shtunë duhej mbaruar disa obligime. Pasi u hëngrën petullat, u pinë kafetë tashmë çdo gjë ishte gati për aventurën e radhës. Sipas planit që Gazi e bën për udhëtime të tilla, ishin parashikuar që të pushtoheshin dy kështjella ilire mirëpo pasi që po niseshin pak më vonë se ishte parashikuar njëzëri u vendos që sot të pushtojnë vetëm kryeqendrën e fisit ilir të Labeatëve. Pra, METEON-in apo siç quhet sot Medun-in.

Po, çka përfaqëson ky vend? Meteoni ilir apo siç quhet sot Meduni (Mali i Zi), është kryeqendra e fisit ilir Labeat dhe në këtë vend bien rob lufte mbreti Gent me famije dhe bashkëluftëtarët më të ngushtë. Gjithashtu ky vend nga koha e re njëherit njihet edhe si vendlindja e Mark Milanit, vojvodës kontroverz malazez i cili i përkiste fisit Kuç të cilët me prejardhje janë shqiptare e që ai edhe vetë e pranon që gjuhë të nënës e ka gjuhën shqipe. Edhe pse ka zhvilluar shumë beteja kundër turqëve-osmanllli e gjithashtu edhe kundër shqiptarëve ai në fund të jetës së vet lë në dorëshkrim një libër me shumë vlerë për ne e ai është libri Jeta dhe zakonet e shqiptarëve apo në origjinal (Život i obi?aji arbanasa) i cili botohet në vitin 1907. Me këto informata bazë grupi niset në aventurën e radhës. Samiu edhe pse përbri ka udhërrëfyesin e shkëlqyer Gazin, ai prapë se prapë e ndez GPRS-in që të jetë edhe më i sigurtë.  

Rrugës duke bërë hoka e duke treguar ndodhi të ndryshme ashtu si padashje para nesh paraqitet Podgorica. Dëgjo Sami – thashë unë, aparati yt edhe pak do të të thotë që të kthesh në të djathtë por t’i mos e dëgjo, vetëm drejtë vazhdo rrugën. Dhe nuk vonoi shumë shfaqet lajmërimi i parë për kthim në të djathtë, pastaj i dyti, i treti e i katërti por ne vazhduam drejtë sipas instruksioneve të mia. Grupi filloi të qeshet, derisa makina gjarpëronte rrugicave të ngushta të periferisë së Podgoricës. Samiu thotë se jemi afër dhe aparati tregon edhe 11km deri në cak. Ja tabela e parë ku paralajmëron Medunin. Por, duke na bërë edhe më krenarë, edhe tabela që lajmëron Liqenin Bukëmirë e që në gjuhën sllave thuhej Bukumirsko jezero andaj Samiu konkludon se ja diçka që ka mbet pa u sllavizuar. Tabelat të gjitha janë të shkruara me alfabetin cirilik. Fillojmë ngadalë të ngjitemi. Të gjithë jemi të tensionuar. Veçanërisht unë sepse në kokë më silleshin disa teori e hipoteza si ajo se ndoshta mu nën muret e kësaj kështjelle ishte zhvilluar beteja vendimtare e Luftës së Tretë Iliro-Romake. E që shumë shpejt do ta mësoja të vërtetën. T’ju tregoj një kuriozitet thotë Samiu: Mbrëmë lexoja diçka rreth Mark Milanit dhe në një vend tregohej si anekdotë se kur ai kishte ardhë në Ulqin kishte ndenjë jo vetëm nëpër familjet malazeze por edhe në ato shqiptare si psh., në shtëpinë e Ali Kasmit, Cufë Mavriqit por edhe te të tjerët dhe ai komunikonte me ta në gjuhën shqipe. Këta e pyesin se si e din gjuhën shqipe kaq mirë, Mark Milani u përgjigjet duke u thënë se në fisin e tij flitet Nashke dhe Arbanashke, andaj të dy gjuhët janë të miat dhe se fisi nga ku vij unë dhe fiset e veriut të Shqipërisë nuk ka vi ndarëse mes tyre kështu që kur unë shkoj te ta Ata flasin nashke e unë arbanashke kurse kur ata vijnë ke unë unë u flas nashke e ata mua arbanashke. 

Pa e mbaruar mirë thënien shfaqet në distancë kështjella dhe tabelat e vendndhodhjes. Ndalojmë para tabelave që të  bëjmë fotografitë. Mua më mahnit kështjella e vendosur majë një kodre. Duke e vështruar vij në përfundim se është krejtësisht e ngjashme me atë që shihja kur isha i vogël në filmate e vizatuar të Disneyt në shpicën e fillimit të filmit. Vazhdojmë rrugën me qëllim që të kalojmë edhe metrat e fundit. Parkohemi dhe të gjithë dalim të armatosur me aparate fotografike, telefonë të mençur e me çka jo. Vendosim që së pari të ngjitemi lart në kështjellë e pastaj kur të kthehemi të ndalemi në Muzeun e Mark Milanit.

Ngjitja në kështjellën labeate ishte me zigzake e serpentinë mjaft të madhe por që ne me lehtësi i dolëm në majë. Vendi ishte përrallor, në majë të kodrës ishte kisha dhe dy varre. Afrohemi dhe lexojmë njëri varr i Mark Milanit e tjetri i bashkëshortës së tij Stefanisë, në të djathtë këmbana e madhe. Samiu si gjithmonë entuziazmin e vet dëshiron ta ndajë me të gjithë shokët dhe miqët e vet. Ndez telefonin dhe përmes rrjeteve sociale, drejtëpërdrejt fillon shpjegimin e vendit ku ndodhemi dhe rëndësinë e tij. Sikurse në filmat Hollivudian xhirimi fillon me këmbanë dhe thirrjen e Samiut shokëve e miqëve që të dëgjojnë çka ka tu thotë. Ai jep informatat bazë për vendin dhe fillon bisedën për Mark Milanin, për këtë njeri i cili sa i keq aq edhe i mirë për shqiptarët. Interesimi për të dëgjuar këto gjëra me tiktakun e orës vie duke u rritur pa ndalë. Që në minutin e parë 50 veta duke na përcjellur, Samiu më fton mua që tashmë unë të flas për antikitetin dhe rëndësinë e kryeqendrës Labeate. Unë bëj një rekapitulim të shkurtër historik prej viti 170 p.e.re dhe kushtet në të cilat gjendej Mbretëria ilire Ardiane të cilën e udhëhiqte mbreti Gent. Gabimin të cilin e bën që luftën ta zhvillojë jashtë mureve të kështjellës përballë ushtrisë romake e cila ishte e armatosur shumë mirë, me një disciplinë të jashtëzakonshme e që para mureve të kështjellës së Gentit kishin mbërrit 42,000 trupa e ky vendosi që me 15,000 ilirë të patrembur tu bëjë ballë! Gabim i madh, jo vetëm që humb betejën por bie rob ai vetë me bashkëshortën Etuta dhe komplet suitën mbretërore të cilët syrgjynosen në Umbria të Italisë ku edhe vdesin e që edhe sot e kësaj dite gjindet varri i Mbretit Gent. Kjo humbje njëherit shënon e fundin e Luftës së Tretë Iliro-romake dhe përfundimisht shteti i pavarur ilir thyhet dhe bie nën zgjedhën e Perandorisë Romake. Përfundoj unë megjithë që ka shumë çka të thuhet ende dhe vazhdon Samiu të tregojë pjesë nga libri i Mark Milanit Jeta dhe zakonet e shqiptarëve si dhe reciton edhe Fishten.
Të mbledhur për një fotografi të përbashkët para varrit të Mark Milanit, Samiu propozon që sipas një zakoni të vjetër malësor të cilët kur mblidheshin në Logun e Burrave dhe i jepnin nderim dikujt apo u dakordonin për diçka vendosnin nga një gurë mbi tjetrin asisoji edhe ne vepruam dhe mendojmë se prezenca jonë në atë vend bëri që shpirti i Mark Milanit të qeshet dhe të kënaqët duke dëgjuar gjuhën e ëmbël shqipe – gjuhën e nënës së vet.
 
Zbresim ngadalë dhe nisemi te Muzeu atypranë. Dera ishte e hapur dhe aty brenda një punëtor i muzeut i uniformuar. Me mirësjellje na pret dhe na shoqëron në kthinat ku ishin të vendosura artefaktet e ndryshme. Për habinë tonë, muzeu ishte shumë i pasur. Me gjëra origjinale të kohës së Mark Milanit si dhe me gjëra personale të tija. Duke dëshmuar edhe bashkëjetesën me shqiptarët, të ekspozuara ishin edhe veshja e burrave shqiptarë, pastaj veshja e gruas malësore me të gjitha dekorimet e veta. Xhamadani shestanas, plisi... Origjinali i dorëshkrimit të librit Jeta dhe doket e shqiptarëve e shumë shumë gjëra tjera të cilat ishin të vendosura në këtë muze e që para njëqind vitesh kishte qenë ndërtesë e gjygjit osman dhe ishte shumë mirë i ndërtuar dhe restauruar. Punëtori i muzeut ishte mirë i përgatitur nuk fshihte të dhënat për ambientin dhe antikitetin ilir të vendit. 

Në fund para se të largohemi për qershi në maje të ëmbëlsirës kishim lënë murin ciklopik ilir i cili ndodhej mu në fillim të murit rrethues të oborrit të muzeut e që vërtetonte se ky vend në pikën e vet të lulëzmit kishte qenë shumë më i madhë se sa në formën dhe madhësinë që ndodhej sot. Gurët ciklopik të vendosur me teknikën e mjeshtrave ilir dëshmonin një epokë dhe një arkitekturë origjinale autoktone. Gurët e vendosur na kujtonin murin ciklopik në Ulqin, Risan, Shkodër... gjithashtu kunfuguracioni i terrenit i mbrojtur nga tri anë me humnera e gremina natyrore ishin pothuaj se një arkitekt kishte zgjedh vendin dhe mënyrën e ndërtimit. 
 
U fotografuam pranë murit dhe në dy monolite guri gjigande u ulëm dhe filluam të diskutojmë se në fushën poshtë kështjellës a do të ishte e mundur që të përballeshin dy ushtri me afro 60,000 ushtarë? Dikush përkrahte mendimin, dikush kërkonte informata shtesë. Dikush pyeste pse u zu rob Genti me familje dhe suitë mbretërore mu këtu në Meteon e jo në Shkodër e kjo pyetje na sillte në fillim të diskutimit se a u zhvillua Lufta e Tretë Iliro-Romake këtu në këtë fushë poshtë themeleve ciklopike të kështjellës së Meteonit? A u gjet këtu thesari marramendës i Mbretit Gent prej 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13,000 denarë dhe 120,000 monedha ilire argjendi e që i përmend Tit Livi? A do të ketë vallë ende thesare të fshehura? A do t’i ketë ardhë në ndihmë Mbreti Dardan- Monuni II dhëndrit të vet Mbretit Gent? Por vlen të përmendet se lufta përveç asaj në tokë ishte zhvilluar edhe në detë. Liburnët kanë qenë të njëhur për anijendërtimtari dhe Lembet e tyre përveç rreshtave të rremtarëve secila kishte edhe 50 ushtarë e që Mbreti Gent në atë kohë kishte mbi 200 lembe. Çka dodhi me ato shtrohet me të drejtë pyetja? Me këto dilema e pyetje u nisëm në drejtim të makinës së parkur dhe nuk dëshironim të pranonim se përgjigja ishte në krenarinë dhe kokëfortësinë e Mbretit Gent i cili solli veten, familjen dhe suiten mbretërore të gjenden të syrgjynosur në Umbria të Italisë, ku edhe vdesin por njëherit edhe të jenë shkaktarë të nënshtrimit të plotë të Ilirisë përballë zgjedhës robëruese të Perandorisë Romake.
 
Rrugën për në shtëpi, ia besuam aparatit navigues i cili na zbulonte shtigje të reja nëpër labirinthin e rrugëve të fushës së Gentës antike e që ashtu të ndrydhur nën përshtypjet e fotra të përjetuara nga kështjella labeate dolëm në magjistralen e Adriatikut dhe u nisëm për në vendlindjen tonë, në qytetin e ujkut të detit, në qytetin me histori të shumta e të pa zbuluara, Ulqinin e Teutës, Ulqinin e Balshës, Ulqinin e Likacenit... Ulqinin e Samiut, Gazit, Gëzimit e Indritit.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat