Drakula vampir? Kush ishte grafi i vërtetë? - Bota Sot
Drakula vampir? Kush ishte grafi i vërtetë?

Historia

E martë, 13 nëntor 2018

Drakula vampir? Kush ishte grafi i vërtetë?

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 12:11
Grafi Drakula tmerron me emrin e tij, por më i tmerrshëm ka qenë grafi i vërtetë...një kështjellë në Transilvani

Ai ishte grafi i territ. Vlad Tepes Draculea (1431-1476), i njohur edhe si hellshkuesi është një nga figurat më të njohura të mesjetës së vonë në Europën Juglindore. Kjo shërbeu si bazë për grafin"Drakula" të autorit irlandez, Bram Stokers,  që arriti famë botërore. Por grafi që ka jetuar vërtet Vlad Tepes Draculea ka të përbashkët me vampirin gjakpirës vetëm dëshirën për të vrarë. Ka qenë një rastësi, që autori irlandez, krijoi një lidhje me mitin qindravjeçar të vampirëve. Historianët për Europën Lindore nga Universiteti i Gießenit, Thomas Bohn dhe Albert Weber thonë se "duan të vënë në dritën e së vërtetës Drakulan historik dhe me këtë edhe princin Vlad." Ata drejtuan një projekt studimor që bashkoi burimet historike për princin e tmerrshëm në krahinën e Vllahisë në Rumaninë e sotme. Vite me radhë ekipi studimor shqyrtoi arkiva në Spanjë, Stamboll, dhe Vatikan. "Shumica e bibliotekave dhe arkivëve në Europën Lindore është djegur me kohë, vetëm 2-3% të burimeve mund të përdoren", thonë studiuesit.

Image

Historia dhe legjenda

Tani "Corpus Draculianum" vepra në katër vëllime për grafin Vlad u prezantua në Panairin e Frankfurtit. Por çfarë është realitet historik dhe çfarë është legjendë? Historianët duhet të zgjidhnin një detyrë të vështirë. Sepse me avancimin e perandorisë osmane në drejtim të Europës në shekullin e 15-të, u lëkundën nga themelet rendi i vjetër dhe marrëdhëniet e vasalëve. Për të ruajtur sundimin e tij Vlad duhej të ndërronte disa herë krahët përmes akteve diplomatike të rafinuara. Fillimisht një përkrahës i sulltanit turk, më vonë ai ndoqi thirrjen e papës Piu për kryqëzatë kundër osmanëve. Synimi: Të krijonte imazhin e "mbrojtësit të krishtërimit".

Image

Për shkak të metodës së tij mizore të eliminimit të armiqve Vlad mori emrin "hellshkuesi". Mizoria e tij, sipas studiuesve, ishte pjesë e strategjisë së tij për të qëndruar në pushtet dhe për të treguar besnikëri ndaj partnerëve. Kështu ai vërtet i shkonte në hell të gjallë armiqtë e tij. Të dërguarve turq që nuk hiqnin çallmën ai ua gozhdonte çallmën në kokë. Por duhet thënë, se në shekullin e 15-të, ishte e zakonshme që të krijohej një imazh i keq për kundërshtarin përmes historive të trilluara, thotë historiani Weber. Mbreti hungarez, Matthias Corvins për të ngritur lart veten si mbrojtës i krishtërimit, përhapi fjalë për bëmat e tmerrshme të grafit Vlad. Për osmanët ai ishte një tradhtar rebel. Burimet ortodokse e interpretojnë konvertimin e Vlad si katolik po ashtu si tradhti. Për grekët nën sundimin osman, grafi ishte luftëtar kundër pushtuesve.

Image

Hero vlleh apo tiran sadist? Ende bëhet politikë me princin mesjetar në Rumani. Në Rumani protestuesit mbanin pankarta me pamjen e Drakulas për të ngritur zërin kundër korrpusionit në vend. Sepse Vlad gjatë gjithë jetës ishte një kundërshtar i ashpër i çdo forme të ryshfetit e korruptimit. Nëpunësit e tij që kapeshin me vepra të tilla shkoheshin të gjallë në hell. Por edhe partia nacionaliste rumune, PRU e mban figurën e grafit të tmerrshëm në emblemën e saj.

kna/dw

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test