Dhimitër Fari (Dhemeter Hvaranini)

Historia

Dhimitër Fari (Dhemeter Hvaranini)

Nga: Prof. Dr. Rexhep Doçi Më: 31 tetor 2018 Në ora: 07:16
Prof. Dr. Rexhep Doçi

Ky mbret ilir që njihet me dy emra dhe mbiemra të përafërtë në burime shkrimore, si Dhimitër Fari dhe Demeter Hvaranini, sundoi rreth viteve 220 - 219 p. e. s. Kështu, në veprën “Historia e popullit shqiptar”, sikur kuptohet se Dhimitri ishte mbreti i Ardianëve, sepse thuhet: “Pas vdekjes së Teutës Dhimitër Fari u martua me Triteutën, të ëmën e Pinesit të vogël. Më 220 Dhimitër Fari sulmoi parthinët, pushtoi qytetin e tyre, Dimalin…Dhimitri u tërhoq në ishullin e Farit, qendër e fundit e rezistencës së tij”. Porse, ujdhesa Far e paraantikës, mund të jetë ujdhesa e sotme Hvar në detin kroat, sepse si të hershme këtë ujdhesë bashkë me këtë mbret me një formant tjetër gjuhësor, që theksohet  si Demetrije Hvaranin, si i biri i Agronit. E, në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” bëhet e ditur për tre mbretër ilirë me emrin Demetri: “1.Demetri Poliorketi (307 – 283 p. e. s.)”, “2. Demetri II (239 – 229) p. e. s.), mbret i Maqedonisë, i ati i Filipit V,” dhe “3) Demetri Fari”.

Përdorimi i antroponimeve të kësaj fare me formante të llojllojshme Dameter > Demeter > Dhimiter vërtetohet edhe gjatë mesjetës, që ishte Dhimitri (sundoi gjatë vitit 1190 – 1199), si trashëgimtar sundimtar i të atit të tij Progonit në Krujë. Mbase, po për këtë sundimtar shqiptar Dhimitër në Krujë flet edhe Aleksandër Sollovjevi, por që shton se sundoi rreth viteve 1208 – 1216 në Krujë, në bazë të një marrëveshjeje të bërë ndërmjet tij dhe Dubrovnikut, ku e përmend këtë emër me tri trajta: shq. Dhimitri, lat. Demetrio dhe serb. Dimitrije. Për zanafillën e antroponimit Dhimitër që nga paraantika kanë shkruar disa autorë, por këtu po i  komentojmë shkurtimisht mendimet e dy albanologëve shqiptarë, Prof. Eqrem Çabejt dhe Spiro Kondës, të cilët i citojnë dijetarët e tjerë të mirënjohur. Për shembull, Prof. E. Çabej, ndër të tjera, thotë: “Johan Georg fon Hani, duke  e kuptuar ilirishten si pellasgjishte me një vështrim më të gjerë, duke parë te pellazgët banorët e hershëm e parahelenë të Greqisë dhe te gjuha e tyre një fazë më të vjetër të shqipes; ai u përpoq të përforconte tezat e tij dhe me ndihmën e gjuhës me barazime fjalësh e emrash vehtjakë, nga të cilët ndonjë, si Dímítríς – Dimitris (“nënë dheu”) : shq. dhé/dheu-nënë, ka vlerë edhe sot”. Për ndriçimin në detaje, në pikëpamje kuptimore dhe gjuhësore fonetike e morfologjike flet kujtoj më së miri Spiro Konda, me burim të njëjtë, pra dy gjinish, që po i shkëpusim disa dorëzani rrënjësore, siç shkruan në mënyrë të thuktë: “Damater (dorisht), Domatar (eolisht)…

Dhe mëmë është vetëm një ndajshtim i fjalës Demeter. Dhe kuptohet, se, gjersa grekërit nuk e dinin kuptimin, (siç thotë edhe Herodoti), që grekët e muarën emrin Demetër nga pellasgët… Me këtë mënyrë nga një dhe e njëjta fjalë u formua edhe trajta mashkullore: de-u me kuptimin dheu në trajtë mashkullore, d. m. th. me kuptimin e dheut  si at. Sikurse de-a (d.m. th dheu) është nënë e të gjithëve, ashtu edhe de-u është at i të gjithëve. Deu është si të thuhej në greqisht ho geos ose ho geus, duke u zëvendësuar d me g…”. Kështu, unë tek emri i qytetit Mitrovica shoh një vijimësi të emrit të hyjneshës *Dometer > Dameter > Demeter > Dhemeter > Shën Mitër > Shmitër > Mitër = Mitrovica. Antroponimi në fjalë është përdorur gjatë mesjetës, pos që ishte një mbret Dhimitri (Mitri), që u cek më sipër se sundoi në Krujë në fillim të shek. XIII, dhe që e zënë ngojë shumë dijetarë me trajta të nduarnduarta gjuhësore, siç thotë Pjetër Bogdani, se mbase po ky mbret Mitri sundoi atëherë që nga Shkodra e deri në Shkup (po edhe në anë të Mitrovicës): “Miter mbe krye m’Scodre, e Scup…”(Mitri në krye apo sundimtar në Shkodër e Shkup).

Gjatë mesjetës, më 1313 formimit të oikonimit Mitrovica i kanë paraprirë tri dëshmi, (pos asaj antike me emrin Budalia, ku ka lindur mbreti ilir Ttrajani), që shfaqen më 1313 në një burim kishtar sllav: emri i familjes Dimitraj, që mendoj se kanë qenë shqiptarë të konfesionit katolik ose orthodoks, si dhe dy kisha me bazën antroponimike Dimitrij (mbase prona të Dimitrajve): “Dimitrijevu Crkve te Sitnica”, dhe tjetra si “Dimitrovu Crkve”. Për praninë e shqiptarëve katolikë në Mitrovicë (ku ka edhe sot shqiptarë të besimit katolik) dhe rrethinë flet edhe Gaspër Gjini me të dhëna shkencore, p. sh.: “Vlen për të theksuar se, pos në Trepçë, katolikë ka pasur edhe në dy fshatra jashtë qytetit.

Te Kryshefci (fjala është për Kryshefcin thellë në Serbi, si kalk nga fjala ilire-shqipe dardhë – R. D.) ata vizitorë kanë shkruar se  ekzistojnë pesë fshatra fqinj të Kryshefcit më 1500 shqiptarë katolikë, ku kanë shërbyer tre klerikë. Përveç këtyre të dhënave vizituesit bëjnë të ditur se ata katolikë e kanë një kishë të tyre të vjetër (“una chiesa antica”). Mbreti Millutin rreth vitit 1314 ia bashkangjet manastirit të Banjskës. Kisha katolike përmendet në të së pari më 1346, që fshati Kopiriq sot gjendet te Mitrovica”. Pra, ekzistonin, pos Dy kishave të Dimitrijve mbase shqiptare në rreth të Mitrovicës, edhe tri Kisha Katolike shqiptare, në rreth të Kryshefcit, në fshatin Kopiriq dhe Banjskë, të dhëna që e përforcojnë prejardhjen pellasde-ilire-shqipe nga hyjnesha apo mbretëresha ilire: *Dometer > Dameter > Demeter > Dimiter > Dhimiter > Miter > Shën Miter > Shmiter > Mitrovicë. Dhe, ekziston edhe një fakt, se Mitrovica përmendet edhe në defterin osmano-turk të vitit 1455 si “Katundi Dmitrovice (Dmitrovica)…”. Madje, edhe përdorimi në gjininë femërore i oikonimit Mitrovica flet deri diku për prejardhjen nga hyjnesha pellasde-ilire, siç kam shkruar edhe në punimin “Mitrovica me prejardhje nga matronimi pellasd-ilir-shqiptar *Domater>Damater>Demeter>Dimiter>Miter”.

10) FILIPI

Për Filipin është shkruar në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” edhe: “1) Njihen disa mbretër të fisit ilir të Maqedonasve me emrin Filip, që i njeh historia: a) një vdiq në vitin 598 p. e. s. b), i dyti sundoi gjatë viteve 360-335, dhe c) i treti sundoi gjatë viteve 220-176”. Për prejardhjen e antroponimit Filip nga protoshqipja apo pellasdo-iliro-shqipja, si kompozitë prej fjalëve shqipe Bil-Phil-Pil-Fil “bir, djalë” dhe folja hip-hyp “hipios-kalë, at”, çështje kjo që e kam vështruar në librin për pellasdët (pellazgët), edhe si emër i traditës popullore: Filip për meshkuj apo antroponim, dhe Filipe për femra ose matronim.

11) GALAUR

Për mbretin ilir Galaur i shek. VII p. e. s. tek ilirët Taulantë mësojmë nga arkeologu i mirënjohur Skënder Anamali, sipas të cilit: “Se Taulantët kanë pasë mbretën shumë herët e lexojmë edhe në një burim tjetër historik, në të cilin përmendet mbreti Galaur që udhëhoqi një luftë në fundin e shek. të VII-të  para e. s. kundër Maqedonëve”. Fjala e lashtë pellasde-ilire-shqipe gal (i, e galem – galme) haset veçmas në funksione onomastike, si p. sh. në gjenealogjinë e ilirëve. Kështu, Paul Kreçmer e krahason emrin e fisit ilir Galabroi në Dardani me emrin e sotëm Kalabri të arbëreshve në Italinë jugore. Po kështu edhe Enzo Gatti e përmend më së tri herë fjalën gal në gjenealogjinë ilire të Sicilisë, nga u përhapën nëpër Evropë, p. sh. ëmën (nënën) Galate, të birin e saj Galin dhe fisin Galet, si kundron: “Polifemi dhe Galatea  patën për fëmijë Keltin, Ilirin dhe Galin, nga të cilët u formuan Keltët, Ilirët dhe Galët”.  Për fjalën ilire-shqipe gal do të flasim edhe më gjerësisht  tek emri në vijim i mbretit ilir Galerije.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat