E përkrahni bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë? Kurti i përgjigjet medias greke, flet edhe për vizitën e bujshme në Maqedoni

Intervista

E përkrahni bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë? Kurti i përgjigjet medias greke, flet edhe për vizitën e bujshme në Maqedoni

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 08:39
Albin Kurti

A doni apo nuk dëshironi që Kosova të bashkohet me Shqipërinë? Kështu e pyet gazetarja greke Tania Bozaninou, kryeministrin Albin Kurti në intervistën dhënë për gazetën greke “To Vima”.

Në këtë pyetje, Kurti vendos të shmang përgjigjen, duke thënë se Kushtetuta e Kosovës momentalisht nuk e lejon këtë, ndërsa thekson se raportet mes dy vendeve “janë të shkëlqyera”.

“To Vima”: Me fjalë të tjera, a doni apo nuk dëshironi që Kosova të bashkohet me Shqipërinë?

Kurti: Për momentin Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon dhe ne jemi të fokusuar që të mbrojmë vendin tonë, integritetin territorial dhe sovranitetin e tij, por e përsëris se kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë dhe, edhe pse jemi një komb, jemi dy shtete të ndryshme.

Kjo pyetje i erdhi Kurtit pas pyetjes së parë, përgjigjen e së cilës zgjodhi ta bishtnojë. Aty ai akuzoi Serbinë se po e fryn këtë tezë për të mbrojtur idenë serbe për bashkim të serbëve në një shtet.

“To Vima”: E përkrahni bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë?

Kurti: Shqiptarët në Kosovë përbëjnë 93%. Ne jemi një komb, por dy shtete. Kam fituar pushtetin në shkurt të 2021 duke premtuar punë dhe drejtësi dhe këto mbeten prioriteti im. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë. Mendoj se shumica e akuzave ndaj meje, për sa i përket bashkimit, vijnë nga serbët, sepse ata duan që Republika Sërpska të bashkohet me Serbinë. Ata kanë shpikur të ashtuquajturën ‘Bota Serbe’ si një eufemizëm për Serbinë e Madhe.

Më tej, kreu i ekzekutivit kosovar u pyet edhe për vizitën e tij në Tetovë së fundmi, ku u shpalos flamuri “Autochthonous” nga turma.

Ai tha se në fjalimet e tij nuk ka pasur asgjë që mund t’i dëmtojnë raportet me Maqedoninë e Veriut, porse tha se ai flamur paraqet zonat ku shqiptarët janë autoktonë në Ballkan.

“To Vima”: Së fundmi keni vizituar Maqedoninë e Veriut dhe në një fjalim para minoritetit shqiptar në Tetovë ka pasur flamuj të Shqipërisë së Madhe. Çfarë është Shqipëria e Madhe për ju?

Kurti: “Më ftuan dy kryetarë komunash, nga Shkupi dhe Tetova. Në dy fjalimet e mia në këto dy qytete nuk ka asgjë që mund të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Maqedoninë e Veriut.

Në fjalimin tim në sheshin e Tetovës, ku ishin mbledhur mijëra, falënderova Maqedoninë e Veriut për njohjen e Kosovës. Një nga mijëra të mbledhur kishte një flamur me një hartë që tregonte se në cilat zona janë autoktonë shqiptarët në Ballkan. Vizita ime dhe dy fjalimet nuk mund të karakterizohen me flamur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat