“Pasojë e gjuhës së butë ndaj Serbisë”/ Deputeti i LVV-së komenton vrasjen tragjike të rreshterit Bunjaku nga terroristët serbë, kjo është porosia e tij!

Intervista

“Pasojë e gjuhës së butë ndaj Serbisë”/ Deputeti i LVV-së komenton vrasjen tragjike të rreshterit Bunjaku nga terroristët serbë, kjo është porosia e tij!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 shtator 2023 Në ora: 09:52
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur për zhvillimet e fundit në vend si dhe ngjarjen tragjike që ndodhi të dielën në orët e para të mëngjesit. 

Lahu tha se vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku ishte një sulm i organizuar grupe terroriste të organizuara e mbështetura nga Beogradi, derisa ka theksoi se ndikim në këto veprime terroriste kanë pasur edhe ndërkombëtarët me gjuhën e tyre të butë ndaj Serbisë. 

Sipas tij, masat ndaj Serbisë duhet të jenë të ashpra. 

Ndërsa, në vazhdën e ngjarjeve deputeti u pyet për takimin Kosovë  - Serbi,  gjersa u shpreh që Serbia nuk është e interesuar për një marrëveshje finale dhe kështu bisedimet nuk po arrijnë të kenë sukses. 

Gjersa për trysninë lidhur me themelimin e Asociacionit, Lahu thekson që është e gabuar. 

Ndër të tjera, deputeti foli edhe për ultimatumin që emisari Lajçak ua dha dy shteteve nëse nuk zbatohen marrëveshjet duke thënë se Lajçak do të ishte mirë të angazhohej seriozisht pasi është Serbia ajo e cila nuk është e interesuar t’i zbatojë ato. 

Intervista e plotë 

Image
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu

Gazeta “Bota sot”: Të dielën e në orët e para të mëngjesit është vrarë polici Afrim Bunjaku, nga terroristët serbë. Si e keni parë ju këtë ngjarje tragjike? 

Vendenis Lahu: Vrasja e rreshterit të PK-së, Afrim Berisha në një sulm të organizuar nga grupe terroriste të organizuara e mbështetura nga Beogradi, është një akt terrorist ndaj institucioneve të Kosovës, rendit ligjit dhe shtetit të Kosovës. Përgjegjësinë për këtë sulm e mban shteti serb padyshim, sepse sipas të gjitha të dhënave kanë qenë të përfshirë në mënyrë direkte ose indirekte. 

Gazeta “Bota sot”: Ndërkombëtarët kanë dënuar ashpër këtë vrasje, a mendoni që është koha të mos heshtin karshi Serbisë? 

Vendenis Lahu: Mendoj se akte të tilla janë edhe si pasojë e gjuhës së butë ndaj Serbisë në shumë raste sidomos kohëve të fundit. Prandaj po e përsëris prapë, se kjo mënyrë e sjelljes ndaj Serbisë atë e bën veç më agresive, e më destruktive dhe assesi pro-evropiane siç mendohet në disa qare politike në Bruksel. Është momenti i fundit që ta kenë të gjithë të qartë që Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprat të cilat i bën, sepse vetëm kështu ajo sillet me përgjegjshëm. 

Gazeta “Bota sot”: Një konferencë për media ka mbajtur edhe Vuçiq, ku vazhdoi propagandën e tij ndaj Kosovës, por njëkohësisht është parë në presion. Si e komentoni këtë situatë, a i dështoi skenari Vuçiqit? 

Vendenis Lahu: Sigurisht, duke mos mundur ta mohojë përfshirjen e njerëzve me bekgraund ushtarak ai tentoi që fajin t’ua lë serbëve lokal, duke shfajësuar vetën në këtë mënyrë dhe duke tentuar që fajin tua hedhë institucioneve të Kosovës. Sigurisht ishte një paraqitje patetike e tij, me një gjuhe propagandistike të cilën nuk e beson askush. Duhet të presim edhe pak për të parë qëllimet e plota të këtij sulmi të organizuar, dhe të këtij skenari që nuk arriti qëllimin e vet për shkak të reagimit të jashtëzakonshëm të policisë sonë, guximit dhe vendosmërisë të jashtëzakonshme të policëve të parë në vendin e ngjarjes në krye heroin rreshter Afrim Bunjakun. 

Gazeta “Bota sot”: Rikthehemi tek takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit, mirëpo nuk u arrit asnjë marrëveshje. Si e keni parë ju këto bisedime? 

Vendenis Lahu: Takimi i radhës mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiqi ashtu siç pritej nuk solli ndonjë të re. E kemi parë tashmë qartazi se Vuçiq dhe Serbia nuk janë të interesuar për ndonjë marrëveshje përfundimtare, përveç disa pikave të saj të cilat i interesojnë Serbisë, siç është asociacioni i dakorduar në 2013, por kjo nuk mund të ndodhë.  

Gazeta “Bota sot”: Çfarë shihni si rrugëdalje nga ngërçi i dialogut Serbi-Kosovë? 

Vendenis Lahu: Duhet presion i ndërkombëtarëve ndaj Serbisë e cila vazhdon të jetë instrument rus. Duhet ta kuptojnë se ledhatimi që po i bëjnë, Serbinë nuk e demokratizon, përkundrazi e bën më agresive, kërcënuese për paqen e sigurinë. Dhe për aq sa Serbia tolerohet në këto sjellje do të jetë e vështirë të zgjidhet ngërçi. 

Gazeta “Bota sot”: Trysnia e ndërkombëtarëve për të u themeluar Asociacioni po vazhdon. A tregon anshmëri kjo situatë? 

Vendenis Lahu: Serbia është e interesuar të formojë asociacionin dhe nga aty të mos lëvizë më. Do të thotë të krijojë instrumentin për destabilizim të Kosovës dhe pastaj të vazhdoj me kërkesa të reja. Prandaj kjo nuk mund dhe nuk bëhet. Presioni që ata bëjnë ndaj Kosovës, është i gabuar. Këtë do ta tregoj koha, sepse Serbinë nga Rusia nuk mund ta largojnë në këtë formë. 

Gazeta “Bota sot”: Masat ndëshkuese ndaj Kosovës po vazhdojnë. A mendoni se mund të ketë masa shtesë ndaj të dyja palëve nëse nuk ecin përpara me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj? 

Vendenis Lahu: Ne e kemi nënshkruar marrëveshjen e Ohrit dhe Vuçiq jo. Nuk mendoj se ka logjikë vendosja e çfarëdo mase ndaj Kosovës për këtë çështje sepse është Serbia e cila deklaron çdo ditë se nuk do ta zbatojë marrëveshjen. Edhe masat që janë vendosur për shkak të intervenimit në veri ndaj bandave kriminale që sulmonin institucionet e vendit, përveç se të padrejta u vërtetua se kanë qenë edhe të pasakta duke e parë aktivitetin e bandave të drejtuara nga Serbia, siç ishte dje sulmi që i mori jetën rreshterit të policisë së Kosovës. 

Gazeta “Bota sot”: Një temë aktuale është edhe thirrjet e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë. Sa sukses do të ketë? 

Vendenis Lahu: Mendoj se thirrjet e opozitës nuk janë serioze, më shumë janë për konsum ditor sesa që i kanë me gjithë mend. Opozita as nuk i ka numrat në Kuvend dhe as nuk e ka mbështetjen të qytetarëve. Edhe matjet e fundit të cilat i kanë parë ata e thonë këtë, prandaj nuk është edhe se u konvenojnë. 

Gazeta “Bota sot”: Serbia po vazhdon me deklaratat dhe provokimet ndaj Kosovës, së fundmi ishte edhe shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve. Nga kush mendoni që ka qenë ky veprim? 

Vendenis Lahu: Shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve është vepër kriminale nga njerëz të afërt me pushtetin në Serbi. Ajo është në vazhdën e tentimeve për destabilizimin e vendit, si mekanizëm frikësimi e shantazhi edhe ndaj qytetarëve jo serb atje. 

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu Lajçak, ka dhënë ultimatum që marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet deri në fund të vitit, ose mund të ketë konflikte, sa e rrezikuar është Kosova dhe për çfarë konfliktesh mund të ketë fjalën? 

Vendenis Lahu: Lajçak do të ishte mirë të angazhohej seriozisht për zbatimin e marrëveshjes të cilen e kemi të qartë se nuk është e interesuar Serbia ta zbatojë. Lajçak do të ishte mirë të na tregonte se për çfarë konfliktesh e ka fjalën sepse kjo është serioze. Forcat e rendit në Kosovë e kanë kapacitetin dhe gatishmërinë për të mbrojtur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat