Ish sekretari i Ministrisë së Drejtësisë: Vrasja e Liridonës, vrasja më e rëndë e kësaj dekade, kaq mund të dënohen kryerësit e saj

Intervista

Ish sekretari i Ministrisë së Drejtësisë: Vrasja e Liridonës, vrasja më e rëndë e kësaj dekade, kaq mund të dënohen kryerësit e saj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 dhjetor 2023 Në ora: 18:16
Liridona dhe Naim Murseli.

Avokati dhe ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Ardian Bajraktari në një intervistë të dhënë për gazetën ‘Bota sot’ ka folur lidhur me rastin e fundit të vrasjes makabër të 30 vjeçares, Liridona Ademaj.  

Bajraktari këtë vrasje e konsideron si më të rëndën që ka ndodhur në dekadën së fundit, duke u bazuar në rrethanat në të cilat ka ndodhur. 

I pyetur se sa mund të dënohen kryesit e kësaj vrasjeje, Bajraktari thotë se mund të jetë një dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. 

Po ashtu, ai është pyetur edhe rreth sulmit terrorist në Banjskë, nëse BE-ja do ta dënojë Serbinë dhe ҫfarë dënimi parashihet në këtë rast.  

Intervistoi: Havë Orana Xhukolli 

Image
Ardian Bajraktari

“Bota sot”: Ju keni deklaruar se Serbia duhej të përfshihej në rastin e Milan Radoiçiqit, për kërkim nga Interpoli. A mendoni se Serbia është e gatshme të ofrojë një bashkëpunim të tillë? 

Bajraktari: Sa i përket rastit të Milan Radoiçiq, dhe të tjerëve të përfshirë në sulmin terrorist të datës 24 shtator, vlerësoj se gatishmëria e Serbisë është zero, por vetëm një presion i vazhdueshëm, nga ana e faktorit ndërkombëtar do të mund ta detyronte Serbinë që personat e dyshuar në këtë ngjarje tragjike, t’i sillte në Kosovë, për t’u përballur me akuzat të cilat rëndojnë mbi ta. Përfshirja e Radoiçiqit dhe e të tjerëve në listën e INTERPOL-it është një hap i mirë, në drejtim të sigurimit të prezencës në procedurë, për t’u ballafaquar me akuzat, por legjislacioni ynë, përkatësisht Kodi i procedurës penale, për rastet e tilla e mundëson edhe gjykimin në mungesë.  

“Bota sot”: A besoni se BE-ja do të ndikojë te Serbia që të zbardhë rastin e Banjskës? 

Bajraktari: Nga Serbia nuk pres dhe nuk besoj që mund të pritet zbardhja e këtij rasti, por qoftë BE-ja, NATO, apo edhe vendet partnere dhe mike të vendit tonë, mund të kontribuojnë në ndriçimin e këtij rasti, përmes prezencës së tyre, në kuadër të trupave të pavarur dhe profesional të cilët mund të bëjnë hetime, nga të cilat do të prodhoheshin raporte kredibile, përmes të cilave do të konstatohet përfshirja e shtetit serb në këtë ngjarje. Pra, këto hetime dhe raporte duhet parë të ndara nga hetimet penale që po bëhen në mënyrë intensive nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. 

“Bota sot”: Çfarë dënimi mund të marrë Serbia për rastin terrorist në Banjskë? 

Bajraktari: Vlerësoj se një raport kredibil, e i cili nëse do të rezultonte me konstatimin se Serbia ka qenë e përfshirë në ngjarjen e Banjskës, siç ka dyshime të forta se ka qenë, atëherë nga BE-ja, sikurse janë deklaruar vet se po presim raporte në lidhje me këtë ngjarje, BE-ja, po ta luante rolin siç do të duhej, atëherë masat ndëshkuese që ka aktualisht Kosova, do të duhej t’i hiqeshin, dhe së paku me të tilla masa të ndëshkohej Serbia. Se a do të ndodhë një gjë e tillë, jam skeptik.  

“Bota sot”: Lidhemi te vrasja e fundit tragjike në vend. Sipas jush, kush është fajtori që po ndodhin gjithë këto vrasje kohët e fundit? 

Bajraktari: Vrasja e rëndë e të ndjerës Liridona, për nga mënyra e kryerjes, përgatitja, sjellja me aq gjakftohtësi, si para, e veçmas pas krimit, e bashkëshortit të të ndjerës, në mënyrën siç dyshohet se është i përfshirë, përshirë edhe faktin se aty ishin fëmijët, e bën në bindjen time njërin nga krimet më të llahtarshme të dekadës së fundit, mbase dhe jo vetëm. Ligjet parashohin dënime mjaft të ashpra, por duhet rishikuar politika ndëshkimore, shto faktin këtu, kur kemi një numër të konsiderueshëm të kryesve që janë përsëritës apo recidivistë të veprave, kjo dëshmon se jo vetëm që ka dështuar politika ndëshkimore, por edhe trajtimi adekuat i tyre, pra nuk janë arritur efektet apo qëllimet  e dënimit, risocializimi si dhe parandalimin nga kryerja e veprave të tilla. 

“Bota sot”: Sa mund të dënohen kryesit e kësaj vrasjeje? 

Bajraktari: Referuar dosjes hetimore dhe asaj që është publikuar, mbi tre të pandehurit rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, të kryer në bashkëkryerje, përfshirë edhe marrëveshjen për të kryer vepër penale. Neni 173 i Kodit penal, për veprën penale të vrasjes së rëndë, përcakton dënimin nga 10 vite, deri në dënim më burgim të përjetshëm. Iu mbetet organeve ligj zbatuese që në një proces gjyqësor të administrojnë mirë provat, për ta konstatuar motivin, me theks të veçantë të bashkëshortit të të ndjerës, ngase si i tillë është rrethanë përcaktuese me rastin e caktimit të shkallës dhe të lartësisë së dënimit. 

“Bota sot”: U përmend që viktima dhe bashkëshorti i saj posedojnë dokumente suedeze. A mund të ketë ndikim edhe shteti suedez në dënimin e të pandehurit Naim Murselit? 

Bajraktari: Shteti i Suedisë është shtet mik i Kosovës, dy vendet tona kanë raporte bashkëpunimi në fushën juridike ndërkombëtare sipas parimit të reciprocitetit, andaj, nëse do të ketë nevojë për ndriçimin e ndonjë rrethane, pres dhe besoj që autoritetet suedeze do t’i ofrojnë autoriteteve tona bashkëpunim. Është përmendur mundësia e ekstradimit të të pandehurit Naim Murseli për në Suedi, por e nënvizoj se është neni 8, paragrafi 1 i Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, i cili përcakton se ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës. Andaj, mbi këtë bazë, një kërkesë eventuale të autoriteteve suedeze për ekstradim e të pandehurit Murseli, në këtë fazë, institucionet e Kosovës do të duhej ta refuzonin, ndryshe shkelet ligji, gjë të cilën nuk e besoj që e bëjnë institucionet tona. 

“Bota sot”: Ҫfarë duhet të bëjë urgjentisht Qeveria e Kosovës që raste të tilla të mos ndodhin më? 

Bajraktari: E përbashkëta e institucioneve, përfshirë Qeverinë, Kuvendin, por edhe organet tjera ligj-zbatuese siç janë gjykatat dhe Prokurori i shtetit është zbatimi, dhe vetëm zbatimi. Pra, legjislacionin ynë është mjaft i avancuar, tashmë pjesë të legjislacionit tonë, përmes amendamentit nr. 26, të Kushtetutës, ku listës së instrumenteve ndërkombëtare të cilat zbatohen drejtpërdrejtë në vendin tonë, i është shtuar edhe Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, apo siç njihet ndryshme Konventa e Stambollit. 

Kjo nënkupton se vendi ynë ka marrë detyrime mjaft të mëdha, ku sipas dispozitave të kësaj konvente, palët marrin masat e nevojshme legjislative dhe masa të tjera për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën për çdokënd, veçanërisht gratë, për të jetuar pa dhunë në sferën publike, si dhe në atë private. Pra, është detyrim i shtetit marrja e masave, qoftë legjislative, apo të tjera për të promovuar dhe mbrojtur veçanërisht gratë. Kjo nënkupton që aktet, qofshin edhe si kjo konventë, është shumë inkurajuese që janë pjesë e legjislacionit tonë. Por, ato duhet zbatuar, e për zbatimin e tyre, duhen edhe hapat tjerë, e natyrisht se hap nga më të rëndësishmit, është aspekti buxhetor. Kur jemi te kjo Konventë, besoj se duhen edhe përgatitje, trajnime të institucioneve që merren me këtë kategori të shoqërisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat