Ushtria në kufi, rrahje, arrestime..., ish-ministri i FSK-së tregon si duhet të reagojë Kosova përballë Serbisë - përmend zonat e sigurisë

Intervista

Ushtria në kufi, rrahje, arrestime..., ish-ministri i FSK-së tregon si duhet të reagojë Kosova përballë Serbisë - përmend zonat e sigurisë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 shkurt 2024 Në ora: 19:28
Ish-ministri i FSK-së Haki Demolli

Ish-ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, vlerëson se aktualisht gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile dhe e qëndrueshme, në tërë territorin e vendit dhe kjo falë KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Demolli ka përjashtuar mundësinë e luftës nga Serbia në Kosovë, për shkak të KFOR-it, por jo edhe shkaktimin e ndonjë incidenti nga ndonjë individ apo grup të organizuar.

Ai kërkuar nga krerët e shtetit, që të jenë më të kujdesshëm në deklarimet e tyre për sulme të mundshme në Kosovë, pasi sipas tij, kjo po ndikon negativisht për imazhin e vendit. Në vend të kësaj, ai ka sugjeruar konsultime me përfaqësuesit e faktorëve ndërkombëtarë, KFOR-it, ambasadorët e Quint-it, që veprojnë në Kosovë.

Ndërsa, duke folur për sulmin terrorist serb në Banjskë, ish-ministri Demolli, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të ndihmojnë drejtësinë vendore, që sa më shpejtë të kryhen hetimet dhe të njëjtat t’ia procedojnë BE-së, që më pas të ketë ndëshkim ndaj Serbisë.

Demolli, ka komentuar edhe për armatosjen e Kosovës me raketa anti-tanke “Javelin”, të cilën e sheh vetëm si një veprim në vazhdën e veprimeve të shumta, në procesin e përkrahjes së SHBA-ve për FSK-në si dhe për paqen e sigurinë e Kosovës.

Ai ka dhënë edhe sugjerimet e tij se si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës, ndaj provokimeve të ndryshme të Serbisë, duke thënë se reagimi duhet të jetë në dy drejtime.

Intervista e plotë – pjesa I:

“Bota sot”: Si e vlerësoni aktualisht gjendjen e sigurisë në territorin e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore?

Haki Demolli: Është e ditur se që nga qershori i vitit 1999, KFOR, i cili në përbërjen e vet ka një pjesëmarrje të konsiderueshme të NATO-së, njërin prej fokuseve më të rëndësishme të tij e ka ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes nëpër gjithë territorin e Kosovës për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga origjina e tyre etnike. Krahas KFOR-it, kontribut të theksuar në ndërtimin e sigurisë së qytetarëve të Kosovës, ofron edhe policia tejet profesionale e Kosovës në cilësinë e reaguesit të parë të sigurisë, e cila në rast nevoje mund të kërkojë edhe angazhimin e policisë së EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë. Kur kemi parasysh numrin, përbërjen, strukturat dhe në përgjithësi kapacitetet e subjekteve përgjegjëse për sigurinë e Kosovës, atëherë vlerësimi jo vetëm i imi, por besoj edhe i çdo qytetari të Kosovës, duhet të jetë tejet pozitiv për gjendjen e sigurisë në Kosovë, duke mos përjashtuar mundësinë e ndonjë incidenti qoftë të natyrës klasike penalo juridike, qoftë edhe të atij të karakterit etnik me theks të posaçëm në pjesën veriore të vendit. Pra, aktualisht mund të flitet për një gjendje tejet stabile (të mirë, të qëndrueshme) të sigurisë në tërë territorin e Kosovës, e cila edhe në rast të ‘kërcënimit apo cenimit’ prej ndonjë incidenti qoftë edhe atij të karakterit etnik, siç ishte ‘rasti i Banjskës’ ose protestave të serbëve në tri komunat e veriut të Kosovës (pasojë e të cilave ishte plagosja e afro 30 pjesëtarëve të KFOR-it, përfshirë plagosje me armë të zjarrit) gjatë majit të vitit 2023, është rivendosur pas ndërhyrjes tejet profesionale të policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it. Pas këtyre protestave, KFOR-i jo vetëm që shtoi numrin e patrullimeve sikurse në brezin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ashtu edhe në komunat veriore të Kosovës, por njëkohësisht në selinë e NATO-së u mor vendimi, sipas të cilit kjo aleancë do ta rrisë me 700 pjesëtarë të ri, numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

“Bota sot”: Krerët shtetërorë (presidentja Osmani, kryeministri Kurti, kryeparlamentari Konjufca, ministri i Mbrojtjes Maqedonci), kanë paralajmëruar se Serbia, po përgatitet për një sulm të ri në Kosovë, pas atij të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas jush, a ekziston një rrezik i tillë?

Haki Demolli: Në njërin prej takimeve (si ish-ministër i FSK-së) me Sekretarin Gjeneral të NATO-së Z.Jens Stoltenberg, ndër të tjera me kishte thënë: “KFOR-NATO, do të qëndrojë në Kosovë, derisa te ketë nevojë populli i Kosovës për përkrahjen e tij.” Vetë prania e NATO-s është një garancë reale për sigurinë e kufijve të Kosovës, që do të thotë se derisa të ketë mandat për KFOR-in në Kosovë, as që mund të bëhet fjalë për ndonjë sulm të armatosur e aq më pak për luftë të Serbisë ndaj Kosovës, por nuk përjashtohet mundësia e shkaktimit të ndonjë incidenti (akti terrorist) nga ndonjë individ apo grup të organizuar, qoftë ndaj pjesëtarëve të policisë, policisë së EULEX-it, qytetarëve apo edhe ndaj institucioneve përkatëse shtetërore (komunave, doganierëve etj.). Kuptohet, incidentet e tilla të dhunës politike, mund të kryhen edhe sipas ‘porosive politike’ qoftë të Beogradit zyrtar apo pjesëmarrësve të tjerë në dialogun Kosovë-Serbi, e që për qëllim do të kishin “përgatitjen e terrenit” për implementimin e vendimeve të ndryshme që do të merren në dialog, e të cilat do të mund të jenë të dhimbshme qoftë për njërën apo palën tjetër. Andaj, incidentet e tilla sporadike, si qëllim apo funksion kryesor të tyre, do të kenë largimin e vëmendjes së opinionit të gjerë në të dy anët (atij kosovar dhe serb) nga vendimet e mëdha politike dhe vendosja e fokusit në pasojat e akteve dhe incidenteve të tilla terroriste.

Sa i përket paralajmërimeve të krerëve tonë shtetërorë Presidentes, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, Ministrit të Mbrojtjes, të natyrës “rreziku i lartë për luftë nga Serbia” (Kurti, gusht 2022 në La Repubblica ), pastaj “Serbia kërcënon Kosovën me agresion....t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi” (Kurti, dhjetor 2022), mendoj se janë joreale dhe se kanë qëllim të dyfishtë politik, dhe atë: 1. Që të krijojnë një pasiguri te qytetarët me ‘gjoja’ mundësinë e fillimit të një lufte të radhës në Kosovë, dhe në këtë mënyrë ne (pra qytetarët e Kosovës) të pranojmë pa kurrfarë kundërshtimi epilogun e marrëveshjes Kosovë-Serbi, përfshirë këtu edhe “autonominë territoriale për serbet e Kosovës”, e cila tanimë është përgatitur me marrëveshjen e Ohrit, të dakorduar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 18 mars 2023; dhe 2. Qëllimi i dytë politik, është që qytetarët e Kosovës të kërcënuar nga lufta dhe agresioni eventual i Serbisë, të koncentrohen dhe fokusohen në luftën e mundshme, e jo në realitetin jetësor social, ekonomik, shëndetësor, arsimor në të cilët sektorë Qeveria Kurti përkundër premtimeve ‘fantastiko shkencore’ (sa ishte në opozitë), ka dështuar totalisht gjatë këtyre tri (3) viteve të qeverisjes, duke dëmtuar rëndë secilin prej këtyre sistemeve (arsimor, shëndetësor, ekonomik, social etj.) të rëndësishme për mirëqenien dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Pra, përmes deklaratave mbi agresionin e mundshëm nga Serbia, krerët tonë shtetërorë dëshirojnë të largojnë fokusin e qytetarit kosovar nga fakti se gjatë kësaj qeverie (Kurti) iu është dëmtuar seriozisht cilësia e jetesës. Jo vetëm kaq, deklaratat e tilla kanë edhe efektin negativ në rrafshin e sjelljes së investimeve ndërkombëtare, sepse nuk besoj që ka ndërmarrje, kompani apo investitor serioz, i cili do të investonte në një shtet ku krerët e tij thuajse në çdo të dytën deklaratë të tyre, flasin për fillimin e një lufte apo agresioni të mundshëm nga Serbia. Andaj, i ftoj krerët tonë shtetërorë që të jenë më të kujdesshëm kur deklarohen për çështje të tilla (si p.sh. Kurti: “Lufta e Tretë Botërore do të nisë nga Kosova”, gusht 2022 - në La Repubblica), respektivisht që të konsultohen me përfaqësuesit e faktorëve ndërkombëtarë, KFOR-it, ambasadorët e Quint-it etj. që veprojnë në Kosovë.

“Bota sot”: Pse Serbia nuk u ndëshkua për sulmin në Banjskë dhe a mund të ndihet “i motivuar” Vuciq për një sulm të ri, marrë parasysh që hetimet për këtë sulm ende nuk kanë përfunduar?

Demolli: Fillimisht do të theksoja se në një konferencë mbi “terrorizmin dhe krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga NATO në prill të vitit 2007, në Lubjanë, ndër të tjera pata deklaruar se Kosova është e rrezikuar nga terrorizmi i ekstremizmit islamik dhe nga terrorizmi i grupeve etnike serbe. Pikërisht sulmi në Banjskë, përmban në vete të gjitha elementet e veprës penale të terrorizmit etnik serb, të përcaktuar me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës dhe të Konventave ndërkombëtare mbi terrorizmin. Për Kosovën është shumë i rëndësishëm fakti, që akti i dhunës në Banjskë, i cili për pasojë kishte vrasjen e oficerit të policisë Afrim Bunjaku, është cilësuar si akt terrorist, nga Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme.

Kurse sa i përket mosndëshkimit të Serbisë, duhet rikujtuar se menjëherë pas aktit terrorist të Banjskës, nga BE-ja decidivisht është thënë (dt.09.10.2023) se: “Duam përfundimin e plotë të këtij hetimi sa më shpejt... në bazë të përfundimit te këtyre hetimeve BE-ja do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në qasjen ndaj Serbisë, Kosovës, dialogut dhe rajonit.” Me këtë çështje ndërlidhet edhe deklarata e Z.Peter Stano, i cili ditë më parë në një konferencë për media (25.01.2024) ka theksuar se “BE, është në pritje të përfundimit të të gjitha hetimeve të sulmit në veri.” Pasur për bazë këto dy deklarata, mund të konstatohet se lidhur me përgjegjësinë, respektivisht ndëshkimin e Serbisë, BE-ja do të vendosë mbi bazën e hetimeve të përfunduara nga autoritetet kosovare e jo mbi bazën e një videoje të vetme. Andaj, duhet kërkuar prej autoriteteve kosovare që të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me drejtësinë kosovare, në mënyrë që sa më shpejtë të kryejnë hetimet lidhur me aktin terrorist të Banjskës, ashtu që rezultatet e hetimeve të tilla t’ia procedojnë BE-së.

“Bota sot”: Si e keni parë miratimin nga Departamenti amerikan i shtetit, për blerjen e 246 raketave anti-tanke “Javelin” për Kosovën?

Haki Demolli: Botërisht është e ditur se SHBA-ja është shteti që e ka përkrahur më së shumti sikurse Kosovën, ashtu edhe FSK-në si njërin prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së shtetit tonë. Përkrahjen e SHBA-ve për FSK-në, e hasim në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Kjo përkrahje ka qenë gjithëpërfshirëse duke filluar nga trajnimi dhe shkollimi i pjesëtarëve të saj, pastaj furnizimi me pajisje ushtarake, hartimi i strategjive dhe planeve për zhvillim dhe modernizim e deri te marrja e vendimeve për transformim në forcë të armatosur. Ndër veprimet konkrete me të cilat SHBA-të kanë përkrahur FSK-në mund të theksohen: dhurimi i pajisjeve “Harris”, për Kompaninë e Komunikimit, në vlerë 9.2 milionë dollarë; dhurimi i 55 automjeteve ushtarake me qëllim të ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, trajnimi dhe shkollimi i vazhdueshëm i pjesëtarëve të FSK-së në kolegjet dhe akademitë më prestigjioze amerikane siç është edhe vet akademia ushtarake West Point; ndërtimi i programit të partneritetit me Gardën Nacionale të Iows; pastaj përkrahja e FSK-së për pjesëmarrje në stërvitje të ndryshme ushtarake të karakterit ndërkombëtar në të cilat marrin pjesë ushtritë e shteteve anëtare të NATO-së ( si p.sh. Defender Europe ’23 etj.), përkrahja e fuqishme e vendimit mbi transformimin e FSK-së në forcë të armatosur të Kosovës përfshirë deklaratën e përfaqësuesit të saj, Jonathan Cohen, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; pastaj përkrahja gjithëpërfshirës e planit 10 vjeçar për transformimin e FSK-së në Forcë të armatosur të Kosovës; pastaj përkrahja e iniciativës së Kosovës për t’u bërë anëtar të programit të Partneritetit për Paqe, si hap iniciues drejt anëtarësimit në NATO nga ana e zëdhënësit të SHBA-ve në NATO Jeffrey Adler etj. Madje SHBA-të kanë shkuar më tutje, me qëllim të sforcimit të përkrahjes për FSK-në, në korrik të vitit 2023 Senati i SHBA-ve në Ligjin vjetor për mbrojtjen e ka shtuar edhe Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore për përkrahjen dhe trajnimin e ushtrive të tyre nga ana e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve. Andaj, vendimin e SHBA-ve, për miratimin e blerjes së 246 raketave anti-tanke “Javelin” për Kosovën, e shoh vetëm si një veprim në vazhdën e veprimeve të shumta, në procesin e përkrahjes së SHB-ve për FSK-në si dhe për paqen e sigurinë e Kosovës dhe të popullit të saj. Thellësisht jam i bindur, se veprime dhe përkrahje të tilla FSK-ja do të ketë nga SHBA-të edhe në të ardhmen, përmes të cilave do të modernizohet me pajisje bashkëkohore ushtarake siç janë sistemet e ndryshme mbrojtëse, helikopterët ushtarakë, etj. Por, nuk duhet harruar se SHBA-të jo vetëm që përkrahin, ato dijnë edhe të sanksionojnë, siç ishte rasti me anulimin e pjesëmarrjes së FSK-së në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe ‘23’ për shkak të injorimit të qeverisë Kurti ndaj këshillave të SHBA-ve për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

“Bota sot”: Si të reagojë Kosova përballë gjithë provokimeve nga Serbia, e cila po vazhdon me fushatë agresore ndaj vendit tonë (grumbullimi i ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, rrahja e opozitarit serb, që bëri homazhe në Prekaz)?

Haki Demolli: Me Marrëveshjen tekniko ushtarake të Kumanovës, jo vetëm se është përcaktuar që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi ushtarake serbe (ushtria, policia, rezervistët ushtarako policor etj.), por është përcaktuar edhe një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, si dhe një zonë prej 5 kilometrave përtej kufirit me RFJ-në, në të cilin nuk guxohet të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarëve kufitarë. Ndërsa nënshkrues dhe garantues i marrëveshjes dihet se është NATO.

Sa i përket reagimit të Kosovës ndaj provokimeve të ndryshme të Serbisë, sipas mendimit ai duhet të jetë në dy drejtime: 1. Duke zhvilluar dhe ndërtuar në vazhdimësi kapacitetet vetanake ekonomike, pastaj ato të mbrojtjes e sigurisë si dhe të fushave të tjera shtetërore, dhe 2. Duke sforcuar bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar e në veçanti me SHBA-të, si dhe duke koordinuar të gjitha veprimet e veta në rrafshin ndërkombëtar me këta faktorë, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet me Serbinë dhe trajtimin e provokimeve të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat