Flet i mbijetuari i masakrës së Suharekës: Nëna ime qe 18 vite nuk është kthyer në shtëpi nga tmerri i përjetuar

Intervista

Flet i mbijetuari i masakrës së Suharekës: Nëna ime qe 18 vite nuk është kthyer në shtëpi nga tmerri i përjetuar

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 prill 2017 Në ora: 10:38
Gramoz Berisha, i vetmi mashkull, i cili ka mbijetuar nga masakra e bërë në Suharekë nga kriminelët serb

Kanë kaluar 18 vite edhe që nga masakra e bërë në Suharekë. Gramoz Berisha i vetmi mashkull, i cili ka mbijetuar nga kjo masakër, tregon ekskluzivisht për gazetën “Bota sot” tmerrin që ka përjetuar atë ditë. Në atë kohë, Gramozi 9 vjeçar, ka mundur të shpëtojë së bashku me nënën dhe gruan e xhaxhait të tij. Ata janë të vetmit të shpëtuar nga masakra e Suharekës, ku paramilitarët serbë kishin vrarë 48 anëtarë të familjes Berisha. “Të jesh në një kamion me gjithë ato trupa (të vdekur) ishte një ndjenjë e tmershme. Ka qenë shumë e vështirë edhe për mua të marr vendimin që të hidhemi prej kamionit. Mirëpo, duke e parë që ata do të mund të na groposnin diku atëherë vendosëm të hidhemi dhe të rrezikojmë, edhe pse tërë kohën kemi qëndruar me frikën se dikush do të na kuptojë dhe do të na gjejnë përsëri. Deri në përfundim të luftës kemi qëndruar me frikë se kur do të na gjejnë”, ka rrëfyer Gramozi, i cili kërkon nga institucionet e Kosovës, por edhe nga Kryeministri serb, një përgjigje për familjarët e pagjetur.

Bota sot: Si e kujtoni 26 marsin 1999, tashmë që janë bërë 18 vite nga përfundimi i asaj masakreje?

Gramoz Berisha: Ajo ditë e 26 marsi  të vitit 1999, për mua do të mbetet gjithmonë e freskët. Sot, edhe pas 18 vitesh, kujtimet , dhembjet janë të njëjta. Ato janë ende në mua, nuk do të kalojnë kurrë, asnjëherë sado që kalojnë vitet, për mua do të jenë të njëjta dhembje dhe të njëjtat kujtime të hidhura.

Bota sot: A e kujtoni ende atë ditë, sa mendoni për atë kohë?

Gramoz Berisha: Atë ditë e mbajë ende të freskët, e mbaj në kujtesë time dhe e kujtoj gjithmonë. Ajo mbetet gjithmonë në mendjen time, janë përjetimet që nuk i harroj dhe nuk do t’i harroj kurrë.

Bota sot: A ke menduar që nuk do t’i takosh më kurrë familjarët e tu?

Gramoz Berisha: Në momentin që kishim vendosur të hidhemi nga kamioni edhe pse i kemi parë shumicën e familjarëve të vrarë, përsëri kemi pasur një shpresë se dikush nga familjarët do të dilte i gjallë, kemi shpresuar se edhe dikush tjetër ka mundur të shpëtojë ashtu sikur kemi shpëtuar ne. Por, pas përfundimit të luftës filluan edhe gjetjet e para të trupave, të familjarëve tanë dhe që nga ajo kohë e deri më sot gjithmonë jemi përballur me këtë punë. Akoma mungojnë edhe gjysma e trupave dhe ne jemi gjithmonë në pritje të ndonjë lajmi të ri, të ndonjë varreze tjetër masive.

Bota sot: Na përshkruani pak ndjenjën si ka qenë atë ditë, të qëndrosh me trupa të vdekur, pastaj të rrezikosh për të jetuar dhe të jetosh me frikën mos do të ju gjejnë përsëri militantët serbë?

Gramoz Berisha: Të jesh në një kamion me gjithë ato trupa ishte një ndjenjë e tmershme. Ka qenë shumë e vështirë edhe për mua të marr vendimin që të hidhemi prej kamionit. Mirëpo, duke e parë që ata do të mund të na groposnin diku atëherë vendosëm të hidhemi dhe të rrezikojmë, edhe pse tërë kohën kemi qëndruar me frikën se dikush do të na kuptojë dhe do të na gjejnë përsëri. Deri në përfundim të luftës kemi qëndruar me frikë se kur do të na gjejnë.

Bota sot: Pas përfundimit të luftës, ju keni jetuar te dajtë sepse nëna juaj nuk ka mundur të kthehet në shtëpi, a jeni kthyer tani?

Gramoz Berisha: Po, ne në përfundim të luftës kemi jetuar tek dajtë, ngase nëna ime nuk ka mundur të kthehet në shtëpi. Ajo sot e kësaj dite nuk është kthyer në atë shtëpi. Kurse unë shkoj atje vazhdimisht.

Bota sot: Ku gjendeni ju pas 18 viteve, si ka ndryshuar jeta juaj?

Gramoz Berisha: Kam përfunduar studimet e nivelit bachelor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa tani jam duke i vazhduar studimet në nivelin master. Jetojmë në Prizren, unë jam i papunë, ndërsa nëna ime punon në Suharekë.

Bota sot: Si bëni që të ecni përpara?

Gramoz Berisha: Jeta jonë edhe sot vazhdon me problemet e njëjta, ende jemi në kërkim të trupave për familjarët që na mungojnë dhe ende jemi në kërkim të drejtësisë.

Bota sot: A ju kanë ndihmuar institucionet juve, a ju ndihmojnë tani?

Gramoz Berisha: Është shumë vështirë të përballemi me të tashmen, mirëpo kur e mendoj se kemi shpëtuar atëherë natyrisht se kemi shpëtuar për ndonjë arsye, pra të tregohem i sinqertë është arsyeja e përballjes me të tashmen. Për ne familjarët kurrë nuk mjafton ajo se çfarë bëjnë institucionet, çkado që bëjnë ata, ne kërkojmë gjithmonë më shumë.

Bota sot: Janë 1.600 persona të zhdukur nga lufta, a kanë bërë mjaftueshëm komisonet përgjegjëse për gjetjen apo për zbardhjen e fatit të tyre?

Gramoz Berisha: Për ne si familjarë nuk jemi të kënaqur, nuk mjafton sado që mundohen deri sa të gjendet trupi i fundit që mungon. Jemi gjithmonë të mendimit, se ata mund të bëjnë shumë e më shumë.

Bota sot: Pse ende nuk ndëshkohen serbët që kanë bërë krime në Kosovës?

Gramoz Berisha: Nuk e di pse nuk janë ndëshkuar, po presim që institucionet të marrin hapin e parë. Duhet gjykimi i atyre që e kanë kryer krimin në vendin ku ka ndodhur krimi, nuk i besojmë gjykatave të Beogradit.

Bota sot: A kanë bërë institucionet mjaftueshëm për ndëshkimin e militantëve serbë, si e vlerësoni politikën që po zhvillohet me serbët ?

Gramoz Berisha: Institucionet tona po na flasin për normalizim edhe ne jemi për normalizim, por me normalizim ne kuptojmë të marrim përgjigjet e pyetjeve që na mundojnë gjatë gjithë kohës, e ato janë: pse ndodhi krimi, kush e bëri, si dhe ku janë trupat e familjarëve tanë.

Bota sot: I keni bërë thirrje Vuçiqit të vijë në shtëpinë tuaj, a jeni i gatshëm të përballeni më të?

Gramoz Berisha:  Arsyeja kryesore e ftesës që i kam bërë kryeministrit Vuçiç, është që të më jep përgjigje për pyetjet që i ceka edhe më lartë. Unë e marr guximin, t’i drejtohem atij e t’i them se dera e shtëpisë sime është e hapur, e pres të vijë dhe të më përgjigjet në pyetjet, çfarë ka ndodhur, kush i bëri, ku janë trupat? Ai është udhëheqës i ushtrisë dhe policisë serbe, është personi i duhur të më japë përgjigje për këto pyetje. Nuk kërkojmë kërkim falje prej tij, pasi ajo nuk na duhet. Nuk më duhet mëshira e askujt. Më duhen përgjigjet që do të më mundësonin që normalisht të jetoja me dhimbjen time. Do të isha i gatshëm të përballem me të, pasi që ajo përgjigje sadopak do të na lehtësonte dhimbjet që na mundojnë tash e 18 vite.

Bota sot: Si e shihni Kosovën e pas luftës, a është kjo Kosovë për të cilën kanë dhënë jetën familjarët e tu?

Gramoz Berisha: Nuk mendoj se kjo është Kosova ajo për të cilën kanë dhënë jetën familjarët e mi. Duhet edhe shumë punë që të arrijmë aty ku duhet të jemi, nuk mendoj se ata do të ishin krenarë për këtë ku jemi sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat