Rushiti tregon sa do të jetë shuma e mjeteve për viktimat e dhunës seksuale në luftë

Intervista

Rushiti tregon sa do të jetë shuma e mjeteve për viktimat e dhunës seksuale në luftë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 8 tetor 2017 Në ora: 13:27
Feride Rushiti

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka rrëfyer për procesin e verifikimit të viktimave të luftës në Kosovë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”,  zonja Rushiti ka treguar se Kosova ende nuk ka përfunduar gjithë procesin e njohjes se viktimave të dhunuara dhe torturuara në luftë. Rushiti, ka thënë se në mediat ndërkombëtare dhe ato vendore janë përmendur gjithmonë shifra mjaft të larta të grave që janë dhunuar gjatë lufës, numri i të cilave është rreth 20 mijë. Mirëpo sipas saj, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 1200 viktima të identifikuara nga organizata qe veprojnë dhe punojnë direkt me të mbijetuarit.

Bota sot: Si e vlerësoni gjithë procesin e verifikimit të viktimave seksuale të luftës në Kosovë, që nga fillimi i procesit e deri më tani?

Feride Rushiti: Dhunimet e luftës  kanë lënë plagë të thella në shoqërinë tonë. Gruaja në Kosovë, gjatë tërë periudhës së luftës, ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Fatkeqësisht, gratë, nënat dhe motrat tona kanë qenë edhe shënjestra të drejtpërdrejta të dhunës si armë  lufte, luftë kjo e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund. Sepse gratë e përdhunuara gjatë luftës jo vetëm që janë viktima të përdhunuesve, të mbijetuara të torturës, por ato shpesh janë edhe viktima të rrethit në të cilin jetojnë, për shkak se përballen me përbuzjen dhe përjashtimin nga shoqëria .

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pas shumë përpjekjeve janë njohtë si kategori ligjore me Ligjin nr.04/L-172 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre (Gazeta Zyrtare Nr. 26 / 23 prill 2014), i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2014.

Që nga viti 2014 kur edhe është dashur të filloj njohja dhe verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, ka munguar vullneti politik për realizimin e të drejtave të këtyre viktimave të cilat përkundër vuajtjeve dhe probleme shëndetësore, ballafaqohen edhe mungesë të kushteve elementare për jetës. Por fatmirësisht, më në fund, Qeveria e re që në javët e para të punës së saj, ndërmori hapat e parë për ndarjen e buxhetit për këtë kategori, obligim ligjor ky që është dashur të realizohet që nga 2014.

Bota sot: Kur do të nisë punën e verifikimit të këtyre personave komisioni Qeveritar dhe a janë bërë gati të gjitha procedurat e parapara? Cilat janë shoqatat që kanë bere verifikimin?

Feride Rushiti: Pra procesi i njohjes së statusit të viktimave seksuale gjatë luftës në Kosovë ka pasur një tempo të ngadalshme. Vet amandementimi i ligjit dhe përfshirja e kësaj kategorie si përfituese e ligjit është bërë tek në vitin 2014. Për më shumë zbatimi I ligjit ende nuk ka filluar të bëhet plotësisht. Në ndërkohë është bërë punë në përgatitjen e legjislacionit sekondar që rregullon zbatimin e ligjit, është formuar komisioni për njohje, sekretariati, janë autorizuar OJQ-të që do e mbështesin procesin por ka munguar vullneti politik për caktimin e shumës pensionale dhe zyrtarizimin e fillimit të aplikimit për njohjen e statusit. Organizatat joqeveritare kanë dhënë maksimumin që mbijetuarve  të paraqitur t`ju ofrojnë mbështetjen e duhur psikosociale, mjekësore dhe ligjore dhe njëkohësisht kanë senzibilizuar opinionin për gjendjen e viktimave dhe avokuuar për realizimin e të drejtave të tyre.

Ne shpresojmë që ky proces do të filloj shumë shpejt me përcaktimin e shumës së pensionit nga MPMS dhe ftesën për aplikim dhe verifikim. Verifikimi do behët nga komisioni qeveritar, ndërsa do e mbështesin procesin e aplikimit dhe të ofrimit të shërbimeve: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve te Torturës QKRMT, Medika Kosova Medika Gjakova, dhe Qendra për Promovimin e te Drejtave te Grave .

Bota sot: Sa mund të jetë numri i viktimave seksuale në Kosovë? Dhe deri më tani sa persona janë verifikuar?

Feride Rushiti: Nuk dihet dhe nuk do të dihet saktë numri. Ka shumë viktima që megjithatë nuk do e deklarojnë kurrë këtë përvojë për shkak të paragjykimeve dhe stigmes që mbizotëron në raport me këtë grup të ndjeshëm shoqëror(për arsye të ndryshme qoftë personale apo familjare), ka shumë prej tyre që nuk jetojnë më dhe ka të tjerë që ende do ju duhet kohë për të marrë guximin të paraqiten. Deri më tani flitet përafërsisht për rreth 1200 viktima të identifikuara nga organizata që veprojnë dhe punojnë direkt me te mbijetuarit.

Bota sot: Shpesh është fol në media për dhunimin e femrave gjatë luftës në Kosovë, a mund të na tregoni a ka edhe burra që janë viktima të dhunës seksuale dhe sa është numri i tyre që tashmë janë identifikuar?

Feride Rushiti: Ka shumë më shumë raste të grave të dhunuar por ka pasur edhe burra,djem, te rinj  që kanë kaluar këtë përvojë traumatike gjate luftës. Duke pasur parasysh që shumica e OJQ-ve kanë ofruar shërbime vetëm me gra dhe vajza, kjo ne njëfarë forme ju ka pamundësuar qasjen e barabartë burrave, djemve qe në shërbimet e ofruara. Po ashtu, deri më tani burrat e kanë edhe më të vështir të flasin për traumat e tyre te luftës. Deri më tani pran QKRMT-së ka pesë raste të regjistruara të burrave të kanë kaluar përvoja të tilla. 

Bota sot: A ka ende hezitim që të flasin viktimat gra e burra të dhunuar gjatë luftës?

Feride Rushiti: Thuhet se stigma vet-vret për faktin që shumica e këtyre viktimave përveç tmerrit dhe vuajtjeve qe kanë përjetuar gjate luftës vuajtjeje e tyre shtoheshin duke qenë të paragjykuara nga shoqëria dhe familje dhe për 15 vite me radhë të harruara edhe nga qeveria.

Bota sot: Ku janë tani këto të mbijetuara dhe me çfarë ballafaqohen?

E tërë kjo heshtje dhe mungesa e shoqërisë për tu ballafaquar me të kaluarën ka bërë që viktimat edhe më tej të stigmatizohen e fajësohen, që dhunuesit te mbesin të lirë dhe të pandëshkuar dhe edhe me teje te përkeqësohet gjendja shëndetësore e sociale e te mbijetuarve.

Të Mbijetuarat të cilët njihen, janë stigmatizuar, përbuzur, denigruar duke u refuzuar ne disa raste nga bashkëshortët apo anëtarët e ngushtë të familjes, duke mos arritur të krijojnë familje apo  të jenë të integruara në shoqëri.

Paragjykimet personale të vet viktimave por më shumë të familjeve të tyre dhe shoqërisë në përgjithësi ende janë të fuqishme dhe kjo pengon viktimat që të flasin hapur për përvoja e tyre. Shumë viktima hezitojnë të flasin nga frika e zbulimit apo për shkak të marrëveshjeve që kanë bërë me familjarët apo viktimat tjera që për këtë gjë të mos flitet.

Bota sot: Sa kohë do të zgjas procesi i verifikimit të viktimave të dhunuara, pasi që p.sh Kroacia e ka për gjithë jetën procesin e verifikimit?

Feride Rushiti: Në bazë të Ligjit të lartë përmedur (04/L-172), njohja dhe verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, do të bëhet nga Komisioni Qeveritar i përbërë nga 9 anëtar (5 anëtarë të emëruar nga Qeveria: 1-zyra e kryeministrit, 1-MPMS, 1-MSH, 1-MD, 1-Instituti për Krimet e Luftës; si dhe 4 anëtarë të zgjedhur përmes konkursit publik: 1-psikiatër, 1-psikolog klinik, 1-jurist, 1-nga shoqëria civile). Ky Komision sipas Ligjit ka mandat 5 vjeçar. Punët dhe detyrat e këtij Komisioni Qeveritar janë rregulluar me Rregulloren e Qeverisë nr.22/2015, me të cilët parashihet edhe bashkëpunimi dhe roli i OJQ-ve në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të këtyre viktimave.

Mandati i komisionit për verifikim me ligj është i përcaktuar 5 vjet. Ne nuk mendojmë që kjo periudhe është e mjaftueshme sepse nevojitet kohë për inkurajim dhe vetëdijesim dhe ne do evokojmë për zgjatjen e këtij afati apo për të mos afatizuar fare këtë mundësi siç është p.sh. në rajon , Bosnje dhe Kroaci.

Bota sot: Shpesh është thënë se janë rreth 20 mijë gra të dhunuara në Kosovë, sa qëndron kjo shifër?

Feride Rushiti: Hulumtimi ndërkombëtare kanë gjetur se përdhunimi dhe forma të tjera të dhunës seksuale u përdorën në Kosovë në vitin 1999 si armë lufte dhe vegla sistematik "spastrimit etnik". Përdhunimet nuk ishin akte të rralla dhe të izoluara të kryera nga forcat serbe e jugosllave ne formë  individuale, por më tepër janë përdorur me qëllim si një instrument për të terrorizuar popullsinë civile, të rrëmbyer para nga familjet, dhe të shtyjë njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre. Dhunimi për më shumë  kishte qëllimin për spastrim etnikë të shqiptarëve nga Kosova. Kryesisht ky numër buron nga Amnesty International CDC ,Human rights Ëatch dhe burimet tjera ndërkombëtare.

Bota sot: Na tregoni cila do të jetë shuma e mjeteve (parave) që personat që kanë qenë viktima të dhunës seksuale në luftë do ti marrin çdo muaj?

Feride Rushiti: Shuma e pensionit nuk është përcaktuar ende. Vetëm një shumë solide do ju mundësoj të mbijetuarve të jetojnë një jetë sadopak dinjitoze dhe të mbulojnë shpenzimet ditore.  Ne jemi duke avokuar që kjo që sa më shpejt të merret vendimi për lartësinë e pensionit personal dhe kjo shumë të jetë dinjitoze.

Bota sot: A mendoni se Kosova është vonuar në miratimin e Ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Feride Rushiti: Proceset e tilla zgjasin mjaft edhe në vende tjera sepse nuk ka gatishmëri për mbështetje dhe vet viktimat janë të heshtura. Megjithatë për neve është më brengosëse periudha që kaloi prej aprovimit të ligjit e derri me tani pa fillim të zbatimit. Por më mire vonë se kurrë. Pra  braktisja apo anashkalimi i këtij grupi te ndjeshëm shoqërore paraqet  barrierë për konsolidimin e një shoqërie paqësore dhe me ketë rast i ftoj institucione e vendit qe sa me shpejt te filloj me procesin e njohjes se statusit te viktimave te dhunës seksuale.

Bota sot: A jeni në dijeni se a ka ndonjë rast që për dhunimet që ka bërë gjatë luftës në Kosovës është dënuar nga Gjykatat serbe, gjykatat e Kosovës apo edhe ato ndërkombëtare?

Feride Rushiti: Përtej interesit për mbajtjen e proceseve gjyqësore me qëllim të parandalimit të krimit, qasja ne drejtësi   potencialisht kontribuojnë në lehtësimin e vuajtjes së viktimës. 

Qasja ne drejtësi  mund t’i ndihmojnë viktimave të rikthejnë dinjitetin e tyre duke ia atribuuar fajin ushtruesit të dhunës dhe duke bërë që të pranohet statusi i tyre si viktimë dhe jo duke u ndier vete fajtori

Prandaj qasja ne drejtësi mund të zënë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e tyre saqë beteja për drejtësi dhe riparim të dëmit shndërrohen në nevojë  domosdoshme për disa nga te mbijetuarat. Mirëpo deri më tani këto krime kanë mbet të pandëshkuar jo vetëm ne Kosove por edhe rajone.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat