Barani tregon çfarë ndodhi me 21 serbët që janë arratisur nga burgu i Mitrovicës

Intervista

Barani tregon çfarë ndodhi me 21 serbët që janë arratisur nga burgu i Mitrovicës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 nëntor 2017 Në ora: 13:01
Halit Barani

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të Njeriut në Mitrovicë Halit Barani,  ruan dëshmi të shumta  për krimet monstruoze që i ka shkaktuar krimineli Sllobodan Millosheviç në Kosovë. Për këto krime, ai ka shkruar edhe libra, ka hapur ekspozita dhe ka dhënë mijëra intervista për medie të ndryshme, vendore e ndërkombëtare. Me kriminelin ishte përballur si dëshmitar në Gjykatën e Hagës. Pavarësisht, gjithë këtyre përpjekjeve e dëshmive që i ka ruajtur, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Barani thotë se deri tash nuk është bërë thuajse asgjë, për zbardhjen e krimeve të luftës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën në rrafshin e të drejtave të njeriut pas heqjes së barrikadës?

Halit Barani: Natyrisht se  barrikada në urën kryesore mbi lumin Ibër shkaktonte dëme të mëdha në fushën e të drejtave të njeriut. U bë mirë që barrikada u hoq. Gjendja në fushën e të drejtave të njeriut në Mitrovicë, pas heqjes së barrikadës filloi të përmirësohet. Sot mund të falim për një gjendje relativisht të mirë e të konsoliduar kur është fjala për të drejtat e njeriut në qytetin buzë Ibrit.

“Bota sot”: Ka pas ditëve të fundit incidente me thyerjen e dritareve dhe shpërthime në Kodrën e minatorëve dhe në Lagjen e Boshnjakëve. Sa po arrihen të zbardhen këto raste nga ana e policisë?

Halit Barani: Po është e vërtetë se pas një qetësie relative në lagjet e banuara me shqiptarë në veri të Mitrovicës, ka pas incidente  të natyrës që ju i përmendët. Këto i ka konfirmuar edhe policia e Kosovës. Fatkeqësisht, ne nuk kemi informata se si janë zhvilluar hetimet dhe deri ku kanë shkuar ato për zbardhjen e rasteve. Mund të them se gjatë gjithë periodës së pas luftës, incidentet ndëretnike në lagjet veriore të qytetit, ku zakonisht pësonin shqiptarët, nuk kanë pasur zbulueshmëri të kënaqshme.

“Bota sot”: Cilat janë ankesat kryesore të qytetarëve në pjesën veriore të qytetit?

Halit Barani: Ankesat e shqiptarëve që akoma jetojnë në lagjet veriore të Mitrovicës janë të shumta e të nduarduarshme dhe të arsyeshme. Sa i përket të drejtave dhe lirive të njeriut, qytetarët e përkatësive etnike jo serbe, posaçërisht ata shqiptare ankohen se ato po u shkelen në mënyrë sistematike dhe masovike. Kanë probleme të shumta në arsim, shëndetësi, mbrojtjen sociale, si dhe akoma nuk ndihen të sigurt, sidomos gjatë orëve të natës.

“Bota sot”: Së shpejti edhe mund të priten bisedimet për asociacionin e komunave serbe që do ta ketë selinë në Mitrovicë. Çfarë sipas jush duhet të bëjnë institucionet e vendit?

Halit Barani: Institucionet e vendit duhet të kenë kujdes maksimal kur është fjala për formimin e asociacionit të komunave serbe. Ato duhet detyrimisht të zbatojnë konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë asociacion, në mënyrë që ai të mos dalë jashtë suazave kushtetuese. Po ashtu, mendoj se institucionet e vendit duhet t’i kushtojnë rëndësi edhe respektimit të të drejtave dhe lirive të plota të qytetarëve të përkatësive etnike që jetojnë në komunat me shumicë serbe e që do të jenë pjesë e asociacionit.

“Bota sot”: Deri ku është arritur për zbardhjen e krimeve dhe rasteve të të zhdukurve nga kjo pjesë?

Halit Barani: Në hapësirën ku e mbulon Qendra Rajonale e KMDLNJ-së së Mitrovicës, nuk janë arritur pothuaj kurrfarë rezultatesh në këtë drejtim.

“Bota sot”: Sa do të kontribuonte në paqe zbardhja e këtyre rasteve?

Halit Barani: Sigurisht se zbardhja e rasteve të krimeve dhe fatit të personave të zhdukurve, do të ndikonte shumë në situatën e përgjithshme politike e të sigurisë, përmirësimin e raporteve ndëretnike, përafrimin e komuniteteve, si dhe në fusha të tjera.

“Bota sot”: Keni qenë dëshmitarë në Gjykatën e Hagës kundër Millosheviqit. A i keni thënë të gjitha, apo keni ende diç për të thënë?

Halit Barani: Kriminelit Millosheviq ia kam thënë të gjithë në sy ato që kam pas për t’i thënë. Po ashtu, për krimet monstruoze që i ka shkaktuar ky kriminel, kam shkruar edhe libra, kam hapur ekspozita dhe kam dhënë mijëra intervista për medie të ndryshme, vendore e ndërkombëtare. Të gjitha që i kam thënë deri sot, i kam ilustruar me dokumente përkatëse.

“Bota sot”: A mund të na thoni diçka rreth rastit të 31 viktimave meshkuj gjatë luftës nga paramilitarët serbë që kanë ndodhur në rrugën “Milladin Popoviq” në Mitrovicë dhe çka thonë serbët për këtë masakër?

Halit Barani: Në rrugën që ju e përmendni ka ndodhur më 14.IV.1999 një masakër, me 31 viktima civile. Serbët nuk thonë asgjë lidhur me këtë masakër. Ç ‘është e vërteta, një shkrimtar serb me mbiemrin Nikolla Paqariz, ka shkruar për këtë masakër, duke e përshkruar situatën kur drejtori serb  i shkollës “Meto Bajraktari”, ka parë rrugëve të kësaj lagje plotë shqiptarë të vrarë. Ky libër menjëherë është ndaluar dhe është tërhequr nga shitja nga strukturat drejtues të serbëve në veri të Mitrovicës.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur si degë e KMDLNJ-së me dënimet?

Halit Barani: Nuk jemi aspak të kënaqur. Deri tash dimë se vetëm Oliver Ivanoviqit i është shqiptuar një dënim, të cilin e ka kthyer në rishqyrtim shkalla e dytë e gjykatës, edhe pse ai dënim ishte qesharak kur të kemi parasysh veprat kriminale për të cilat ai akuzohet.

“Bota sot”: Çfarë ka ndodhur me rastin e ikjes nga burgu shumë vite më parë të mbi 30 të akuzuarve për krime në Mitrovicë?

Halit Barani: QR e KMDLNJ në Mitrovicë ka të dhëna vetëm për 21 serbë të akuzuar për krime ndaj shqiptarëve, që janë arratisur nga burgu i Mitrovicës. Këtu më duhet të sqaroj se arratisja është bërë në bashkëpunim me policët e UNMIK-ut. Ata ishin arrestuar nga xhandarmëria franceze.

“Bota sot”: Keni ndonjë mesazh?

Halit Barani: Porosia e KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë, kërkon nga udhëheqja e Republikës së Kosovës të jenë më vigjilent, mos të bëhen ura për ata që nuk ia dëshirojnë të mirën Kosovës, mos të bëhen kameleon si deri me tani, ta kenë parasysh se Kosova nuk është pronë individuale private e asnjërit, ta kenë gjithherë parasysh se me ndihmën e kujt janë ulur nëpër ato karrige e mos t'ua kthejnë shpinën atyre por të jenë sy qel kur nënshkruajnë farë marrëveshje, kur marrin farë vendimesh për Kosovën të mendojnë mirë mos të jetë pastaj si me demarkacionin etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat