Ministri i Arsimit tregon pse u shkarkua bordi i AKA-së

Intervista

Ministri i Arsimit tregon pse u shkarkua bordi i AKA-së

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 1 dhjetor 2017 Në ora: 15:13
Shyqiri Bytyqi

Në një intervistë për gazetën  “Bota Sot”, Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë,  Shyqyri Bytyqi ka thënë se gjendja në arsim nuk është në nivelin e duhur, por që sipas tij janë duke u bërë përpjekje që kjo gjendje të ndryshojë. Bytyqi, po ashtu ka thënë se është duke u punuar që rezultatet e PISA 2018, do të jenë më të mira, krahasuar me rezultatet e vitit 2015.

“Ditëve  në vazhdim do të kemi edhe një konferencë ndërkombëtare për PISA 2018, ku do të mësojmë më shumë edhe rreth përvojave ndërkombëtare për testin PISA”, është shprehur Ministri Bytyqi.

Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen aktuale arsimin e Kosovës?

Shyqri Bytyqi: Në përgjithësi gjendja në arsim nuk është në nivelin e duhur, që dëshirojmë dhe synojmë. Gjithsesi, ne jemi duke u angazhuar në përmirësimin e kësaj gjendje, kemi formuar grupe në bazë të fushave të ndryshme brenda MAShT, me një përbërje te të gjithë atyre që kanë vullnet për të ndryshuar gjendjen, dhe jemi duke punuar që kjo gjendje të fillojë të përmirësohet. Kur puna dhe angazhimi bëhet me seriozitetin më të madh, atëherë edhe rezultatet nuk do të mungojnë.

Bota sot:  Cilat janë prioritetet strategjike të Ministrisë se Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për katër vitet e ardhshme?

Shyqri Bytyqi: Disa nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, janë:

Modeli I ri arsimor. Rritja e pjesëmarrjes dhe gjithëpërfshirjes në arsimin parauniversitar si dhe përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies në arsimin fillor dhe të mesëm. Ndërlidhja e arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës dhe sigurimi i mundësive për trajnim dhe punësim të të rinjve dhe grave përmes tregut aktiv të punës. Përmirësimi i menaxhimit arsimor dhe ngritja e cilësisë dhe konkurrueshmërisë së arsimit të lartë. Krijimi i kornizës së politikave për përshpejtimin e krijimit të kapaciteteve për hulumtim dhe inovacion me fokus në sektorët prioritarë të politikës industriale, si dhe partneriteti i përmirësuar ndërmjet institucioneve kërkimore publike dhe Qeverisë.

Bota sot: Flitet shumë për nivelin e lartë të analfabetizmit në Kosovë. Çfarë tregojnë statistikat sa është përqindja e tyre në shoqëri?

Shyqri Bytyqi: Pa dashur të flas me shifra, konsideroj se analfabetizmi, i cilës do shkallë qoftë është keq për vendin tonë që synojmë të jemi shoqëri e dijes dhe e integruar në Bashkimin Evropian.

Bota sot: Po diskutohet shumë niveli i ulët i nxënësve në arsimin e ulët dhe të mesëm, por edhe atë universitar, na tregoni aktualisht si qëndroni niveli i arsimit në Kosovë?

Shyqri Bytyqi: Ne duhet të bëjmë përpjekje të vazhdueshme, duhet të angazhohemi me tërë potencialin arsimor që kemi, që ta përmirësojmë këtë gjendje të trashëguar.

Bota sot: Zbatimi i reformave, cilësia, vlerësimi, edukimi, “thyerja” e trekëndëshit pedagogjik, dhuna, mungesat e shumta të nxënësve, rënia e interesimit apo e motivit për të nxënë, si dhe mossuksesi i nxënësve janë një ndër problemet më madhore në shkollat tona. A pajtoheni ju më këtë dhe cilat do të jenë prioritet tuaja në lidhje me zbutjen e këtyre dukurive?

Shyqri Bytyqi: Ne do veprojmë konkretisht, me angazhime të qarta në mënyrë që çdo hallkë zinxhirore brenda sistemit tonë arsimor të jetë sa më funksionale në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.

Bota sot: Na tregoni deri ku kanë arritur procedurat për Ligjin për mësimdhënësit kontribut dhënës gjatë viteve 1990-99. A pritet të bëhët së shpejti miratimi i tij?

Shyqri Bytyqi: Grupi Punues i Ministrisë është duke u marrë me këtë çështje. Ky grup është në fazën e finale dhe brenda viti pritet të kalojë në qeveri për miratim.

Bota sot: Shkarkimi i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë - KSHC), është bërë menjëherë pasi Ramush Haradinaj ka marrë drejtimin e qeverisë. Na thuaj pse erdhi deri te kjo, cilat ishin arsyet e shkarkimit?

Shyqri Bytyqi: Në lidhje me këtë çështje, ne kemi dhënë shpjegimin tonë disa herë. Qëndrimi ynë tashmë është publik, dhe kjo ka ardhur si pasojë e një gjendje jo të mirë në Arsimin e Lartë në vend. Gjithsesi, çdo ndryshim ka për qëllim përmirësimin e gjendjes apo avancimin e proceseve me interes për vendin.

Bota sot:  De politizimi i Universitetit të Prishtinës. Çka saktësisht do të bëni ju në këtë drejtim dhe a mendoni se politika duhet të qëndrojë larg universitetit?

Shyqri Bytyqi:  Gjithsesi do vazhdojmë të angazhohemi që një gjë e tillë të jetë sa më pak prezentë në Universitetin e Prishtinës, dhe në universitetet tjera publike në vend.

Bota sot: Është folur shumë edhe për trajnimin dhe rishikimin e aftësisë se mësimdhënësve në raport më nxënësit, na thuani çka është bërë deri më tani në këtë drejtim?

Shyqri Bytyqi: Procesi i trajnimit të mësimdhënësve është në vazhdim , dhe lë të dihet njëherë e mirë se të gjithë kemi nevojë për mësim gjatë gjithë jetës , dhe askush nuk duhet t’i lejojë vetes të kënaqet me arritjet aktuale, por duhet të punojnë që të fitojnë sa më shumë përgatitje gjatë gjithë kohës.

Bota sot: Po kurrikulat e arsimit në Kosovë. A mund të themi se ka një përparim të dukshëm në këtë drejtim?

Shyqri Bytyqi: Sigurisht se po, ndonëse ende ka nga ata që hezitojnë për suksesin eventual, por aktualisht jemi këtu ku jemi. Tashmë ka filluar zbatimi i plotë i KKK’së në Kosovë. Sigurisht që çdo fillim i ka edhe telashet e veta, të cilat ne do t’i trajtojmë me kohë.

Kurrikula është bashkëkohore, e hartuar nga ekspertë vendorë dhe në konsultim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë të fushave të ndryshme të arsimit.

 Bota sot:   Thuhet se është bërë shumë në infrastrukturën e shumicës se shkollave në Kosovë, por ka mungesë thelbësor të laboratorëve dhe pajisjeve për ushtrime praktike. A mund të presim që në mandatin e juaj kjo gjendje në shkolla të përmirësohet?

Shyqri Bytyqi: Kostoja e pajisjeve të shkollave me laborator, por edhe ndërtimi i objekteve të reja është shumë e lartë, ne do bëjmë përpjekje që të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur, kjo varet edhe nga buxheti.

Gjithsesi në do angazhohemi fuqishëm në këtë fushë, sepse kjo është edhe në funksion të mësimit tërëditor, me të cilin do të startojmë aty ku janë kushtet dhe aty ku nuk janë kushtet do angazhohemi që të fillohet me ndërtimin e shkollave te reja, dhe këtë do mund ta bëjmë në bashkëpunim më donatorët.

Bota sot:  Po drejtorët partiakë në shkollat e Kosovës. Pothuajse në secilin komuna kemi drejtorë që janë vendosur nga klanet partiake që edhe nuk meritojnë të jenë drejtorë shkolle. A mendoni se kjo do të mund të tejkalohet ndonjëherë dhe si?

Shyqri Bytyqi: Ndoshta është mirë që kjo çështje të trajtohet më profesionalisht, që të kemi njerëz kredibil në udhëheqje të shkollave. Patjetër, që ne do të angazhohemi që të kemi sa më pak drejtor politik. Jemi ne rishikim te procedura për zgjedhjen e drejtuesve te shkollave.

Bota sot:  Çfarë prisni nga rezultatet e ardhshme të PISA-s për Kosovën, apo është herët për t’u vërejtur ndryshimet eventuale?

Shyqri Bytyqi: Është duke u punuar edhe rreth kësaj teme, dhe besoj se rezultatet e PISA 2018, do të jenë më të mira, krahasuar me rezultatet e vitit 2015.

Ditëve në vazhdim do të kemi edhe një konferencë ndërkombëtare për PISA 2018, ku do të mësojmë më shumë edhe rreth përvojave ndërkombëtare për testin PISA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat