Plesch: Tensione ndërmjet liderëve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë

Intervista

Plesch: Tensione ndërmjet liderëve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë

Më: 12 janar 2018 Në ora: 09:56
Valerie Plesch

Përpjekja për shfuqizimin e legjislacionit për Gjykatën Speciale në Kosovë “mund të shihet si kriza më e madhe ndërmjet liderëvve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë, prej përfundimit të luftës”, thotë gazetarja amerikane, Valerie Plesch.

Radio Evropa e Lirë: Ditëve të fundit ne kemi dëgjuar informacionin se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk udhëton për në Shtetet e Bashkuara, pasi nuk ka vizë. Ka pasur disa opinione se kjo është e ndërlidhur me zhvillimet për përpjekjet për tërheqjen e legjislacionit për Gjykatën Speciale për Krime të Luftës. Si e shihni ju këtë situatë?

Valerie Plesch: Nuk dëshiroj të spekulojë, por dikush mund të pyetet për kohën e kësaj vizite dhe vizës dhe lajmin e fundit për tërheqjen e legjislacionit për Dhomat e Specializuara.

Nuk dihet nëse refuzimi i vizës është i bazuar në lajmin më të fundit për përpjekjen nga anëtarët e Kuvendit të Kosovës dhe liderët më të lartë të Kosovës, për ta tërhequr legjislacionin për Gjykatën Speciale, ose kjo ishte vetëm një çështje procedurale. Por, sigurisht kjo e ngrit çështjen e kohës kur kanëndodhur ngjarjet aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Thatë se ju keni dëgjuar disa spekulime. Çfarë lloji të spekulimeve ekzistojnë?

Valerie Plesch: Kam parë në mediat sociale dhe në lajmet lokale se këto dy ngjarje janë shumë të ndërlidhura. Por përsëri, asnjëra palë nuk ka konfirmuar se përse është refuzuar viza. Por, ju duhet të mendoni për kohën.

Radio Evropa e Lirë: Pas kësaj nisme në Kuvendin e Kosovës, e cila tash për tash ka dështuar, ka pasur kundërshtim të fuqishëm nga vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. A mendoni se raportet ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe vendeve perëndimore aktualisht janë me tensione dhe, për të parën herë, disa këtë e shohin si krizën më të madhe ndërmjet zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë?

Valerie Plesch: Mendoj se po! Do të thoja se situata është e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe aleatëve dhe mbështetësve të saj më të mëdhenj në 18 vitet e kaluara. Ambasadori britanik tha më 22 dhjetor, kur e gjithë kjo filloi të zhvillohet se “kjo natë mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.

Po ashtu, ambasadori amerikan tha se nga Shtetet e Bashkuara do të konsiderohet si thikë në shpinë, nëse legjislacioni tërhiqet. Prandaj, mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës dëshirojnë të shohin se Kosova po ka sukses dhe përfundimisht dëshirojnë të shohin se po lëvizë përpara lidhur me përkushtimet e veta për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës.

Gjatë një vizite të mërkurën të delegacioneve gjermane dhe franceze në Prishtinë, në mënyrë specifike është diskutuar për Gjykatën Speciale, me ç’rast këta zyrtarë në delegacione, raportohet se u kanë tërhequr vërejtjen liderëve të Kosovës se anulimi i Dhomave të Specializuara do të prodhojë konsekuenca serioze për udhëheqjen e Kosovës.

Po, kjo mund të shihet si kriza më e madhe ndërmjet liderëve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë, prej përfundimit të luftës.

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj vitin e kaluar në Washington Times, ju keni shkruar për dashurinë e thellë dhe falënderimin e Kosovës për Amerikën në gjithë vendin. Tash, pas zhvillimeve të fundit politike, a mendoni se kjo qasje është në rrezik?

Valerie Plesch: Nëse e kuptoj në mënyrë korrekte pyetjen, nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga mbështetja dhe investimi në zhvillimin afatgjatë të Kosovës. Mendoj se shenja e falënderimit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara do të shihet gjithnjë në gjithë vendin.

Pra, unë realisht nuk shoh se ekziston një rrezik i tillë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë këtu për të mbetur. Ato po e ndërtojnë ambasadën e re këtu në Prishtinë, një ambasadë shumë të madhe dhe mendoj se kjo është shenjë e qartë se Shtetet e Bashkuara do të mbesin këtu dhe investojnë për të ardhmen e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Duket se një tjetër pengesë serioze në këto raporte është edhe çështja e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Ky është, po ashtu, kushti kryesor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Duke jetuar dhe shkruar për Kosovën për një kohë, a pritni se kjo çështje do të zgjidhet pozitivisht për shtetasit e Kosovës, të cilët janë të izoluar?

ValeriePlesch: Po, por mendoj se do të duhet më tepër kohë. Jetoj këtu tash e tri vjet dhe nuk është bërë progres kritik në këtë çështje, për të cilën mendoj se do t’i përmirësonte kushtet e jetesës për shtetasit, që të mund të udhëtojnë lirisht.

Janë bërë shumë premtime nga liderët gjatë vitit, por edhe sot kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirisht në pjesët e tjera të Evropës. Kjo është ekstremisht frustruese për shtetasit.

Mendoj se njerëzit janë të ngopur duke dëgjuar premtime, që janë bërë gjatë fushatave, se liberalizimi i vizave do të ndodhë, nën udhëheqjen e kandidatit të caktuar. Për shembull, Haradinaj u tha shtetasve se nëse ai zgjedhet kryeministër i ardhshëm, atëherë ata do të udhëtojnë pa viza brenda 90 ditëve. Por, natyrisht, kjo kurrë nuk ka ndodhur.

Muajin e kaluar, ai premtoi liberalizim të vizave në muajin mars të këti viti. Nuk shoh se kjo po ndodhë. Njerëzit këtu janë të ngopur me këto premtime dhe ata nuk dëshirojnë të jenë mëtutje të izoluar. Ata duhet të presin në rreshta të gjatë para ambasadave për viza të shtrenjta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat