Deputeti i LDK-së flet për Gjykatën Speciale, e quan skandaloze qeverinë Hardinaj

Intervista

Deputeti i LDK-së flet për Gjykatën Speciale, e quan skandaloze qeverinë Hardinaj

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 shkurt 2018 Në ora: 11:58
Haxhi Avdyli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli e konsideron si të dështuar qeverisjen e deritashme të Kryeministrit Ramush Haradinaj. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Avdyli thotë se Qeveria Haradinaj vendimet po i merr më shumë në stilin e odave ku kryeplaku është Ramushi e djemtë ministrat. Deputeti Avdyli, gjatë kësaj interviste flet edhe lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se Kosova është më e madhe se sa interesi i dikujt që për të shpëtuar lëkurën e japin Kosovën. Lidhur me këtë, ai ka thënë se Presidenti Thaçi po i rrezikon themelet e shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Z. Avdyli, na përshkruaj pak sipas perceptimit tuaj si po e shihni Kosovën sot në planin e funksionimit si shtet?

Haxhi Avdyli: Përkundër disa përparimeve, Kosova si shtet në shumë drejtime ka vend numërim ose edhe kthim prapa dhe krejt kjo e një qeverie të papërgjegjshme dhe pa plan për prioritetet reale të Kosovës.

“Bota sot”: Qeveria i ka kaluar 100 ditët e famshme, çfarë mendoni cilat janë simptomat e këtij 100 ditëshi?

Haxhi Avdyli: 100 ditëshi i Qeverisë Haradinaj ishte i 100 skandaleve, po ashtu tejkalim të detyrave, vendime Ad Hoc dhe sipas tekëve. Po ashtu shpenzim të parasë publike si të ishin të firmës së tij, politizim të administratës me (akraballak), izolim i Kosovës dhe prishje e aleancave strategjike me SHBA-në  e BE-në, bllokim të vendimeve të mëdha, si dhe futja e Kosovës në qorrsokak pa zgjidhje për demarkacion e liberalizim dhe në fund tendenca për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Pra, shkurt 100 ditëshi ishin për faqe të zezë të një qeverie megalomane .

“Bota sot”: A duhet të bazohet vendimmarrja në Qeveri sipas ligjeve dhe kushtetutës, apo është kompetenca e kryeministrit e pa kufizuar që të marr vendime Ad-Hok?

Haxhi Avdyli: Qeveria Haradinaj vendimet po i merr më shumë në stilin e odave ku kryeplaku është Ramushi e djemtë ministrat. Pra, pa ndonjë analizë e pa studim të pasojave, duke bërë më shumë dëme sesa dobi për shtetin dhe veç pasi merren shihen se sa të pakuptimta janë ato vendime. Por, duhet ditur se shteti dhe oda  e burrave nuk e kanë të njëjtën logjikë, ashtu edhe siç nuk shkojnë bashkë ligji e kanuni.

“Bota sot”: Kjo qeveri po tregon “muskuj” me shtetet që janë kontributdhënëset më të mëdha për këtë liri që e kemi. A mendoni se Kosova dhe populli i Kosovës do ti bartë pasojat, apo do ti hakmerren për këtë prepotencë vetëm Qeverisë duke e sjellë në situatë të rrëzimit të saj?

Haxhi Avdyli: Dihet se si Kosova arriti çlirimin dhe çfarë roli kanë luajtur vendet mike euroatlantike, si para ashtu edhe pasluftës në ndërtimin e shtetit. Dhe të ngritet një Kryeministër i një shteti të vogël që sapo ka nisur me ecë me ndihmën e atyre që u krijuan, e tregon muskuj kjo me të vërtet  nuk është as trimëri e as guxim, por naivitet politik dhe shkarje serioze e situatës reale që gjendet Kosova në hartën gjeostrategjike të botës. Pra, Kosova është më e madhe se sa interesi i dikujt që për të shpëtuar lëkurën e japin Kosovën. Kosova nuk iu ka borxh atyre asgjë që të luajnë  me fatin e saj dhe gjeneratave të ardhshme.

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet e datës 22 dhjetor të vitit të kaluar kur u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale?

Haxhi Avdyli. Data e 22 dhjetorit ishte shpërfaqje reale e këtij grupi politik se janë të pamëshirshëm për të arritur qëllimet e veta dhe grupore në dëm të Kosovës. Ata bëjnë lojëra politike aq të dëmshme për shtetin e Kosovës saqë rrezikojnë të na fusin në sanksione edhe më të mëdha e izolim, që Kosova s’mund ti përballojë dot dhe lind pyetja pse, për diçka që nuk ndalet dot. Por, ata duan vetëm tensionim të situatës dhe ri negocim të shpëtimit të lëkurës së vet, dhe krejt këtu është qëllimi.

“Bota sot”: Si është e mundur që Presidenti Hashim Thaçi si lobuesi më i madh i Gjykatës Speciale, tani të kthehet në një luftë speciale kundër Gjykatës, çfarë ka ndodhur?

Haxhi Avdyli: Ishte i njëjti ligj kur Hashim Thaçi bënte presion enorm ndaj deputeteve për të miratuar këtë ligj, dhe tash i njëjti është kundër pa ndryshuar asgjë në përmbajtje, madje as pa ndryshuar raporti i forcave në botë ky dëshiron që ti rrezikojë themelet e këtij shteti. Tani si duket janë bërë edhe të rrezikshëm për ecjen e Kosovës drejt Euro integrimit e zhvillimit si shtet.

“Bota sot”: A është praktikë që sponzorusi i ligjit, të jetë edhe kundër të njëjtit ligj. Si e vlerësoni qëndrimin e kësaj Qeverie për demarkacion a do të mbesim edhe më tutje të izoluar për shkak të kësaj teme që herët a vonë duhet të zgjidhet?

Haxhi Avdyli: Është për të ardhur keq, por çështjes së Demarkacionit jo vetëm që nuk iu gjet ndonjë zgjidhje sadopak kreative, por gjithashtu u vendos në një paqartësi të radhës, nga vrulli muskuloz e euforik i Ramushit, duke krijuar kështu një situatë kaotike ligjore të saj. Askush nuk e kupton saktë nëse do apo nuk do që Kuvendi që ta votojë këtë ligj. Sepse lind pyetja nëse aprovohet ky ligj, a do jetë ai që do gjuan gaz lotsjellës për ta bllokuar këtë ligj apo çka do ndërmarr më pastaj kur dihet që ai ishte ekstrem kundrës saj. Thjesht çka nëse rrëzohet,  a ka vizion si ka për ta zgjidhur apo këto do të mbesin vetëm iluzione, që do ta bllokojnë edhe më tutje Kosovën dhe qytetarët e saj. Pra, janë këto pyetje që duhet zgjedhur. Izolimi i një kryeministri është lajmi më i keq që mund ta merr një shtet dhe një popull. Kjo na ndodhi, dhe nuk bën ti gëzohemi madje askush nga ne nuk duhet të gëzohet, por duhet reflektim urgjent të tyre për të parë se ku janë futur dhe mos të vazhdojnë të futen në batakun e vet që në fund e kanë vështirë të dalin nga aty. Kosova ka nevojë për miqësi e pranim në Bashkësinë Ndërkombëtare e jo izolim, sepse kjo klasë po na izolon si popull dhe po mbyll në ‘Geton e vet’ të vetëkënaqësisë e të qenurit i pari mëhallës.

“Bota sot”: Sa do të këtë jetë kjo qeveri, a do të bie vet apo do rrëzohet me votën e Kuvendit?

Haxhi Avdyli: Kjo qeveri, pa dyshim se do bjerë sepse në vend të zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve është bërë krijuese e problemeve për ta. 100 ditëshi ishte skandaloz, kurse 200 ditëshi do jetë edhe më i rëndë dhe ndoshta me vendimet e pariparueshme për ardhmërinë e Kosovës. Ikja e tyre do shpëtonte diçka nga katrahura dhe LDK-ja në momentin e parë të mundshëm do ta rrëzojë patjetër këtë Qeveri.

“Bota sot”: A janë krijuar kushtet që LDK-ja të rikthehet si partia e parë në pushtet, pas përçarjes së VV-së, fillimit të përçarjes në PDK dhe pas tentimit të shfuqizimit te Gjykatës Specialë ku LDK-ja po mbetet partia e vetme pro - perëndimore?

Haxhi Avdyli: LDK-ja si parti shtet formuese me njerëzit më të përgatitur profesionalist e kombëtarisht të pastër para ligjit janë të gatshëm çdo herë të marrin përgjegjësinë e udhëheqjes të shtetit në binarët që i ka përcaktuar Presidenti historik Rugova, duke u bazuar në interesat vitale të qytetarëve.  Kosova ka nevojë për LDK në udhëheqje të saj drejt kalimit të sfidave jo të lehta që i kemi gjithmonë në bashkëpunim edhe me forca progresive të shoqërisë sonë ta bëjmë ndryshimin e shumë pritur të cilin e meriton qytetari ynë. LDK ishte në të gjitha etapat në ballë të ecjes së Kosovës dhe do vazhdoj ti prij Kosovës në integrimin në familjen e madhe Evropiane , ku sundon ligji dhe barazia ekonomike e sociale e të gjithë qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat