Termkolli tregon pritshmëritë që ka nga Gjykata Speciale, flet edhe për demarkacionin

Intervista

Termkolli tregon pritshmëritë që ka nga Gjykata Speciale, flet edhe për demarkacionin

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 24 shkurt 2018 Në ora: 12:04
Melihate Termkolli

Ish Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, e konsideron si të duhur procedimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Deputetja Tërmkolli, konsideron se aneksi i nënshkruar nga Presidenti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, ua lehtëson punën “patriotëve” tanë që me veprimet e deritanishme e kanë eklipsuar shtetin dhe popullin tonë.  Ajo ka dhënë një mendim edhe mbi qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sa i përket votimit të Demarkacionit, duke u shfaqur e habitur se si deputetët e kësaj partie, të cilët më herët ishin kundër kësaj marrëveshjeje tani nuk bëzajnë. 

“Bota Sot”: Çka mendoni për zhvillimet e fundit lidhur më marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi , së cilës ju shtua një aneks dhe pritet të votohet në Kuvend.

Melihate Termkolli: Çdo marrëveshje dypalëshe apo aneks, e ka plotfuqishmërinë e respektimit dhe zbatimit të saj atëherë kur dy palët e miratojnë atë në tërësi. Kjo nuk ka ndodhur në rastin tonë. Mali i Zi, nuk ka ndryshuar asgjë nga marrëveshja, të cilën e ka miratuar në kuvendin e vet. Aneksi i nënshkruar nga Presidenti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, ua lehtëson punën dhe ua “lanë fytyrën” e “patriotëve” tanë që me veprimet e deritanishme e kanë eklipsuar shtetin dhe popullin tonë. Mali I Zi tregoi një vullnet të mirë për ç’bllokim të situatës për çka duhet falënderuar. Marrëveshja tashmë duhet të miratohet, për interesin e qytetarëve tanë, të shtetit tonë dhe për forcimin e marrëdhënieve me aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Bota Sot”:  Si e shihni këtë situatë krahasuar me mandatin e kaluar, kur kjo marrëveshje kundërshtohej ashpër dhe nuk u soll në Kuvend për tu votuar. 

Melihate Termkolli: Në mandatin e kaluar, marrëveshja asnjëherë nuk u hodh në votim, sepse “patriotët” tanë në Kuvend, ishin në gjendje ta djegin edhe Kuvendin edhe shtetin edhe gjithçka. Dhe u provua se e tëra u bë vetëm për pushtet. Pra, kur ata janë në pushtet çdo gjë është në rregull, kur LDK është në pushtet, të njëjtat gjëra janë “tradhti”.

Megjithatë, qeveria dhe Kryeministri Mustafa, nuk e menaxhoi si duhet këtë çështje. Mali i Zi, fillimisht ishte i gatshëm për negociata të reja për marrëveshjen, për përmirësim apo ndryshim të saj, ndërsa qeveria nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim. Mungoi sjellja dhe veprimi politik i saj.

“Bota Sot”: Si e vlerësoni qëndrimin e LDK-se për marrëveshjen e arritur se fundmi për demarkacionin.

Melihate Termkolli: LDK është për miratim të marrëveshjes që nga fillimi. Tani, kryesia dhe grupi parlamentar e ka rikonfirmuar këtë qëndrim. Kur një grup deputetësh në mandatin e kaluar bëmë një përpjekje të fundit për të arritur një konsesus politik për marrëveshjen në Kuvend,, atëherë të gjithë u bënë bashkë dhe e shkarkuan qeverinë. Edhe në LDK, nga deputetët që ishin kundër marrëveshje publikisht, asnjë zë tani. Me gjasë, dinë të luftojnë ve? me LDK-në, dhe mbi këtë bazë të arrijnë përfitime personale. Sido që të jetë, LDK ka qëndrimin e duhur. 

“Bota Sot”:  A mendoni se presidenti Hashim Thaçi po mundohet t'ia atribuoj vetes meritat për shtet ndërtim.

Melihate Termkolli: Ai, në fakt po ia atribuon vetëm vetes edhe çlirimin e Kosovës nga Serbia, edhe pavarësinë edhe të gjitha të mirat që kanë ndodhë në këtë vend. I lumi ai!!!  

“Bota Sot”: Rasti i fundit ku presidenti ka dekoruar për 10 vjetorin e Pavarësisë edhe persona te hetuar dhe te dënuar, si e komentoni këtë?

Melihate Termkolli: Veprim i paprecedent! E turpshme! Denigruese deri në fund, për shtetin dhe për institucionin e Presidentit.

 “Bota Sot”: Na thoni cili është qëndrimi juaj ne lidhje me Gjykatën Speciale dhe tentimet e fundit për ta shfuqizuar atë?

Melihate Termkolli: E kam thënë edhe më herët se Gjykata Speciale është turpi i politikës tonë. Por atë e solli po kjo politikë, e solli udhëheqja e kriminalizuar, e cila nuk lejoi dhe nuk po lejon ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë në vend. Të gjithë ata që u ngritën për ta kundërshtuar këtë gjykatë tani, i bënë një shërbim të mirë Serbisë e Rusisë. Gjykata është miratuar në Kuvend, me insistimin pasionant të të gjithë këtyre që tani po e kundërshtojnë. Me këto sjellje tani, u dëmtua rëndë Kosova. Gjykata duhet të veprojë, nuk ka shfuqizim të saj. 

“Bota Sot”:  Çfarë mendoni kush do te jete target i aktakuzave te para te Gjykatës Speciale?

Melihate Termkolli: Jam e sigurt që kushdo që të jetë target i saj, nuk do të dëmtohet as shteti ynë, as UÇK-ja, as qytetarët e Kosovës. Përkundrazi!

“Bota Sot”:  Çka pritni konkretisht nga hetimet e Gjykatës Speciale?

Melihate Termkolli: Shpresoj të zbulohet e vërteta për shumë dyshime të cilat ekzistojnë tani e njëzet vite për vrasjet në Kosovë, sidomos ato me motive politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat