Nishani “godet” Ramën: Armiqtë e pavarësisë së Kosovës, përdorën mjeshtërisht deklaratën e tij

Intervista

Nishani “godet” Ramën: Armiqtë e pavarësisë së Kosovës, përdorën mjeshtërisht deklaratën e tij

Dafina Xhemaj Nga Dafina Xhemaj Më 3 mars 2018 Në ora: 11:43
Ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani

Ish Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur mbi aktualitetin politik në Shqipëri në Kosovë. Gjatë kësaj interviste Presidenti Nishani, ka thënë se skandalet qeveritare dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri janë pothuajse të përditshme. Ai ka folur edhe rreth deklaratave të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama lidhur me një President të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë. “Armiqtë e pavarësisë së Kosovës e përdorën mjeshtërisht atë deklaratë për të ndaluar përkohësisht ato njohje të reja. Të jem i sinqertë unë nuk besoj se Kryeministri i Shqipërisë është i interesuar të dëmtoj Shtetin e Kosovës”, ka thënë Presidenti Nishani.

“Bota sot”: Fillimisht ju falënderoi shumë për mundësin e realizimit të kësaj interviste.

Bujar Nishani: Unë ju falënderoj juve për kontaktin dhe intervistën.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rrjedhën politike aktualisht në Shqipëri?

Bujar Nishani: Situata politike në Shqipëri është drejt një kolapsi të plotë me pasoja shumë të rrezikshme për stabilitetin dhe mbi të gjitha demokracinë. Po tentohet të konsolidohet një sistem i koalicionit të autoritarizmit të pushtetit politik dhe ekzekutiv me botën e krimit dhe dhunës së rrugës si kërcënim ndaj qytetarit që kundërshton status-quon e varfërimit dhe tkurrjes së lirisë për shoqërinë. Shoh me keqardhje se kjo situatë që po fryhet përditë e më shumë po nënvleftësohet nga aktorët vendas dhe të huaj. Përfshij këtu edhe aktorët e huaj, jo se ata kanë përgjegjësi për jetën e qytetarëve të Shqipërisë por për problemet e rënda që ata do të duhet të përballin nga destabiliteti politik dhe social i Shqipërisë që do prekë edhe rajonin më pas. Kjo, për fat të keq ka ndodhur edhe në të shkuarën dhe duket që nuk janë nxjerrë mësime. Situata politike edhe në vendet e tjera të rajonit është gjithmonë e ndezur por rasti i Shqipërisë është i një lloji krejt të veçantë. Krimi i organizuar dhe individë me profil shumë të fortë kriminal kanë vendosur një autoritet të fortë në përcaktimin elektoral dhe kontrollin e institucioneve në vend. Paralelisht me këtë thellohet varfërimi ekonomik i qytetarëve në mënyrë të dhimbshme. Shumica e qytetarëve po e shohin zgjidhjen tek largimi. Shqipëria rezulton vendi i dytë pas Sirisë, që është në luftë, me numrin e qytetarëve që largohen për azil në Evropë dhe SHBA. Tashmë që politika e pritjes së emigrantëve do të pësojë një tkurrje të fortë, akumulimi do mbetet brenda vendit deri në eksplodim. Kjo duket si një tablo fataliste por kjo është e vërteta fatkeqe dhe nëse do vijojmë ta neglizhojmë nuk do mundet ti shpëtoj askush valës së eksplodimit social. 

“Bota sot”: Kanë ndodhur disa skandale po me ministrat e kësaj qeverisje.  Konkretisht ‘skandali’ Tahiri, sa është e qëndrueshme Qeveria 2, e Ramës dhe a ka brenda saj edhe skandale të tjera të paditura për publikun?

Bujar Nishani: Skandalet qeveritare dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri janë pothuajse të përditshme. Shikoni për shembull se si mijëra të mjerëve dhe të pamundurve fizikisht ju hoq ndihma ekonomike dhe nga ana tjetër pesëfishohet buxheti i shpenzimeve operative për zyrtarët. Dëgjojmë çdo ditë nominime në poste të rëndësisë së veçantë të vendimmarrjes institucionale të personave të zbuluar dhe penalizuar për veprimtari kriminale. Skandale të tilla ka pothuajse çdo ditë e për këtë “skandali” si fenomen po merr statusin e realitetit rutinor ditor. Ndërsa përfshirja e Ministrit të Brendshëm Tahiri në rrjetin e narkotrafikut masiv drejt Italisë nuk është thjesht një skandal. Ajo është një veprimtari e mirëfilltë e krimit organizuar e ngritur mbi një platformë kombëtare të narkotizimit të vendit me destinimin drejt Evropës. Është një rast unikal në Evropë. Pavarësisht minimit që po i bëhet aktualisht hetimit nuk do të mundet të harrohet dot dhe të digjet. Ajo është dosja më kriminale në historinë e Evropës (në kuptimin e përfshirjes së një zyrtari të lartë shtetëror)  në këto 25 vitet e fundit. Në radhë të këtij profili janë gjithashtu dosje të rënda si ajo e likuidimit të kompanisë CEZ, afera e përdorimit ilegal të kompanisë ARMO, grabitja e disa qindra milion euro në dosjen CHECK UP, INCENERATORET e kështu me radhë disa dosje që në Shqipëri tani kanë sinonimin e “peshku i madh”.

“Bota sot”: President, ju keni thënë që kryeministri Rama jo që na zhgënjeu por na turpëroi para Presidentin e KE Jean Claude Juncker, të cilin e gënjyer që vetingu ka larguar 17 (shtatëmbëdhjetë) prokurorë e gjyqtarë”, gjë që nuk është e vërtetë. Pse e bëri këtë deklaratë Kryeministri?

Bujar Nishani: Vetingu është një prej fazave të parashikuara në procesin e reformës së sistemit të drejtësisë. Është një proces shumë delikat i cili do prodhojë shumë të papritura. Por le tja lemë kohës atë çka do vijë. Si koncept dhe si praktikë është një gjetje pozitive që nëse realizohet ashtu siç e parashikon modeli civil i “vetimit” jep një ndihmesë të madhe. Kryeministri i Shqipërisë po tenton ta përdorë si retorikë politike duke degraduar në këtë sjellje deri tek aje shfaqje e shëmtuar që bëri përpara Presidentit të Komisioni Evropian, Juncker. Shikoni, komisioni i vetmit ka nisur këtë proces mbi një listë të parë prokurorësh dhe gjyqtarësh. Janë ata që kanë aplikuar për tu zgjedhur në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ka hedhur me short disa prokurorë. Kjo është lista e parë për vetimin. Për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës do të duhet shumë vite që të përfundoj vetëm nga pikëpamja formale ky proces. Për këtë listë të parë nuk ka asnjë rezultat ende. Tani del Kryeministri i vendit publikisht dhe i thotë Presidentit të Komisionit se janë 17 gjyqtarë dhe prokurorë të larguar nga vetingu. Kjo është e paimagjinueshme, të paktën për kulturën time politike dhe shtetërore. Gjatë vitit të fundit janë 6 apo 7 gjyqtarë e prokurorë të larguar, por, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit apo përfundimit të mandatit si gjyqtarë në GJK apo GJL. Tani pse arrihet deri në këtë sjellje. Sepse nuk ka asnjë gjë serioze si e arritur që qeveria duhet të raportojë në procesin e përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe që BE i ka caktuar Qeverisë Shqiptare. Po pse ne do ti gënjejmë ata ? Ja ta zëmë se ja hodhi Presidentit të Komisionit, Kryeministri ynë “i shkathët”, por është një mekanizëm i tërë në Bruksel dhe në çdo kryeqytet të vendeve anëtare që na monitoron. Por problemi është se kjo sjellje është e Kryeministrit të vendit çka na përcjell si njerëz jo serioz neve në Shqipëri. Pastaj, ata kur shohin këtë nivel na trajtojnë si vend të kategorisë së dytë. Por ne që nuk jemi të këtij modeli nuk mund ta pranojmë këtë veshje që na vihet, pavarësisht se ai që ka të drejtën e fjalës zyrtare është kryeministër aktualisht.

“Bota sot”: Ju keni thënë që ndarja e Shelfit Kontinental të Shqipërisë përbën një SKANDAL me përmasa të cenimit të integritetit territorial të vendit. Që sipas konventave ndërkombëtare Shqipërisë i takon rreth 13 mijë km2 të cilat i shtohen sipërfaqes 28 mijë km2, ku gjenden burimet e mëdha të naftës dhe gazit. A po besoni që po i falen Greqisë?

Bujar Nishani: Ka një terr informativ dhe përpjekje të forta zyrtare për të fshehur nga opinioni publik bisedimet dhe negociatat e zhvilluara gjatë dy- tre viteve të fundit me palën greke për Marrëveshjen e Detit. Kjo në shkelje të plotë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka vendosur që këto negociata të zhvillohen në transparencë të plotë me opinionin publik. Këto negociata janë zhvilluar gjithashtu pa Autorizimin e Presidentit të Republikës siç dhe urdhëronte gjithashtu GjK. Qeveria  ka mohuar të ketë pasur negociata deri tani. Por kjo është vërtetuar nga deklaratat e zyrtarëve më të lartë grekë si edhe informacioni më i fundit i rrjedhur në media nga vetë Ministria e Jashtme që vërteton faktin e zhvillimit të këtyre negociatave. Nga takimi i fundit në Korçë është shfaqur në ekipin e Ministrit të Jashtëm edhe një oficer i lartë ushtarak i Flotës Detare. Që një zyrtar i një institucioni tjetër të bashkëlidhet në delegacionin më të lartë të një institucioni tjetër duhet një praktikë zyrtare me shkrim dhe arsyetimi i kësaj pjesëmarrje. Kush e ka kërkuar pjesëmarrjen e këtij zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes në delegacionin e Ministrit të Jashtëm ? Pse është kërkuar dhe far kontributi ka dhënë ky ushtarak i detit (tashmë i deklaruar si i përjashtuar për afera spiunazhi) në takimin e dy ministrave të jashtëm ? Pa asnjë dyshim negociata ekspertësh për Marrëveshjen e Detit. Por ky zyrtar i Forcave të  Armatosura nuk ka pasur Autorizimin e Presidentit të Republikës. Kjo është një shkelje e rëndë e ligjit. Për fatin e keq në Shqipëri Institucioni i Prokurorisë është tashmë në kolaps total nën kapjen politike. Për sa i takon negociatave të deritanishme ajo që kuptohet nga deklaratat e zyrtarëve dhe medies greke është fakti se është negociuar ndarja e Shelfit Kontinental të Shqipërisë duke u ndarë ai në interes të përfitimit të hapsirës prej 12 milje detare për Greqinë. Por pikërisht në këtë pjesë të Shelfit Kontinental të Shqipërisë gjënden edhe rezervat e mëdha të naftës dhe gazit cka i kalojnë për shfrytëzim shtetit fqinj tashmë. Shelfi Kontinental i Shqipërisë nuk është për tu negociuar e as për tu ndarë. Ai i njihet Shqipërisë si çdo vendi tjetër që ka dalje në det nga Konventat dhe ligjet ndërkombëtare. Nuk ka Kryeministër apo qeveri që ta falë dot atë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni deklaratën e kryeministrit Rama, në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku tha që në të ardhmen Shqipëria dhe Kosova mund të kenë një President të përbashkët.

Bujar Nishani: Një turbo-folk. Një dëm serioz i interesave madhore të Shtetit të Kosovës për interesa të vockla meskine të politikës ditore në Tiranë. Në dijeninë time vetëm prej asaj deklarate janë stopuar për momentin dy njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën. Armiqtë e pavarësisë së Kosovës e përdorën mjeshtërisht atë deklaratë për të ndaluar përkohësisht ato njohje të reja. Të jem i sinqertë unë nuk besoj se Kryeministri i Shqipërisë është i interesuar të dëmtoj Shtetin e Kosovës. Jo, absolutisht. Por me mungesën e seriozitetit dhe duke folur më shumë se sa duhet për një Kryeministër serioz, duke qenë i motivuar nga meskiniteti i interesit politik ditor që ngrihet në kafenetë e Tiranës bën drejtpërdrejt një dëm kolosal asaj që është interesi më i madh i këtij shteti të ri që është vijimi i njohjeve të reja dhe konsolidimim i marrëdhënieve të veta ndërkombëtare.

“Bota sot”: Sa mendoni që ka përparuar Kosova pas 10 viteve si shtet i pavarur?

Bujar Nishani: Ka bërë përparime të jashtëzakonshme. Edhe më skeptikët e pavarësisë së Kosovës nuk kanë më argumenta kundër. Natyrisht që nuk e kam fjalën për armiqtë e pavarësisë dhe as për qarqet albanofobe. Ata do të jenë gjithmonë kundër dhe do ta anatemojnë realitetin në Kosovë. Duke sulmuar dhe anatemuar Kosovën e kanë qëllimin tek destabilizimi dhe dëmtimi i të gjithë rajonit tonë. Më së pari nuk duhet të harrojmë asnjëherë se Kosova, Kroacia dhe Bosnje Hercegovina ishin dy vende që e paguan më shtrenjtë se të tjerët në sakrifica procesin e shpërbërjes jo konsensuale të ish-Jugosllavisë. Sot Kosova jo vetëm që ka shtetin e vet funksional, një shoqëri që emancipohet dhe prosperohet çdo ditë por edhe ka një kontribut të pazëvendësueshëm për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Natyrisht që Kosova ka edhe problematikat e veta si çdo shtet tjetër. Këto janë çështje dhe përgjegjësi e vetë popullit, shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës që ti zgjidhin.

“Bota sot”: Marrëveshjet ndërshtetërore Shqipëri – Kosovë, kanë qenë nga më të ndryshmet sa po beson që po zbatohen ato, apo kanë mbet vetëm një foto panoramë nga takimet e ndryshme?

Bujar Nishani: Ka shumë retorikë dhe pak efiçencë. Dy vendet tona kanë nevojë edhe të komunikojnë, edhe të bashkëpunojnë edhe të kenë marrëveshje. Lëvizja e lirë e njerëzve është tashmë një e arritur e shkëlqyer. Por lëvizja e mallrave dhe shkëmbimi ekonomik është shumë prapa. Kjo është përgjegjësi e njerëzve dhe jo e mallrave. Ekonomia dhe dinamika e tregut bëhet nga njerëzit. Kush thotë se ka pengesa burokratike apo ligjore thjesht bëhet qesharak. Po pse kush i pengon vendimmarrësit të ndryshojnë ligjet dhe përshtatin procedurat në interes të përfitimit publik? Padyshim që prevalimi i interesit publik do të cenojë në një farë mase një pjesë të interesit personal të individëve të caktuar por historia e zhvillimit të botës së kapitalit i ka gjetur gjithmonë zgjidhjet e përshtatshme. Njeriu e prodhon gjithçka. Ndaj dhe përgjegjësia është njerëzore.

“Bota sot”: Së fundi është përmendur ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, madje u tha se kjo ide erdhi nga krerë të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë, si e komentoni ju këtë ?

Bujar Nishani: Kjo është një tezë e hershme e Serbisë. Qëllimi i vetëm është të komprometoj procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të Pavarësisë së Kosovës dhe ta tregoj Kosovën si një Jo-Shtet. Serbia e di fare mirë se nuk e bën dot më shtetin e Kosovës, as e rikthen dot ish-Jugosllavinë. Në këtë situatë  kërkon të bëj qesharak këtë realitet dhe të krijoj perceptimin e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë.  Unë besoj se vetë Serbia është shteti më i pa interesuar për shkëmbim territoresh. Çfarë do të bëj pastaj me Sanxhakun dhe Vojvodinën ? Do ti dorëzoj ato? Ndaj është një provokim që ajo e hedh vetëm për të ngulur “gozhdën” e paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë në rajon. Por e rëndësishme është që shqiptarët dhe të tjerët të mos bien pre e këtij provokimi. Ju faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat