Haradinaj Veseli e Thaçi të pabesë, pazaret me Listën serbe për Demarkacionin të papranueshme - Bota Sot
Haradinaj Veseli e Thaçi të pabesë, pazaret me Listën serbe për Demarkacionin të papranueshme

Intervista

E martë, 17 korrik 2018

Haradinaj Veseli e Thaçi të pabesë, pazaret me Listën serbe për Demarkacionin të papranueshme

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 11 mars 2018 Në ora: 20:27
Deputeti i LDK-së Driton Slemanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë se LDK e konsideron si domosdoshmëri ndërrimin e Qeverisë aktuale. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti Selmanaj, jep alarmin e për votimin e marrëveshjes për Demarkacionin, duke thënë se Qeveria mund të bëjë kompromise të rrezikshme me Listën serbe, për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në këmbim të votës pro demarkacionit. Po ashtu, ai flet rreth koordinimit me Vetëvendosjen sa i përket rrëzimit të Qeverisë dhe çështje të tjera aktuale.

“Bota sot”: Zotëri Selmanaj, si është gjendja shëndetësore e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe a pritet së shpejti të dalë nga spitali?

Selmanaj: Po në fakt struktura e LDK-së dhe udhëheqësia e LDK-së ka shkuar dhe e ka vizituar në Spitalin po kurohet zotëri Mustafa, dhe në vizitat që i kanë pasur, kanë folur me mjek dhe ata kanë thënë se gjendja e tij është në përmirësim e sipër. Domethënë, ka progres kurimi i tij. Tash është duke e marrë veten gradualisht. Ne po presim që në bazë të rekomandimeve të mjekëve të mos vonohet shumë dhe t’i kthehet familjes në Kosovë, por edhe LDK-së, e cila definitivisht ka nevojë për të. E rëndësishme është se përmirësimi i të tij ka progres të dukshëm dhe tash të shohim se kur mund të vjen në Kosovë. Neve na është thënë se do të vij shpejt.

“Bota sot”: Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se subjekti i juaj politik po përgatitet për zgjedhje, pasi që sipas tij koalicioni udhëheqës është i shpërbërë. Kur pritet të ngritët një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj?

Selmanaj: Për LDK-në angazhimi kryesor nuk është që vendi të shkojë në zgjedhje. Nuk është çështje dëshirash të LDK-së, por çështje e nevojës dhe domosdoshmërish të kësaj shoqërie që këtë qeveri mos ta ketë. Kjo qeveria ka dëshmuar se është e dëmshme për vendin në çdo aspekt edhe në kontekstin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Në kontekstin e brendshëm ka demoluar thuajse kulturën qeverisës, qoftë me vendime për rritje pagash, për falje të borxheve, për nisma legjislative, për gjykatën speciale e të gjitha këto dhe thuajse për të gjitha këto, është  tërhequr më pasë. Domethënë është një kulturë që s’ka të bëj fare me mirëqeverisjen, s’ka të bëjë fare me burrështetasit, por ka të bëjë me kulturë, e cila mund të ketë pasoja shumë të mëdha për vendin. Prandaj, LDK-ja duke e parë që ndërrimi i qeverisë është një domosdoshmëri. Zgjedhjet na kanë mbetur instrument i vetëm demokratik, i cili mund ta ndërrojë këtë qeveri dhe ne po themi meqenëse nevoja e njerëzve dhe e shoqërisë është kaq e madhe, atëherë zgjedhjet po na mbesin si të pa alternativë, për shkak se nuk guxon që Kosova të vazhdojë me këtë qeveri për shkak se gjithë progresi i arritur deri më sot po vihet në pikëpyetje nga kjo klasë politikanësh të papërgjegjshëm, të cilët ngjashëm si me datën 22 dhjetor dikur vonë në mbrëmje ku morën iniciativën e rrezikshme për endin që mund të ketë pasoja të paparashikueshme në një periudhë afatgjatë. Ne normalisht, kemi një koordinim të ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje, jemi në konsulta, por akoma nuk jemi të konsoliduar deri në atë fazë sa që të ngrisim mocion mosbesimi. Normalisht se ne duhet të përdorim vetëm instrumentet kushtetuese dhe instrumentet të cilat janë të përcaktuara me rregullore, sepse për LDK-në nuk ka formë tjetër të ndërrimeve të qeverive për pos me shfrytëzim të instrumenteve demokratike dhe kushtetuese.

“Bota sot”: Sipas jush, për çka do të mbahet mend Qeveria Haradinaj?

Selmanaj: Qeveria Haradinaj do të mbahet mend si një qeveri më e dëmshme pas luftës në Kosovë, e cila e vënë në pikëpyetje segmentet më të rëndësishme të qenies sonë të ekzistencës si shtet. Iniciativa e zotëri Haradinajt, bashkë me Hashim Thaçin dhe zoti Veselin për të ndërruar ligjin për Gjykatën Speciale, në fakt për të shfuqizuar gjykatën Speciale, e vëri në pikëpyetje për herë të parë pas luftës një raport të ngushtë që kishim me faktorin ndërkombëtar dhe vëri në pikëpyetje edhe ekzistencën e mëtutjeshme të shtetit të Kosovës për shkak se diskutohej edhe për çështjen se cili do të jetë roli i KFOR-it dhe i NATO-s në Kosovë. Dolën edhe mendime nëpër kancelaritë të ndryshme perëndimore nëse Kosovës duhej t’i viheshin sanksione apo jo. Ne nuk po flasim për një vend si Koreja veriore, por po flasim për Kosovën që është në kontinentin e Evropës. Prandaj, kjo qeveri do të mbahet mend kështu, për një demolim të brendshëm të qeverisës. Ndërsa në kontekstin e jashtëm, ngecje dhe vërrie në pikëpyetje të rrugëtimit tonë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Mos të harrojmë se gjatë kësaj qeverie kanë filluar edhe disa tërheqje të njohjesh nga disa vende të Afrikës dhe po rriten zërat që për herë të parë po na ndodh kjo edhe të shtetet, të cilat janë pjesë e kontinentit të Evropës të cilat na kanë njohur, si: Çekia dhe Austria. Ka pasur zëra të brendshëm se duhet diskutuar edhe njëherë njohja e shtetit të Kosovës. Kjo formë e demolimit të qeverisjes dhe rrëzimit për toke duhet të marrë fund.

“Bota sot”: A keni menduar në parti se kush do të jetë kandidati për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare?

Selmanaj: Jo, në fakt nuk kemi menduar për shkak që ne jemi të përkushtuar maksimalisht në aktivitetin tonë si opozitë në Kuvend. Po mendoj se LDK-ja ka aq shumë kuadro për të vendosur për pozita të kandidatëve për kryeministër sa që nuk e ka problem këtë punë. Mendoj që kur të vjen koha strukturat udhëheqëse do të zgjedhin personin e duhur, i cili do të jetë definitivisht kryeministri i ardhshëm i vendit. Gjitha sondazhet ndërkombëtare, LDK po e vendosin partinë e parë. Prandaj, besoj se kemi me qeverisë me vendin.

“Bota sot”: A mendoni se pas rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe çarjes së Vetëvendosjes, rikthimi i LDK-së si partia më e madhe në vend është i pashmangshëm?

Selmanaj: Absolutisht po. Duke parë rezultatin tonë në zgjedhjet lokale dhe sidomos demolimin ose nëpërkëmbjen që AAK, PDK ia kanë bërë Kosovës dhe ngjarjet e fundit që ndodhën në Lëvizjen Vetëvendosje. Jam i sigurt se njerëzit, LDK-në nuk e shohin më si njërën prej alternativave, por të vetmen alternativë. LDK-ja është e pa alternativë në Kosovë për shkak se ka dëshmuar që në tematikat për të cilat janë shtylla të shëndetësisë, por edhe në kontekstin tjetër të qeverisjes dhe të luftës kundër krimit dhje korrupsionit. Por edhe në procesin e integrimeve evropiane dhe në strukturat tjera euroatlantike, garantuesi i vetëm është LDK-ja. Pa LDK-në kam përshtypjen që s’mund të kuptohet më qeverisja në Kosovë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ekipin negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë të udhëhequr nga Avni Arifi dhe sa është transparent ky ekip me Kuvendin për bisedimet që po zhvillohen në Bruksel?

Selmanaj: Ekip joserioz, jo kompetentë, me njerëz të papërgatitur në këtë fushë dhe përkundër, ne gjithmonë kemi pasur problem me transparencën e këtij procesi dhe nuk është se kemi pasur mendime edhe për ekipin paraprak, por ky tashmë ka tejkaluar për së keqi edhe ekipin paraprak. Ky ekip më tepër i ngjan aktiviteteve turistike dalin deri në Bruksel, bëjnë disa foto, bëjnë shoping dhe kthehen në Kosovë. Unë mendoj se kjo qasje jo serioze e vet kryeministrit Haradinaj, por unë mendoj se kjo  është një shpërfaqje se si ka vendosur ky për të qeverisur me vendin edhe në raport me një proces shumë të ndërlikuar që është Serbia. Kam përshtypjen se përpjekjet e tij për të marrë vendime të pakuptimta brenda Kosovës, madje, në dëm të buxhetit të Kosovës që duket për interesa krejtësisht të ngushta të tij dhe të rrethit të tij i ka lënë krejt në dorë të dytë çështjet, cilat janë kruciale për shtetin e Kosovës dhe për ecjen e shtetit të Kosovës tash e tutje.

“Bota sot”: A e shihni të rrezikshëm miratimin e Demarkacionit me votat e Listës Serbe në këmbim të themelimit të Asociacionit në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, e jo në vendim të Gjykatës Kushtetuese?

Selmanaj: Ne nuk kemi asnjë informatë se çfarë po bisedon qeveria dhe partnerët e koalicionit me Listën Serbe. Normalisht se këta janë të pabesë. Nuk i besohet as zotit Haradinaj, zotit Veseli dhe zotit Thaçi. Këta nuk kanë mandat për të diskutuar me askënd për të nxjerr diçka për tej rregullave dhe vendimeve të institucioneve të Kosovës. për fat të keq e kemi ditur këtë se kur varet gjithçka nga Lista Serbe, kjo tregon për ndikimin e tyre. Ne i kemi thënë që në fillim nuk guxon Kosova që në këtë fazë të ketë një qeveri të tillë që krejt fati i saj të varet në dorë të Listës Serbe. Demarkacioni është një proces tejet i rëndësishëm që është në duart e tyre. Deputetët e Vetëvendosje kanë vendosur me qasjen e tyre e cila për mua është irracionale, por megjithatë kështu e kanë vendosur ata. Tash mund të them se nuk ka mandat askush qoftë Thaçi, Veseli apo Haradinaj që të bëjnë lëshime as për asociacion dhe as për një element tjetër në raport me Listën serbe. Ne e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mundemi të vazhdojmë me themelimin e asociacionit në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në çdo variant tjetër, nëse lëshohen në pazare të tjera do t’i kenë pasojat jo vetëm shteti i Kosovës, por edhe vet këta individë, sepse nuk do të kalojnë gjëra të tilla. LDK-ja është shumë e përkushtuar që çdo tendencë për të denigruar edhe më tutje shtetësinë e Kosovës nuk mund të jetë aleate e askujt. Ne nuk mund të ndërtojmë konsensus për tema të mëdha, as për pazare politike ngjashëm sikur ndodhi ky koalicioni me Milan Radojiçiqin nëpër kafe të Prishtinës dhe në atë të pjesës veriore ku u takua kryeministri i vendit. Kjo për LDK-në është absolutisht e papranueshme. Ne mund të diskutojmë vetëm mbi premisat e kushtetutshmërisë në Kosovë.

“Bota sot”: Kur pritet të thirret seanca për miratimin e demarkacionit dhe a do të marrë Kosova liberalizimin e vizave me miratimin e kësaj marrëveshje apo duhet punuar ende në luftimin e korrupsionit?

Selmanaj: Tash duket sikur marrëveshje ende s’ka marrëveshje me Listën Serbe dhe varet krejt se kur Lista Serbe dakordohet në mënyrë që demarkacioni të kalojë në Kuvend. Besojë se shumë shpejt do të vjen për miratim. Jemi vonuar tepër shumë. Ne s’kemi më telashe me grupin tonë parlamentar, sepse LDK-ja i ka 27 vota për këtë çështje, sepse e njëjta na ka ardhë. Normalisht, që do të kërkojmë përgjegjësi gjithmonë edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes mes LDK-së dhe partive të koalicionit, do të kërkojmë nga ky kryeministër pse në fakt e vëri në pikëpyetje ekzistencën dhe sigurinë e shtetit të Kosovës për tri vite, sulmoi kryeministrin, sulmuan objektet, sulmuan policinë dhe tash të njëjtën po na e sjellë në kuvend. Tri vitet e humbura për njerëzit që jetojnë në Kosovë, tri vjet izolim total, tri vjet pikëpyetje të prosperitet të Kosovës, dikush do të jep llogari. Përgjegjësia kryesore është tek zoti Haradinaj dhe më pas edhe këtyre aleatëve të tij të cilët u patën bërë bashkë. Ne jemi të gatshëm që të japim votën për shkak të interesit të shtetit të Kosovës dhe njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe po besojë që javën e ardhshme kjo çështje të merr epilog.

Kalimi i kësaj tematike besoj se hapë rrugë që Kosova gjatë këtij viti definitivisht të merr liberalizimin e vizave. E di që është edhe një kushte tjetër që flitet për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por mendoj se për këtë mund të jetë një vlerësim politik që ka një progres dhe kjo luftë është një proces i pandalshëm dhe do ta kemi si kusht në vazhdimësi.

“Bota sot”: Kur prisni që të fillojnë aktakuzat e para nga ana e Gjykatës Speciale dhe a prisni që ky institucion do t’i dënojë vrasësit e aktivistëve të LDK-së gjatë dhe pas luftës dhe a po i merr këto bisedime përsipër Hashim Thaçi për të shpëtuar nga Specialja?

Selmanaj: Edhe po donte, zoti Thaçi të shpëtonte, them se nëse Gjykata Speciale ka vendosur të ketë si protagonist kryesore zoti Thaçin nuk mund t’i shpëtojë në asnjë mënyrë. Edhe nëse shkon në Bruksel, Ëashington apo Johanesburg të Afrikës, nuk mund të shpëtojë. Çka është e rëndësishme është se jemi në fazën finale të punimeve të prokurorëve të Gjykatës Speciale dhe besoj që shumë shpejt do të fillojë me punën, sepse nuk ka kuptim të zgjatet kjo çështje, sepse kanë kaluar tri vite që ligji për Specialen ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe atje janë ndërmarr të gjitha veprimet dhe tashmë nuk ka arsyeje të mos punojnë. Ata duhet të nisin punën dhe duhet të përfundojnë në afatet të cilat ka përcaktuar edhe ligji. Unë pres së shpejti të ndodh. Por nëse eventualisht Gjykata nuk merr në trajtim ose nuk zbardh vrasjet e pasluftës, vrasjet politike atëherë i humb kuptimi vet ekzistencës së kësaj gjykate. Gjykata mandatin e saj e ka për të hetuar krimet që kanë ndodhur gjatë luftës, por edhe pas luftës në Kosove dhe me theks të veçante vrasjen e njerëzve më të shquar, patriotëve më të shquar që kishte ky vend dhe që kanë qenë veprimtarë të LDK-së. Unë jam i sigurt se zbardhja e një apo dy vrasjeve të tilla do të zbardhte të gjithë zingjirin komandues kriminal, i cili ka organizuar vrasjet e veprimtarëve të LDK-së dhe shpresoj dhe besojë se  së shpejti këto do të marrin përgjigje.

“Bota sot”: A prisni se Gjykata Speciale të arrestojë ndonjë figurë të lartë të shtetit, nëse po kush mund të jetë ai?

Selmanaj: Thash që Gjykata Speciale nuk është bërë për persona të parëndësishëm. Gjykata Speciale është bërë për persona të rëndësishëm të skenës publike dhe politike në Kosovë, sepse po të ishte ndryshe nuk do të ishte themeluar fare Gjykata Speciale, por do të kishin provuar me gjykatat vendore që të realizohen. Por duke e ditur ata që ndikimi tek dëshmitarët edhe tek gjyqësori edhe tek prokurorët dhe gjykatësit është i madh nga ana e politikanë dhe personave të fuqishëm në jetën politike dhe publike në Kosovë, kam përshtypjen që kjo gjykatë do të trajtojë një numër të madh të personave të rëndësishëm në Kosovë. Personave që kanë marrë poste publike se për nga rëndësia është çështje krejt subjektive si vlerësohet, sepse edhe nëse ka dikush postë publik ka shkaktuar shtetin e Kosovës në çdo aspekt për mua nuk ka asnjë rëndësi. Por megjithatë për shkak të funksionit që mund ta ketë. Unë mendoj se kjo gjykatë është bërë për njerëz të tillë.

“Bota sot”: Si e komentoni kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për hetimin e SHIK-ut në Kuvend?

Selmanaj: Mendoj se kjo është një lojë politike e pakuptimtë për konsum të brendshëm politikë dhe që Vetëvendosja nuk është hera e parë që bën verime të tilla. Ne po flasim vazhdimisht që gjykatat dhe prokuroritë janë të kapura, nuk kanë kapacitete për të luftuar krimin e korrupsionin e të gjitha format të një krimi të shfaqur në Kosovë, ndërkohë po kërkojmë që Kuvendi të marr një proces të tillë. Kjo është një qasje e gabuar. Kuvendi në asnjë variant nuk ka kapacitete për tu marrë me këtë organizatë komplekse e që duket se ka pasur shumë elemente brenda saj kriminale. Pra, nuk mund kuvendi asesi dhe nuk ka kapacitete, por në fakt nuk ka as mandat. Tendenca për ta themeluar kuvendi një komision hetimor për SHIK-un, unë mendojë se është tendenca për të shpërlarë SHIK-un, për t’i dhënë një farë legjitimiteti, sepse në momentin që t’i nuk nxjerr fakte, sepse nuk ke kapacitete, s’ke as mandat atëherë del që kjo organizatë paska qenë e mirë për vendin. Unë mendoj se kjo nuk qëndron dhe si e tillë ne duhet t’i lëmë institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Kemi një numër të njerëzve të cilët janë akuzuar dhe vuajnë dënimin që kanë qenë anëtar të SHIK-ut. Rastin Bllaca 1, 2 dhe 3 .

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test