Pupovci: Sistemi i arsimit në Kosovë, pa përgjegjësi e llogaridhënie

Intervista

Pupovci: Sistemi i arsimit në Kosovë, pa përgjegjësi e llogaridhënie

Më: 1 prill 2018 Në ora: 15:33
Dukagjin Pupovci, Drejtor i Qendres për Arsim të Kosovës

“Në Kosovë nuk është arritur të ndërtohet një sistem, i cili reflekton përgjegjësi dhe llogaridhënie. Mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies ka bërë që Kosova sot të kenë nivel të ulët të cilësisë në arsim dhe të përballet me probleme të shumta në këtë fushë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci.

Zoti Pupovci, sistemi i arsimit në Kosovë, duke nisur nga ai fillor dhe deri tek arsimi i lartë, nga raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, vlerësohet se nuk është në nivelin e duhur. Përse është një gjendje e tillë?

Dukagjin Pupovci: Unë mendoj se sa i përket periudhës së pasluftës, problemi qëndron në faktin se në Kosovë nuk është arritur të ndërtohet një sistem, i cili reflekton përgjegjësi dhe llogaridhënie dhe kjo vërehet në të gjitha nivelet. Mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies ka bërë që gjatë gjithë këtyre viteve të mos zbatohen planifikimet. Për shembull, Kosova ka pasur dokumente strategjike të zhvillimit të arsimit diku nga viti 2002 dhe ato dokumente rregullisht janë përditësuar, mirëpo zbatimi i tyre nuk ka qenë i duhuri dhe edhe më pak ka pasur përgjegjësi për moszbatimin e tyre.

Mungesa e cilësisë në arsimin e lartë është identifikuar si problem që nga viti 2004, kur ka ekzistuar vetëm Universiteti i Prishtinës dhe një numër shumë i vogël i institucioneve private të arsimit të lartë dhe që atëherë ka qenë një përcaktim, të paktën në letër dhe i aprovuar nga Qeveria, që të punohet drejt përmirësimit të cilësisë. Mirëpo, në vend që të punohet në drejtim të përmirësimit të cilësisë, janë hapur edhe dhjetëra institucione private dhe gjashtë institucione tjera publike të arsimit të lartë, duke sjell te një masivizim i këtij sektori.

E njëjta gjë mund të thuhet për decentralizimin e arsimit, i cili është përfolur shumë nga mesi i dhjetëvjetëshit të parë të këtij shekulli dhe posaçërisht është zbatuar me Planin e Ahtisaarit, kur Ligji për arsim në komuna ka sjell një decentralizim të shkallës së lartë. Dhe, tani, ne vërejmë se në komuna kryesisht punësimet nuk bëhen në bazë të kritereve të cilësisë, por bëhen në bazë të përkatësisë apo lojalitet politik, partiak dhe kështu me radhë dhe e njëjta gjë ndodh edhe tek emërimet e drejtorëve të shkollave.

E gjithë kjo ka bërë që ne të kemi një sistem, i cili nuk reflekton llogaridhënie dhe kur nuk ka llogaridhënie, nuk mund të ketë as sukses.

Për herë të dytë në Kosovë pritet të mbahet Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve i njohur si PISA. Herën e parë Kosova tregoi rezultate mjaft të dobëta. Cilat janë parashikimet e juaja për testimin e radhës?

Dukagjin Pupovci: Nuk pres ndonjë ndryshim të madh, për shkak se PISA për nga natyra e vet, reflekton aftësinë e nxënësve për të zbatuar njohuritë e veta në praktikë dhe sistemi ynë i shkollimit nuk i ka përgatitur fëmijët në masën e duhur që njohuritë që i fitojnë në shkollë, si nga leximi, matematika dhe shkenca ,t’i zbatojnë në jetën praktike dhe kjo është arsyeja e dështimit në PISA në vitin 2015, kur Kosova ka marrë pjesë për herë të parë.

Ajo ka qenë gjenerata e fëmijëve të lindur në vitin 1999, të cilët tash janë studentë, ndërkaq këtë radhë, do të kemi fëmijët e lindur në vitin 2002, pra faktikisht PISA do të reflektojë rezultatin e krejt shkollimit të tyre të deritashëm dhe nuk është diçka, për të cilën mund të përgatiten nxënësit për një muaj apo tre muaj.

Mendoj se kjo gjeneratë ka pak dallime nga gjenerata e kaluar për faktin se e ka filluar shkollimin në vitin 2008 kur teknologjia ka qenë në nivel më të lartë të zhvillimit. Supozohet se këta e kanë shfrytëzuar teknologjinë më shumë sesa gjenerata e kaluara, tekstet shkollore i kanë pasur falas, infrastrukturën shkollore e kanë pasur më të mirë dhe kjo mund të ndikojë në një ngritje të rezultatit, por nuk do të thotë se rezultati është ngritur se është punuar më mirë me ta. Rezultati do të ngrihet edhe në shtetet tjera, sepse edhe ato kanë përmirësime të tilla dhe në rangimet ndërkombëtare Kosova nuk besoj se do të dallojë shumë nga vendi ku ka qenë para tre vjetësh.

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë, është shumëfishuar në vitet e fundit, derisa ka mungesë të numrit të studentëve në shkollat profesionale. Pse ka hezitim për profile e profesione të caktuara nga të rinjtë?

Dukagjin Pupovci: Po së pari varet se çfarë u ofrojmë ne nxënësve në shkollat profesionale. Diku rreth 60 për qind të profileve që ofrohen në shkollat profesionale, janë të fushës së ekonomisë, drejtësisë, biznesit, profesioneve shëndetësore, që nuk kanë të bëjnë me atë që ne e perceptojmë si shkollim profesional, por nuk kanë të bëjnë me shkathtësi zanatesh. Dhe, është e vërtetë që numri i atyre që orientohen në këto zanate, me të cilat punësohen më lehtë është i vogël, sepse nuk punohet sa duhet me ata nxënës në kuptimin e këshillimit në karrierë dhe nuk i vihen në dukje mundësitë e punësimit, të cilat i kanë pasi t’i përfundojnë shkollat.

Pastaj cilësia e punës në ato shkolla nuk është gjithnjë e mirë dhe shumë shpesh ndodh që nxënësit të përfundojnë shkollimin e mesëm profesional dhe në fushën e zanatit dhe përsëri të mos jenë të aftësuar të kryejnë punë.

Ndërkohë që tregut të punës i mungojnë elektricistë të mirë, agjustratorë, ujë-instalues të mirë. Ky është një defekt, po ashtu, i sistemit tonë të arsimit.

Sa arrijnë studentët që pas përfundimit të studimeve të jenë të përgatitur për tregun e punës?

Dukagjin Pupovci: Bizneset në Kosovë ankohen nga dy aspekte: si në aspektin e shkathtësive teknike, të cilat duhet të fitohen gjatë shkollimit dhe ankohen në aspektin e shkathtësive të buta, siç është aftësia për të marrë vendime, për të rezonuar në mënyrë kritike, si dhe aftësia e komunikimit.

Është interesant se anketat me biznese tregojnë se ato (bizneset) janë shumë më të përgatitur të punojnë me kuadrin e ri në përmirësimin e shkathtësive teknike sesa në përmirësimin e shkathtësive të buta, sepse shkathtësitë teknike kanë të bëjnë më shumë se si njeriu kryen një punë dhe aty njeriu trajnohet brenda një periudhe të shkurtër. Por, kur vjen puna te shkathtësitë e buta, aty nevojitet një kohë më e gjatë dhe pikërisht aty ka rol sistemi i arsimit që nga klasat e para të fillores, sepse fëmijët, nxënësit pastaj studentët duhet të përballen me sfidat e të menduarit kritik, me sfidat e marrjes së vendimeve. Nëse kjo kultivohet gjatë shkollimit dhe një pjesë edhe në familje, atëherë me siguri edhe punësimi bëhet më i lehtë edhe punëtori është më efektiv në punë.

Së fundi, Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ka përjashtuar Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Cilat mund të jenë pasojat?

Dukagjin Pupovci: Kjo mund të shkaktojë pasoja të mëdha. Përveç përjashtimit nga Regjistri, ne tash kërcënohemi të përjashtohemi edhe nga Asociacioni Evropian i Agjencive të Sigurimit të Cilësisë. Më 17 apo 18 prill e kanë takimin vjetor dhe kanë paralajmëruar që mund të marrin një masë suspendimi ndaj Agjencisë së Akreditimit. Këto ditë po përflitet që Kosova mund të largohet edhe nga Korniza Evropiane e Kualifikimeve që do të thotë se kualifikimet e Kosovës do të kenë shumë vështirësi të njihen në vendet e Evropës, në veçanti në vendet e Bashkimit Evropian sesa në vendet tjera, pasi që tani kualifikimet njihen në masë të madhe në bazë të anëtarësisë së Agjencisë së Akreditimit në këto organe të tjera dhe në bazë të faktit se Korniza e Kualifikimeve të Kosovës është referuar në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.

Pra, kjo mund të shkaktojë vështirësi edhe për punëkërkuesit që shkojnë në Evropë, por mund të shkaktojë vështirësi edhe për të rinjtë që dëshirojnë t’i vazhdojnë studimet në institucionet arsimore evropiane.

Ndërkaq, pasoja në Kosovë është se për momentin nuk kemi Agjenci të Akreditimit, pra nuk e kemi një agjenci funksionale dhe nëse nuk funksionalizohet shpejt Këshilli Shtetëror i cilësisë, ose bordi i Agjencisë, atëherë do të mbetet pa u akredituar një numër i madh i institucioneve dhe i programeve të arsimit të lartë.

Pupovci: Kurrikula e re ka nisur pa tekste mësimore e pa pajisje

Profesor, ju theksuat shumë probleme në sistemin e arsimit në Kosovë. Si mund të dalë Kosova nga kjo gjendje jo e mirë e arsimit?

Dukagjin Pupovci: Nëse nuk i zbatojmë planet për përmirësim, atëherë nuk ka si të vijë përmirësimi. Arsimi është fushë komplekse dhe duhet të punohet në shumë fusha. Qeveritë zakonisht po preferojnë të punojnë në fushën e infrastrukturës, që është më e lehta. Tani nga shatori i viti të kaluar ka filluar të zbatohet kurrikula e re e Kosovës, por nuk ka tekste mësimore, pra ka filluar të zbatohet pa tekste mësimore. Me gjasë nuk do të ketë tekste mësimore as vitin e ardhshëm për kurrikulën. Dy gjenerata po i përcjellim pa tekste mësimore. Ku janë mjetet e konkretizimit nëpër klasa, kompjuterët, pajiset teknologjike të gjitha ato janë paraparë në plan, pra nuk ka qenë në rregull të zbatohet kurrikula e re pa u bërë këto.

Kurrikula parasheh këshillimi në karrierë në të gjitha shkollat. Ku janë këshilltarët e karrierës, ku është trajnimit për ta, ku është buxheti? Nëse kjo nuk bëhet, normalisht edhe pas pesë viteve ne do t’i kemi problemet e njëjta, përsëri të rinjtë tanë do të jenë të papërgatitur, përsëri nuk do të shkojnë nëpër zanate, por do të shkojnë në drejtime shëndetësore.

Pra, të gjitha këto kërkojnë veprim. Unë mendoj që në Kosovë në radhë të parë mungon veprimi dhe ky rast nuk është vetëm në arsim, kjo ndodh edhe në sektorët e tjerë, prandaj e kemi edhe këtë ngecje dhe pas 19 viteve të pasluftës vazhdojmë të jemi vendi më i varfër në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat