Tregu evropian do të pasurohet me verërat e bodrumeve të Rahovecit

Intervista

Tregu evropian do të pasurohet me verërat e bodrumeve të Rahovecit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 prill 2018 Në ora: 14:52
Smail Latifi

Komuna e Rahovecit njihet si vend i rrushit, ndërkaq prodhimet e rrushit të kësaj komune tashmë njihen edhe në vendet e tjera të botës. Gazeta “Bota sot” ka realizuar një intervistë me Kryetarin e Rahovecit, i cili ka treguar se janë duke punuar që verërat e kësaj komune të prezantohen në tregjet evropiane.

Janë bërë tashmë 100 ditë, që Smail Latifi ka marrë mandatin si kryetar i Rahovecit, ndërkaq ai ka deklaruar, se komunën e ka gjetur me shumë projekte të paprekura dhe me borxhe.

Palestra në komunën e Rahovecit ka filluar të ndërtohet që afro 10 vjet dhe nuk ka përfunduar ende, sipas Latifit, kjo palestër do të ketë epilog së shpejti.

Latifi gjatë intervistës, ka folur edhe për bashkëpunimin e tij komunal me PDK-në, si dhe për gjendjen e arsimit dhe shëndetësisë në këtë komunë. 

 “Bota sot”: Tashmë kanë kaluar disa muaj që nga marrja e mandatit të kryetarit, cilat janë ndryshimet të cilat i keni bërë?

Smail Latifi: Tanimë po hyjmë në 100 ditëshin e qeverisjes sime si kryetar komune, pa dyshim, si çdo qeveri e re që i identifikon problemet të cilat trashëgon, ashtu edhe ne kemi trashëguar shumë probleme nga qeveria komunale, por ne i kemi dhënë zgjidhje shumë problemeve dhe kështu deri në fund të mandatit do t’u japim zgjidhje edhe të tjerave. Në fillim kemi krijuar disa komisione me të cilat kemi identifikuar dhe regjistruar të gjitha asetet komunale, kam  urdhëresa me të cilat kam kërkuar nga të gjithë punëtorët e Komunës, orari i plotë i punës, kemi bërë dhe aplikuar me disa projekte të Kosovës dhe kemi dërguar përmes Zyrës së Kryeministrit projektin e Bardhë në konferencën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  në Londër. Kemi bërë ndërhyrje të shumta emergjente si në rrugë, pastrimin e lumenjve dhe përroskave e shumë punë të tjera Gjithashtu, këtyre ditëve kemi filluar me punët rreth hartimit Komunal si dhe do të vazhdojmë edhe me Hartën Zonale dhe planet tjera rregulluese në urbanizëm.

“Bota sot”: Keni pasur një rezultat të ngushtë me PDK-në në zgjedhje, si është bashkëpunimi juaj tani pas fitores tuaj?

Smail Latifi: Po, ne kemi pasur një rezultat të ngushtë në raundin e dytë rezultatet janë certifikuar nga ana e KQZ-së dhe mbi bazën e atij rezultati në të drejtën e qeverisjes. Tani PDK është në opozitë, është grupi me i madh komunal në Rahovecit dhe ne do t?i kerkojmë bashkëpunënim në të mirë të qytetarëve tanë. Deri më tani janë mbajtur dy mbledhje dhe e vlerësoj punën konstruktive që ka bërë PDK në këto dy mbledhje duke i votuar pikat e propozuara nga ana e jonë.

“Bota sot”:  Si e keni gjetur komunën menjëherë pas marrjes së mandatit?

Smail Latifi: Ashtu siç thashë më herët, Komunën e kemi gjetur me ishin krijuar ndër vite. Shumë projekte kapitale janë të paprekura,  kemi gjetur borxh shumë të madh, mbi 2 milionë borxhe të faturuara e mbi 6.5 milionë borxhe kontraktuale. Por ne nuk do të ankohemi, siç rëndom bëjnë zakonisht kryetarët e komunave kur marrin mandatin.

“Bota sot”:  Palestra në komunën e Rahovecit ende nuk ka përfunduar, përkundër që jeni zotuar që do të përfundojë së shpejti, si janë duke shkuar punimet dhe cilat janë arsyet e mospërfundimit të punimeve?

Smail Latifi: Palestra në Rahovec do të përfundohet, mirëpo mos harroni se kjo palestër ka filluar të ndërtohet që dhjetë vite dhe se ne tash sa i kemi bërë 3 muaj që jemi në pushtet. Është e vërtetë se ndërtimi i palestrës është tejzgjatur, por kjo palestër së shpejti do të marrë epilog pozitiv. Ne kemi bërë presion në Qeverinë e Kosovës dhe poashtu kemi kërkuar nga Kryeministri dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t?i marrin masat e nevojshme dhe punimet për përfundimin e palestrës të vazhdojnë sa më shpejt që është e mundur. Punimet kanë mbetur në fazën e cila ka filluar para dy viteve dhe që nga ajo kohë në palestër nuk ka pasur punime tjera. Arsyet e mospërfundimit të kësaj palestre direkt varen nga prokurimi dhe OSHP-ja, tash së fundi tenderi për palestër është anuluar për herë të tretë dhe kjo është një e padrejtë që po ju bëhet qytetarëve tanë dhe sportistëve të qytetit tonë.

“Bota sot”: Rruga "Xhelal Hajda-Toni" ende ka probleme me kanalizim pas reshjeve, si do të rregulloni këtë?

Samil Latifi: Drejtoria për Shërbime Publike ka bërë një ndërhyrje në rrugën “Xhelal Hajda – Toni” në Rahovec, pritet që edhe në dy puseta kryesore të ketë ndërhyrje, sepse është lënë në gjysmë ky project dhe ne kemi identifikuar, jo vetëm në këtë rrugë, por edhe në rrugët tjera të qytetit.

“Bota sot”: Jeni zotuar për ndërtimin e çerdheve të reja, kur do të realizohet kjo?

Samil Latifi: Zotimet tona që i kemi dhënë për ndërtimin e çerdheve të reja, gjatë mandatit tonë do të bëhen realitet!

 “Bota sot”: Shëndetësia në komunën e Rahovecit vazhdon të jetë e dobët, çfarë keni bërë apo çfarë do të bëni ta përmirësoni këtë gjendje?

Smail Latifi: Shëndetësia gjatë këtij mandati do të jetë prioritet i qeverisë, do të funksionalizojmë AMF-në fshatin Polluzhë, do të bëhen QMF-t në Ratkovc, e së shpejti do të fillojmë projektin me Caritas Kosova, në të cilën parashohim të punësohen 40 punëtorë të ri shëndetësor, ku do të punojnë me dy ndërrime në mënyrë që të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarë. Presim të funksionalizohet reparti i hemodializës, ku do të ofrohen shërbime për ata që janë në dializë.

 “Bota sot”: Keni kritikuar sistemin arsimor gjatë qeverisjes së kaluar, si është gjendja e arsimit tani?

Smail Latifi: Gjendja në arsim në komunën tonë në këta 3 muaj të qeverisjes sonë ka filluar të përmirësohet. Fillimisht kemi vizituar të gjitha shkollat dhe kemi incizuar gjendjen infrastrukturore dhe fizike të të gjitha shkollave. Pastaj kemi identifikuar problemet e mbarëvajtjes së procesit edukativo-arsimor dhe kemi marrë masa që vijueshmëria e nxënësve në shkolla të përmirësohet. Kemi mbajtur aktivitete kulturore dhe gara me nxënënës. Në katër shkolla të komunës sonë do të zbatohen masat e eficiencës së energjisë, ndërsa 12 shkolla gjatë këtij viti kanë përfituar grante zhvillimore në vlerë prej rreth 120.000 €. Pas 3 vitesh pauzë në qeverisjen e kaluar, qeverisja jonë ka rifilluar ndarjen e bursave dhe për këtë vit qeverisja jonë ndau bursa për 63 studentë të komunës sonë. Gjatë këtyre 3 muajve poashtu, ne kemi ndihmuar në transportin e nxënësve në linja udhëtimi.

“Bota sot”:  Javën e kaluar është shënuar edhe përvjetori i masakrës së Krushës, komuna për t'i ndihmuar të mbijetuarit?

Smail Latifi: Muaji mars për Komunën tonë është muaji i dhimbjes, por në të njëjtën kohë edhe i krenarisë. Në marsin e vitit ‘99 komuna jonë ka dhënë qindra qytetarë, e që fatkeqësisht akoma nuk ua dimë varret të gjithëve. Ne jemi munduar që t’iu dalim në ndihmë, pikërisht në këtë përvjetor kemi kërkuar që ta kemi prezent edhe kryeministrin në mënyrë që t’ua shuajmë sadopak dhembjen këtyre familjeve që dhanë gjak për lirinë që po e gëzojmë sot.

“Bota sot”: Puna e grave të Krushës është e njohur edhe jashtë Kosovës, si do t'ia bëni t'i sjellni më shumë investitorët që t'u dalin në ndihmë këtyre grave?

Smail Latifi: Gratë e Krushës janë krenaria e vendit tonë. Ne vazhdimisht i kemi përkrahur ato, tash së fundmi morëm pjesë në përurimin e objektit të financuar nga Ville De Geneve i siguruam se jemi të gatshëm të hyjmë në projekte të përbashkëta. Përkrahim edhe projektet ku gratë e Krushës do të jenë bartëse dhe lehtësira në të ardhmen. Ne jemi në dijeni për problemin kryesor të tyre dhe ne si komunë kemi marrë masa serioze që atyre t’ua sigurojmë një lokacion më të përshtatshëm ku ato do të kenë mundësi që t’i rrisin kapacitetet e tyre prodhuese.

 “Bota sot”: Kryetar shpesh dëgjojmë ankesa nga qytetarët e kësaj komune për përfshirjen e militantëve të partisë tuaj në digastere të ndryshme, si e komentoni një gjë të tillë?

Smail Latifi: Çdo kush ka të drejtën të aplikojë për punë në secilin konkurs që krijohet dhe është komisioni që i vlerëson pretendetët për punë. Deri më tani kur kemi punësuar dikë në Komunë, janë hapur disa konkurse në arsim dhe janë punësuar në Komunë, janë hapur disa konkurse në arsim dhe janë të mirët nga ana e komisioneve të thirrura për këtë punë. Unë si kryetar komune, shpesh jam akuzuar nga partia ime se nuk po i punësojë në arsim, ashtu edhe në administratë. Sepse ne kemi punësur njerëz që kanë përmbushur kërkesat në bazë të kritereve të kërkuara, ashtu edhe në të ardhmen do të veprojmë.

“Bota sot”: Komuna e Rahovecit njihet për kultivimin e rrushit, a do të rriten subvencionet bujqësore për këtë komunë?

Smail Latifi: Komuna e Rahovecit posedon mbi 3200 ha me vreshta, e që sipërfaqet me vreshta janë në rritje të vazhdueshme. Aktualisht subvencionet për 1 ha janë 1000€ për vreshta dhe 300 € për 1 ha perime dhe ne kemi bërë presion të vazhdueshëm që kjo shumë të rritet. Përveç subvencioneve nga Ministria, ne jemi duke shikuar mundësinë që edhe si Komunë të ju dalim në ndihmë vreshtarëve e perimtararëve si në pleh kimik, serra, pesticide për spërkatje, e gjëra të tjera që u bëjnë më të lehtë punët.

“Bota sot”:  Sa jeni duke punuar që vera e Rahovecit të njihet edhe më shumë në botë?

Smail Latifi: Komuna e jonë është duke punuar që verërat e bodrumeve të Rahovecit ta bëjnë prezantimin e tyre në tregun evropian, së fundmi verërat e Rahovecit janë prezantuar në Mynih të Gjermanisë në festivalin Ditët e Ballkanit, ku shumë njerëz kanë shijuar verën e kultivuar në vendin tonë. Në këtë aktivitet janë bodrumet si: Stone Castle, Haxhijaha, Sefaëine, Daka e Kosova.

Për ta promovuar verën tonë, në Rahovec që disa vite mbahet edhe festivali tashmë mirënjohur që ka marrë edhe vëmendje ndërkombëtare “Hardh Fest”, i cili themeluar për këtë qëllim, si një promotor shumë i rëndësishëm vreshtar dhe prodhimit të verës shumë kualitative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat